TIRANË- Kryeministri Edi Rama pas takimit me kabinetin qeveritar ku analizuan 100 ditët e para të qeverisjes së mandatit të tretë ka njoftuar se nesër do të ngrihet platforma për ‘Konsultimin e madh Kombëtar’. Kjo platformë është prezantuar nga kryeminsitri përpara formimit të qeverisë së re, e cila synon që për vendimmarrjet e rëndësishme do merret edhe mendimi i qytetarëve.

“Nesër vendosim në qeveri Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët për vendime të rëndësishme të vitit që po vjen dhe le ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin, jashtë llogoreve të ngushta partiake e llogjeve të mëdha provinciale! Ata s'kanë ç'humbin më ne s'kemi kohë për të humbur”, shkruan Rama.

Duke ironizuar situatën në kampin e demokratëve, Rama përmes një postimi në ‘Twitter’ shkruan se ‘kufomat grata-nongrata’ po përpiqen të bëjnë sikur duan të luftojnë korrupsionin e Vuçiçin, por sipas tij drejtësia e re ka filluar të japë rezultatet e para, sportelet do të mbyllen duke ulur kështu korrupsionin e ndërsa ekonomia ka filluar të lulëzojë pas pandemisë.

“S'kam ndërmend të merrem as me kufomat grata-nongrata as me dordolecët e papagallët grata e vinci (gërvisht e fito) që kanë hyrë në një vorbull marrëzie qesharake bravash, dyersh, kanalesh e portalesh, kinse po duan kush e kush të luftojë më fort regjimin, korrupsionin, vuqiqin!

Jam i inkurajuar që drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash, ekonomia po vijon ringjitjen pas pandemisë, sporteleve po u vjen fundi bashkë me vitin në ikje dhe më e mira është e gjitha përpara, duan s'duan humbësit fitimtarë të kuvendeve demokratike e mediatike”, shkruan Rama.