Rama: Nuk ka dakordësi me opozitën e re për Zgjedhoren! U janë bërë presione nga PD-LSI për ta votuar! S'ka 17 maj të dytë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk ka arritur që të bind opozitën parlamentare që të votojë Reformën Zgjedhore në Kuvend, teksa njëjtë si deputeti Muslim Murrizi, tha se opozita e re ka pasur presione nga PD-LSI.

"Natyrisht që jo, në fat unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare ndjehen të përjashtuar, të fyer për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, por unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht do kërkojmë aritmetikën, por në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie dhe në asnjë mënyrë nuk do përdorim dhe nuk kemi përdorur asnjëherë. E kuptoj që ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt cudibërëse në procesin demokratik, unë nuk e besoj këtë se mendoj që nuk ka sistem ndër sistemet zgjedhore më demokratik se tjetri, janë të gjithë demokratike, çdo vend për zgjedhjen e vet. Përfytyroni që këta njerëz që janë në parlament vijnë nga lista e PD-së dhe simotrës vet të vogël, nëse lista do ishte e hapur zgjedhja do ishte mes atyre që janë këtu dhe atyre që janë jashtë. Kjo reformë duhej bërë më parë, me dy shkallë, duhet të bëhej marrëveshje për Kodin, dhe pastaj për kushtet e tjera. Me këtë Kod nuk shkojmë dot në zgjedhje sepse ka nevojë për ndërhyrje, ku kryesoja është që të ndërhyjmë në Kod për të garantuar ankimimin që sot ka rënë, prandaj duhet të kemi edhe konsensus të opozitës parlamentare. Kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është ajo që ne do të donim, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën jo parlamentare që ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi t'i themi bëje si të duash ti. Ishte surprizë kur tha që më e mira është kjo që kemi, se pastaj pse u bë e gjitha kjo dhe ky zinxhir cudirash, bëmash, krisjesh, kjo është histori tjetër. Ne duam që në atë marrëveshje ne jemi palë, që nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar. Kuptohet që ne gjendemi midis dy zjarreve se kemi këtë marrëveshje dhe votimin në parlament, që kërkon më shumë se votat që ne i disponojmë. Zgjodha Bashën, jo opozitën, se jemi në këto kushte, kemi opozitën jashtë parlamentit që s'ka asnjë faktor dhe kemi një opozitë tjetër brenda. Nuk jam diktatori që imponohet për më tepër kur bëhet fjalë për gjëra që janë të lidhura me rregullat e lojës. Ne patjetër që mund të bënin një marrëveshje në parlament, më e mirë se ajo që kemi bërë me Bashën, se depolitizimi do na pëlqente edhe ne. Do ishte më e lehtë sot edhe me këta që janë këtu nëse do kishim depolitizimin se kanë të drejtë kur thonë se sistemi i komisioneve dhe partiak nuk i garanton aq sa duhet forcat e vogla. Basha unë i them bëj si të duash, ndërsa po ti them të njëjtën gjë i bie të kemi dy Kode të ndryshme ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin. Po t'u thoni këtyre që ngrini kartonin për të vrarë vetes, është ndoshta "shumë". S'ka 17 maj të dytë", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

2 orë takim s'bindin opozitën e re për 'Zgjedhoren'/ Rama: Bashës i thashë 'bëje si të duash', Murrizit s'i them dot! Të bashkojmë forcat për të gjetur zgjidhje


B.K./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund