Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se ato kanë një plan të qartë për të parandaluar emigracionin.

Duke ju përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili tha nga Vlora se ai nuk ka një shkop magjik për të ndaluar ikjen e qytetarëve, Basha shkruan se PD ka një plan pune dhe se do të mbështesë financiarisht çdo të ri shqiptar që kthehet të punojë e të jetojë në Shqipëri.

‘Edi, ti thua se ti nuk ke mënyrë si ta ndalësh emigrimin. Jam në një mendje me ty, ti nuk ke si ta ndalësh. Për 8 vjet me radhë ti jo vetëm ke dështuar në parandalimin e emigracionit, por prej keqqeverisjes tënde ai mbërriti rekorde prej qindra e mijëra shqiptarësh që braktisin vendin.

Po ne e kemi një mënyrë. Ne kemi një plan pune: taksa më të ulëta, thithje të investimeve te huaja, mbështetje financiare për çdo të ri shqiptar që kthehet të punojë e të jetojë në Shqipëri, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbështetje e stimulim te sipërmarrjeve të të rinjve.

Më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin një qeverisje që do ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe do të na kthejë të rinjtë në atdhe. Shqipëria do të fitojë!’- shkruan Basha.

Kreu i qeverisë Edi Rama tha nga Vlora ditën e sotme se jetojmë në një fazë historike ku trendi i largimi të njerëzve nga vendi, është negativ, në sensin që më shumë ikin se vijnë.