Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, New Jork.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama tha se Shqipëria po synon turizmin e vlerës, me qëllim sjelljen e më shumë përfitimeve ekonomike për popullin shqiptar.

Rama përmendi edhe investimet që pritet të realizohen në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec të Vlorës, ku tha se vetëm në Zvërnec do të investohen 4 miliardë euro, një shumë që sipas kryeministrit është tepër e lartë për ekonominë shqiptare.

Ai shtoi se Qeveria po studion edhe dëmin që këto projekte mund të sjellin në mjedis, duke hartuar një studim të plotë mbi risqet reale.

“Këtë synim ka projekti i shumëdiskutuar, projekti i famshëm, por edhe fatkeq për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve. Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, një projekt që sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro, në një ekonomi që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit për mjedisin, prandaj ne po punojmë shumë për të pasur një studim për ndikimin dhe risqet në mjedis. Risqet reale dhe jo ato që prodhohen në rrjetet sociale nga sharlatanët e manipulatorët. Shpresoj që kur të vini në Shqipëri, kryepolici të na japë mundësi që të takohemi. Para se të vija këtu, më mori në telefon Dritani nga Mali i Zi, ish-kryeministri dhe miku im i shtrenjtë, i vetmi qytetar i botës në Ballkan, i cili më tha ‘shiko se atje ku po shkon, te ajo dallga shqiptare, ke edhe disa shkumë nga Ulqini. Kështu që shumë faleminderit”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Rama me shqiptarët në New York: Shqipëria e sotme nuk është më vendi që ka nevojë për ndihma! Projektet për Sazanin e Zvërnecin, të jashtëzakonshëm