TIRANË- Në rreth dy orë takim,  kryeministri Edi Rama nuk ka mundur që të bind opozitën e re që të votojë në Kuvend marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, me këta të fundit që nuk heqin dorë nga 2 kushtet e tyre, ndryshimi i sistemit dhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Duke thënë se i mirëkupton kërkesat e tyre, madje se do kishte dashur shumë që marrëveshjen për 'Zgjedhoren' ta bënte me ta dhe jo me PD-LSI, kreu i qeverisë theksoi se "negociatat" do të vijojnë me takime të tjera. Rama foli edhe për presione që po i bëhen nga PD-LSI, opozitës në parlament.

"Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, por unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht do kërkojmë aritmetikën, por në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie dhe në asnjë mënyrë nuk do përdorim dhe nuk kemi përdorur asnjëherë", tha Rama në përfundim të mbledhjes. Pyetur nga gazetarët, se si ia doli që të binte kryedemokratin Lulzim Basha dhe jo opozitën e re, kryeministri u përgjigj me ironi.

"Basha unë i thashë "bëj si të duash", ndërsa po t'i them të njëjtën gjë edhe Murrizit i bie të kemi dy Kode të ndryshme, ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin", shtoi Rama. Ai hodhi sërish topin në fushën e Bashës, duke e ftuar që të bashkojnë forcat që Reforma Zgjedhore të marrë votat e duhura në parlament. "Mbase do ishte e udhës që Lulzim Basha të futej në këtë proces dhe të bënte një komunikim me ata që i ka sjellë ai në parlament se në fund të ditës nuk është si të thuash mëkat, dhe të bashkojmë forcat për t'i dhënë një zgjidhje një situate që nuk është e lehtë", tha Rama.

Faktin që opozita e re kanë pasur presione nga PD-LSI, e la të nënkuptuar edhe kreu i grupit demokrat parlamentar, Myslim Murrizi. "Nuk zgjati aq shumë se ne nuk jemi deputet apo pjesë ne tavolinë që mund të gënjeni, ta harroj Rama që mund të kalohet një sistem Zgjedhor me vota të trafikuara, nuk tërhiqemi nga kërkesat tona dhe do t'i institucionalizojë. Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë", tha Murrizi. 

Ai shtoi se opozita e re nuk do ta votojë në parlament reformën, teksa tha se do radikalizohet aksioni i tyre, përveç braktisjes së Komisineve që e thanë në mëngjes, por pa dhënë më shumë detaje. "Nuk zgjati aq shumë se ne nuk jemi deputet apo pjesë ne tavolinë që mund të gënjeni, ta harroj Rama që mund të kalohet një sistem Zgjedhor me vota të trafikuara, nuk tërhiqemi nga kërkesat tona dhe do t'i institucionalizojë. Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë. Kanë gatuar gjellë qensh prej 30 vjetësh, do të ketë radikalizim", shtoi Murrizi.

Nga ana tjetër, në mbështetje të tyre është edhe Rudina Hajdari, edhe pse ajo ka hedhur firmën në marrëveshjen për Zgjedhoren. Për deputeten, ajo marrëveshje ishte për të rifutur opozitën jashtëparlamentare në sistem, por zotohet se nuk do të heqë dorë derisa në hapjen e listave"Zotohem që do luftoj deri në fund për listat e hapura", tha Hajdari.

Ky ishte takimi i dytë, brenda ditës për opozitën e re, lidhur me Reformën Zgjedhore. Edhe takimi që patën me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi për më se 1 orë në mëngjes, nuk mjaftoi për të siguruar votat e tyre në Kuvend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:31
Hajdari: E di raportin e ngushtë Rama-Basha, por zotohem që do i shkoj deri në fund ndryshimit të sistemit (VIDEO)

Deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka deklaruar se do të zotohet deri në fund për të realizuar kërkesat e opozitës së re për ndryshim sistemi dhe lista të hapura.

