Pozita e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ndryshoi vetëm falë Partisë Socialiste, tha Rama në Asamblenë e PS. Duke përsëritur se PS është e vetmja rrugë për anëtarësimin, tha se prej saj kalon “rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE”.

Rama u ndal edhe te transformimi i Tiranës dhe pritshmëritë e rritura të qytetarëve të saj.

“Shqipëria ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe ndahej nga tryezat me ndjesinë e njjë shpërfilljeje ofenduese. Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte aq larg Europës. Dikur Shqipëria ulej formalisht në tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si mizë në qyp. Sot Shqipëria negocion kushtet për t’u bërë pjesë e BE, pasi ka hapur gjithë kapitujt, ka mbyllur disa dhe ka synimin për t’i mbyllur brenda vitit të ardhshëm dhe hapjen e rrugës së anëtarësimit brenda këtij mandati që nuk është mandat i dokujtdo, por i PS. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që edhe mund të mos ta dinë, se nga çfarë humnere e nxorrëm Tiranën. Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo me atë që ishte, por me qytetet e Europës. Kjo është fitorja më e madhe, por edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar horizontin e pritshmërive dhe tani nuk na presin dot ne, por duhet të vrapojmë me pritshmëritë e tyre. Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot me fotografitë e arritjeve tona, por me rrugën ku del në mëngjes, autobusin që pret, çerdhen që e ka larg për fëmijën apo s’e ka fare, trotuarin, pallatin ku banon. Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Asambleja/ Rama-Veliajt: Je në gabim në raport me mua dhe PS, kush ndjek këtë kuturisje qorre do ta gjykojmë ashpër! S'mund të largohen nga puna ata që s'i bëjnë like 'Lalit', Tiranën e fitojmë sërish