TIRANË- Të mërkurën, nesër kryeministri Edi Rama do të takojë shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin për bazën e re ushtarake të NATO-së në portin e ri të Durrësit. Mirëpo, në vend që të ishte një plan që do të gjente edhe një dakordësi nga opozita, kjo nuk ka ndodhur, por Partia Demokratike e Sali Berishës e ka përdorur si një formë për të sulmuar kryeministrin Edi Rama.

Zëdhënësja, Floriana Garo ka bërë një deklaratë për mediat, ku i drejtohet NATO-s, sipas së cilës prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Ramës, fshihet një nga aferat më të mëdha korruptive të kohës, që është spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano. Sipas tyre, ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit,  marrëveshje, në të cilën për Garon, kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive.  

“Këto ditë Edi Rama ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se NATO ka treguar interes për të ndërtuar në Porto Romano një port ushtarak. Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me Nato-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlanikut të Veriut në territorin e Shqipërisë. Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano. 

1-Ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive.  

2- Gjendja aktuale e forcave të armatosura të Shqipërisë ka probleme tejet serioze, të cila lidhen para së gjithash me pagat e ulëta të ushtarakëve, mos investimin në infrastrukturë dhe buxhetin tejet të ulët të kësaj qeverie për ushtrinë. Kjo në kundërshtim me standardet e NATO-s.

3- Edi Rama ka një qëndrim të hapur antidemokratik ndaj lirisë së shtypit, të padenjë për kryeministrin dhe qeverinë e një vendi anëtar të NATO-s. Organizatat më prestigjioze të lirisë së medias, kanë dënuar në mënyrë të përsëritur qëndrimin e tij. OSBE ka theksuar në një deklaratë të para pak ditëve se liria e medias është e lidhur direkt me sigurinë. Pozicioni i Shqipërisë sa i takon medias është përkeqësuar vitin e fundit me 20 vende. 

4 - Shqipëria është sot njëri nga prodhuesit kryesor të kanabisit në botë. Sivjet parakaloi në prodhimin dhe trafikun e kësaj droge, Indinë dhe Iranin. Perveç kësaj, Shqipëria është rrugë kryesore e trafikut të heroinës nga lindja drejt Europës. Ajo po bëhet çdo ditë e më shumë qendër e rëndësishme e trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Pavarësisht nga kjo gjendje tejet problemetike me prodhimin dhe trafikimin e drogës, Edi Rama ka përgatitur dy ligje të rrezikshme për vendin:  

-Ligjin për legalizimin e kanabisit, gjoja për qëllime mjekësore, dhe;

-Ligjin për amnistinë fiskale, për legalizimin kryesisht të parave të drogës dhe krimit, me të cilat ai përkeqëson edhe më tej problematikat e lidhura me drogën dhe trafikun e saj dhe rrezikon sigurinë e Shqipërisë dhe të Aleancës, për shkak të bashkëpunimit potencial të grupeve te trafikantëve me grupet terroriste. Partia Demokratike shpreh edhe një herë, mbështetjen e plotë për Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe bashkëpunimin e gjithanshëm të Shqipërisë me të”, thuhet në deklaratë.

Ky reagim vjen një ditë pasi Rama pritet të takojë Stoltenberg, ku ka sqaruar se qëllimi është për të thelluar bisedimet për bazën e NATO në Durrës. Ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano, sipas së cilit ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë.