Teksa në Tiranë qindra protestues janë mbledhur për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti në Zvërnec të Vlorës, kryeministri Rama është përgjigjur me një video nga hotel ‘Porto Montenegro’, që sipas kryeministrit është një histori suksesi për Malin e Zi.
Referuar protestave që zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, kryeministri Rama është shprehur se ata që s'ja duan të mirën Shqipërisë, 'ta harrojnë se se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane', duke nënkuptuar se qeveria s'do të tërhiqet nga investimi.
"Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, ka shkruar Rama në Facebook, krahas videos së shpërndarë.
Më tej Rama është shprehur se ‘Porto Montenegro’ u ndërtua nga një investitor kanadez, i cili kishte ardhur fillimisht në Shqipëri për ndërtimin e një porti turistik në Durrës, por që sipas kryeministrit, i ishte mbyllur dera nga qeveria e kohës.
Teksa ndodhej krah menaxherit të hotel 'Porto Montenegro', kryeministri Rama tregoi se kur nisi investimi për ndërtimin e këtij resorti në Malin e Zi, jo çdo gjë në fillim shkoi ashtu siç duhej. Por sipas kryeministrit, ishte 'Porto Montenegro' vepra e parë që do ta nxirrte Malin e Zi nga 'mjegulla' që qarkullonte asokohe për lidhjen e këtij vendi me krimin e organizuar.
“Nga Porto Montenegro, për të cilin kam folur disa herë këto ditë. Turizmi është motori i zhvillimit të Malit të Zi. Di mirë historinë sesi u ndërtua ky vend, nga dikush, një burr i vjetër dhe pasionant nga Kanadaja, që trokiti më parë në Shqipëri dhe donte të bënte një port turistik në Durrës. E keqtrajtuan dhe e detyruan të largohet, duke mos iu hapur fare dyert. Në Mal të Zi iu hapën dyert, por jo çdo gjë shkoi ashtu siç duhej që në fillim. Jam këtu me dikë që më takoi, i cili është menaxheri i këtij resorti me nam. I këtij resorti që nxori Malin e Zi nga mjegulla e zezë e vendit të krimit”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Rama ndodhet në Malin e Zi për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tivar.
Çfarë është 'Porto Montenegro' në Malin e Zi:
Porto Montenegro është një marinë prestigjioze e vendosur në Tivat, brenda Gjirit të Kotorrit, në zemër të një zone të shpallur Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Projekti lindi nga rindërtimi i arsenalit detar të ish-Jugosllavisë në Tivat. Ideja dhe zhvillimi fillestar u drejtuan nga miliarderi kanadez Peter Munk, udhëheqës i një konsorciumi që përfshinte edhe figura të tjera të rëndësishme financiare si Lord Jacob Rothschild, Nathaniel Rothschild, Bernard Arnault, Oleg Deripaska, Sandor Demjan dhe Anthony Munk.
Duke mbuluar 24 hektarë, janë krijuar 650 vende ankorimi, përfshirë 150 për superjahte mbi 24 metra të gjata, dhe një mol 107 metra, i dedikuar për furnizimin me karburant pa taksa dhe pa doganë.
Në tokë, një fshat turistik, i pajisur me të gjitha lehtësitë dhe i integruar në mënyrë të përsosur në mjedis: stili i ndërtesave të kujton fshatrat e vegjël malazezë, të karakterizuar nga rrugë dredha-dredha, fasada guri vendas dhe çati me tjegulla terrakote dhe balte.
Falë këtij investimi, një zonë industriale dhe ushtarake e braktisur, u kthye në nxitësin kryesor të turizmit detar dhe ekonomisë luksoze të Malit të Zi në tërësi.
Që nga viti 2016, i gjithë objekti është në pronësi të Korporatës së Investimeve të Dubait (ICD), fondi sovran i pasurisë së Dubait.
Zëvendës-kryeministrja Albana Koçiu ka sjellë shembuj nga resortet turistike të ndërtuara në Turqi, duke theksuar se investimi në Zvërnec sjell vetëm zhvillimin e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga resortet në Turqi, Koçiu tha se ky model i zhvillimit të turizmit, përmes resorteve luksoze turistike, është i përhapur në të gjithë Mesdheun.
Teksa u kërkoi shqiptarëve që të heqin dorë nga mentaliteti që i sheh investimet e huaja si pushtim, Koçiu tha se disa njerëz brenda dhe jashtë kufijve kërkojnë që turizmi shqiptar të mos zhvillohet.
Reagimi i Koçiut:
Shpesh vizitojmë vendet fqinje dhe habitemi me cilësinë e shërbimit, fuqinë e industrisë së turizmit dhe transformimin ekonomik të tyre përmes turizmit. Turqia është njëri prej këtyre shembujve më domethënës. Ky model është sot i pranishëm në çdo vend të Mesdheut: në Mal të Zi, Kroaci apo Greqi, e në çdo vend tjetër që e ka turizmin motorin e zhvillimit ekonomik.
Disa, brenda e jashtë kufijve, kërkojnë që Shqipëria ta braktisë këtë garë pikërisht në momentin kur kemi mundësinë reale të konkurrojmë denjësisht dhe, pse jo, ta fitojmë atë.
Është një paradoks i trishtueshëm që vazhdimisht kërkojmë standarde në turizëm dhe përfitime ekonomike prej tij, por njëkohësisht mbajmë fort një mentalitet që e sheh investimin e huaj si pushtim.
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një akt abuzimi me territorin, as mungesë standardesh apo shkatërrim i ekosistemit, siç rëndom tentohet të paraqitet në debatin tonë publik, e siç fatkeqësisht ka ndodhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Përkundrazi, zhvillimi i vërtetë është aftësia për të harmonizuar natyrën me infrastrukturën moderne, për të gjeneruar mirëqenie pa kompromentuar të ardhmen. Është aftësia për të transformuar potencialin e fjetur në motorë të fuqishëm ekonomikë që i shërbejnë çdo shqiptari.
Investimi prej 4 miliardë € në Zvërnec nuk është një projekt i mbyllur apo i izoluar, por një mundësi që do të krijojë vende pune, do të rrisë ekonominë, do të përmirësojë standardet e turizmit dhe do të stimulojë investime të tjera zinxhir në të gjithë vendin. Ky është efekti shumëfishues për të cilin Shqipëria ka nevojë, në mënyrë që të dalë nga cikli i turizmit kaotik, pa strategji dhe pa plan.
Ndaj, kjo nuk është gara e një qeverie, as e një partie apo e një grupi investitorësh. Kjo është gara e Shqipërisë drejt kurorëzimit si kampione e padiskutueshme e turizmit në Mesdhe. Mbi të gjitha, kjo është një garë për të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që do të vijnë.
Komente