"Është e pamundur, Rama e di fare mirë dhe ka filluar ta kuptojë, e di marrëdhënien e ngushtë që ka me Bashën, por kjo nuk është çështje e shqiptarëve. Rama duhet të reflektojë dhe të shikojë kërkesat e opozitës parlamentare, marrëveshja ishte gjë tjetër, riktheu opozitën në sistem. Për 30 vite, bëjmë pothuajse të njëjtat gjëra, bojkotojmë, bojkotojmë. Duam që të mos na vijë një Ramë tjetër. Ka ardhur koha për ta bërë këtë ndryshim, do e gjejmë dakordësinë, marrëveshja është diçka tjetër. Zotohem që do luftoj deri në fund për këtë gjë", tha Hajdari.

Ora 21:21
Rama: Nuk ka dakordësi me opozitën e re për Zgjedhoren! U janë bërë presione nga PD-LSI për ta votuar! S'ka 17 maj të dytë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk ka arritur që të bind opozitën parlamentare që të votojë Reformën Zgjedhore në Kuvend, teksa njëjtë si deputeti Muslim Murrizi, tha se opozita e re ka pasur presione nga PD-LSI.

"Natyrisht që jo, në fat unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare ndjehen të përjashtuar, të fyer për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, por unë i sigurova që nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht do kërkojmë aritmetikën, por në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie dhe në asnjë mënyrë nuk do përdorim dhe nuk kemi përdorur asnjëherë. E kuptoj që ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt cudibërëse në procesin demokratik, unë nuk e besoj këtë se mendoj që nuk ka sistem ndër sistemet zgjedhore më demokratik se tjetri, janë të gjithë demokratike, çdo vend për zgjedhjen e vet. Përfytyroni që këta njerëz që janë në parlament vijnë nga lista e PD-së dhe simotrës vet të vogël, nëse lista do ishte e hapur zgjedhja do ishte mes atyre që janë këtu dhe atyre që janë jashtë. Kjo reformë duhej bërë më parë, me dy shkallë, duhet të bëhej marrëveshje për Kodin, dhe pastaj për kushtet e tjera. Me këtë Kod nuk shkojmë dot në zgjedhje sepse ka nevojë për ndërhyrje, ku kryesoja është që të ndërhyjmë në Kod për të garantuar ankimimin që sot ka rënë, prandaj duhet të kemi edhe konsensus të opozitës parlamentare. Kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është ajo që ne do të donim, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën jo parlamentare që ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi t'i themi bëje si të duash ti. Ishte surprizë kur tha që më e mira është kjo që kemi, se pastaj pse u bë e gjitha kjo dhe ky zinxhir cudirash, bëmash, krisjesh, kjo është histori tjetër. Ne duam që në atë marrëveshje ne jemi palë, që nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar. Kuptohet që ne gjendemi midis dy zjarreve se kemi këtë marrëveshje dhe votimin në parlament, që kërkon më shumë se votat që ne i disponojmë. Zgjodha Bashën, jo opozitën, se jemi në këto kushte, kemi opozitën jashtë parlamentit që s'ka asnjë faktor dhe kemi një opozitë tjetër brenda. Nuk jam diktatori që imponohet për më tepër kur bëhet fjalë për gjëra që janë të lidhura me rregullat e lojës. Ne patjetër që mund të bënin një marrëveshje në parlament, më e mirë se ajo që kemi bërë me Bashën, se depolitizimi do na pëlqente edhe ne. Do ishte më e lehtë sot edhe me këta që janë këtu nëse do kishim depolitizimin se kanë të drejtë kur thonë se sistemi i komisioneve dhe partiak nuk i garanton aq sa duhet forcat e vogla. Basha unë i them bëj si të duash, ndërsa po ti them të njëjtën gjë i bie të kemi dy Kode të ndryshme ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin. Po t'u thoni këtyre që ngrini kartonin për të vrarë vetes, është ndoshta "shumë". S'ka 17 maj të dytë", tha Rama. 

