Kryeministri i Shqipërisë, tha se Himara është si gjithë bashkitë e tjera ndërsa hodhi poshtë akuzat se shkelet konventa e të drejtave të minoriteteve, duke shtuar se sipas tij nuk ekziston një çështje “Himara” por se diçka e tillë po keqpërdoret.
Rama ripërsëriti se nuk ka asnjë dallim mes minoritetit dhe shqiptarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe se Himara është një territor shqiptar ndërsa nënvizoi se edhe historia ndër vite është dëshmitare e kësaj.
“Sigurisht nuk mund t’i shmangem debatit lidhur me minoritetin, dhe si unë dhe Dule kemi respekt për Milon por jemi të bindur se Milo ka më shumë respekt për Eqerem Çabej se veten. Për mua dhe për të gjithë, Himara është njësoj si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan mbi bazën e kritereve që të jenë funksionale dhe fakti që këtu jeton një pjesë e minoritetit grek. Nuk tregon asgjë veçse detyrimin për të repsketuar minoritetin. Po rikthehem tek Çabej i cili në 1936 punonte si inspektor në arsim dhe im atë kishte ca telashe që çuditërisht historia flet se i kishte me një Bollano. Dhe Ministria e Arsimit nis Çabejn për të inspektuar dhe ai harton një dokument. Ai shkruan: Himara në tërësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku në disa zona sundojnë disa karakteristika më shumë se në krahina të tjera. Për to flasin këngët e vajtimet e tyre që janë shqip, traditat e tyre. Ata e dinë se janë një fis me lebërit e Vlorës. Ky qështë Çabej në ‘36 dhe për t’i dhënë fund barsaletave të javëve të fundit dua t’ju sjell një fakt tjetër të kryepleqve të Himarës që i janë drejtuar Papës së Romës për ndihmë. Himariotët nënshkruajnë përfshirjen e tyre me Vlorën. Letrat origjinale janë në Vatikan. Kështu që çështja e Himarës nuk është çështje veçse nëse përdoret për tu keqpërdorur për vite të tëra dhe është ora për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të nënvizuar që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi zonat funksionale dhe që garanton integrimin urban, ekonomik dhe social dhe nga ana tjetër dua të rikthehem tek shprehja e krenarisë së ministrit Çuçi.” theksoi në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama
"Krenar që jam kryeministër, jepet e drejta vendit për të mos u përulur para askujt"
Duke vijuar më tej, Rama theksoi se është krenar që është kryeministër i Shqipërisë në një ditë të një reforme kaq të rëndësishme për vendin, duke shtuar se reforma territoriale është në respektim të të gjitha konventave evropiane dhe një shembull për të gjithë fqinjët.
“Pikërisht se kjo reformë sanksionon diçka që është përtej konventës së të drejtave të minoriteteve të vendeve që ende nuk e kanë ratifikuar. Dhe unë jam krenar që jam kryeministër në ditën që votohet kjo reformë sepse kjo është Shqipëria jonë dhe i jep të drejtën të mos përulet me nënshtrim para askujt, duke dhënë një shembull të bukur për Greqinë motër dhe për të gjithë të tjerët dhe për të pozicionuar Shqipërinë me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Nëse dikush do të na jepte një shembull të ngjashëm në të gjithë Evropën, sigurisht që ne nuk do të ndiheshim të vetëm në këtë akt fqinjësie të mirë dhe dashurie të vjetër e të re për fqinjët tanë.” nënvizoi Rama
"PD t'i japë fund bojkotit, e pritëm deri në fund"
Rama u ndal edhe tek mungesa e opozitës për gjetjen e një konsensusi për këtë reformë. Ai tha se fakti që territorialja miratohet në ditën e fundit të sesionit parlamentar vjen për shkak të pritjes së PD nga ana e mazhorancës për tu ulur së bashku në një tryezë diskutimi për këtë çështje.
Rama i bëri thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit pasi sipas tij kjo çështje po kthehet në një komedi.
Dy fjalë për opozitën që sot vijon mungesën por që dua t’ju them se nëse kjo reformë historike diskutohet sot në ditën e fundit, kjo nuk vjen se u vonuam ne, por pritëm ata. Kjo jo se vepruam me forcën e kartonit, por hezituam të ngrinim kartonin. Kjo jo se nku duam të flisnim por se opozita hezitoi të flasë. Unë nuk di se çduhet bërë më shumë me këtë opozitë, që refuzon të flasë edhe kur si asnjëherë ne shkojmë aty ku opozita diskuton, jashtë parlamentit dhe sërish asgjë. Kam një përshtypje që mendojnë se bojkoti funksionon dhe se historia mund të përsëritet, dhe kur përsëritet kthehet në komedi, dhe kjo është një komedi se opozita nuk ka kauzë. Ka mbetur akoma tek shkulja e veshit ndërkoë që ne do të donim edhe opozitën për të shkulur një sistem kanceroz të administrimit të vendit që e ka gërryer Shqipërinë në të gjithë territorin.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)