Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Lezha 61 bashkitë e vendit se do përballen me ndërprerjen e financimit, nëse rrisin numrin e punonjësve dhe për rrjedhojë shtojnë shpenzimet në buxhet. Gjatë konsultimit publik me banorët dhe autoritetet vendore të Lezhës për buxhetin e vitit 2018, Rama shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do ketë një formulë të re për financimin e bashkive dhe ato që rezultojnë.
 
“Lidhet më një fakt që ka të bëjë me ndryshimin që ka sjellë reforma administrativo- territoriale. Ne po punojmë për një formulë të re me Ministrisë e Financave që do jetë transparente dhe nuk do financojmë bashkitë që nuk i rrinë strikt raporteve të shpenzimeve. Kemi parë sot me ministrin e Financave edhe më keq. Me shpenzimet e tepërta të portit të Durrësit p.sh. Është e papranueshme që të kemi rritje të numrit të punonjësve. Është një rast tipik i cili karakterizon shumë bashki dhe në qarkun e Lezhës do doja shumë që ta bëja këtë kritikë edhe për Mirditën dhe Kurbinin. Por në Lezhë kemi një rritje më të madhe të punonjësve me rreth 80% më shumë se kur ishin dhe komunat veç. Kjo nuk është një sëmundje demokratesh për të punësuar njerëz, por e të gjithëve. Është e pakuptimtë”, tha Rama.  
 
Kryeministri deklaroi se nga kjo “sëmundje” nuk vuajnë vetëm bashkitë e PD, por edhe ato të PS. “Kam një vërejtje dhe nuk është vetëm kreun e bashkisë së Lezhës, por për të gjithë kryebashkiakët duke qenë se shumica janë të PS”. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com