Ora 21:08
Murrizi: Ka tentativa nga opozita jashtë për trafikim të votave për 'Zgjedhoren', s'heqim dorë nga kushtet (VIDEO)

Kreu i grupit demokrat në parlament, Muslim Murrizi në përfundim të mbledhjes me kryeministrin Edi Rama tha se opozita e re nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj. Ndërkohë, Murrizi ka lënë të nënkuptuar se ka pasur përpjekje nga ana e opozitës jashtë parlamentare për të "trafikuar votat", siç ai i i quan për Reformën Zgjedhore.

"Nuk zgjati aq shumë se ne nuk jemi deputet apo pjesë ne tavolinë që mund të gënjeni, ta harroj Rama që mund të kalohet një sistem Zgjedhor me vota të trafikuara, nuk tërhiqemi nga kërkesat tona dhe do t'i institucionalizojë. Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë. Kanë gatuar gjellë qensh prej 30 vjetësh, do të ketë radikalizim. Ne ikëm që Rama të vinte brenda 48 orësh dhe e bëri. Ne në Komision do vendosim kushte dhe sanksione në interes të shqiptarëve. Nuk ka fazë të dytë dhe as fazë të tretë. Javën tjetër qe do të mblidhet komisioni ne do të kemi propozime konkrete për ndryshimin e sistemit. Keni merakun që luajmë për veten tonë, pyesni Ramën, Lulin dhe Monën. Ne nuk hamë me lugë të papastruar nga cila do gjelle", tha Murrizi.

Ora 20:49
Përfundon takimi/ Rama mbledhje rreth 2 orë me opozitën e re për 'Zgjedhoren'

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me përfaqësuesit e opozitës së re për Reformën Zgjedhore.  

Ora 19:03
Reforma Zgjedhore/ Hajdari me 'gjuhën e ndërkombëtarëve': Topi është tek kryeministri Rama! Po shantazhohen deputetët (VIDEO)

Deputetja e Opozitës së Re dhe anëtarja e Këshillit Politik Rudina Hajdari në një prononcim për mediat është shprehur me gjuhën e ndërkombëtarëve se topi është në doren e kryeministri Edi Rama tashmë për Reformën Zgjedhore. Ajo ka shtuar se ky është shanci për PS-në që të mbajë premtimin duke ndryshuar sistemin zgjedhor e jo duke  shantazhuar deputetë për të votuar  Reformën Zgjedhore.

"PS ka premtuar se pas marrëveshjes do të ishte gati të bashkëpunonte për të folur mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kemi ardhur këtu sepse bëmë një kërkesë për sa i përket ndryshimit të sistemit. Ajo marrëveshje ishte për të ndihmuar shokun e zotit Edi Rama, Lulzim Bashën për tu rikthyer në sistem dhe erdhi ne e bëmë detyrën tonë. Ia dhamë këtë mundësi Bashës për të ardhur për tu ribashshkuar dhe për tu rifutur në sistem. Por ne kemi kërkesat tona sepse e kemi thënë se ndryshimi i sistemit është e vetmja rrugë për t'i dhënë shanc shqiptarëve për të votuar jo vetëm për sigla partie por edhe kandidatë të cilët e meritojnë për tu futur në parlament. Pa hapjen e listave nuk kemi asgjë në rregull. Sot kemi ardhur të shikojmë nëse Edi Rama e ka të vërtetë këtë gjë apo jo apo do ta marrë edhe ai topin e do ta fshehë e nuk do ta japi premtimin që ka dhënë. Ne e mbyllëm detyrën tonë e nënshkruam atë marrëveshje, tani topi është në dorën e Edi ramës për të thënë do ta bëjmë ndryshimin e sistemit apo jo. Nuk mund të votojmë një reformë zgjedhor me vota të blera, sepse rikthimi i partive të ngelura jashtë është konfirmim që nuk do të kemi më as kriza dhe as mundësi për të bojkotuar zgjedhjet. Ky është shanci për PS që të mbajë premtimin e të ecim përpara duke ndryshuar sistemin zgjedhor e jo duke marrë deputetë e shantazhuar deputetë për të votuar atë Reformë. Ka thënë sedo e shikojë çështjen e ndryshimit të sistemit pas marrëveshjes", është shprehur Hajdari.