Rama: Nuk rishikojmë kontratat koncesionare të inceneratorëve! Tabaku: Ose je i paaftë ose i korruptuar! Të ndërpriten pagesat sa më shpejt

TIRANË- Kontratat koncesionave për inceneratorët nuk do të anulohen, deri sa gjykata të japë një vendim përfundimtar për zyrtarë e ish-zyrtarë që janë arrestuar dhe po përballen me akuzat. Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili sqaroi se kjo nuk do të ndodhë sepse do të ishte një shkelje e ligjit.

"Shteti, nuk vepron si gazetë, as nuk vepron dot në bazë të reagimit në dukje krejt të natyrshëm individual, se si individ, jashtë barrës së kësaj zyre, mendoj si ju, por ligjërisht, kjo nuk bëhet dot, sepse kemi të bëjmë me një proces që vazhdon, nuk kemi të bëjmë me një dënim përfundimtar, nëse ne bëjmë këtë, ne shkelim ligjin, sa herë duhet ta përsërisim këtë", tha Rama në konferencën ku doli për të prezantuar përgjigjet e formularit të Këshillimit Kombëtar.

Për deputeten demokrate, Jorida Tabaku, kjo deklaratë e kreut të qeverisë tregon se ose "ose është i korruptuar" ose është i paaftë", pasi pas saj, kjo mbrojtje që po i bën 3 personave në kërkim, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto nuk mund të shpjegohet ndryshe. Demokratja, që këtë betejë e ka shndërruar në një "luftë" personale, më tepër se një kauzë e opozitës, këmbëngul që pagesat për inceneratorët duhen ndërprerë sa më shpejt.

"Ose është i korruptuar ose i paaftë; përndryshe nuk shpjegohet mbrojtja politike që i bën 3 personave në kërkim. Megjithëse një ministër i tij u arrestua dhe më tej një tjetër deputet i vendosur po prej tij u arrestua për aferën e inceneratorëve, Ndonëse komisioni hetimor provoi në sy të shqiptarëve lidhjet okulte të anëtarëve të qeverisë dhe gjithashtu procedurat korruptive që ka ndjekur Grupi Strukturuar Kriminal në lidhje me inceneratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë, Rama thotë do ti vazhdoj pagesat!

Me gjithë këto prova të qarta në dritën për diell kryeministri vazhdon të sillet si i paditur duke përdorur alibi qesharake për të paguar ende me taksat e shqiptarëve vjedhjen e shekullit prej 430 mln eurove. Ai vazhdon të refuzojë ndërprerjen e pagesave megjithëse asnjë gjykatë në botë nuk do të ndëshkonte vendin tonë në një rast si i inceneratorëve. Por ai Arbitrazhin e përdor sot si alibi për të frikësuar qytetarët dhe për të vazhduar pagesat në kurriz të tyre. Një qeveri që mendon për njerëzit në këtë kohë krize për më tepër, duhet t’i kishte ndërprerë të gjitha pagesat për një kontratë korruptive. Vetëm një qeveri e paaftë apo një qeveri tejet e korruptuar këmbëngul në alibi të tilla si kjo që dëgjojmë nga Rama.

Për këdo është e qartë. Komisioni Hetimor për Inceneratorët e shpjegoi për çdo qytetar se vjedhja e shekullit është lidhur ngushtë me emrat e Ramës, Ahmetaj, Veliaj, Gjiknuri, Agaçi, Subashi, Bllako, Koka, Sejdini dhe vartësve të tyre. SPAK duhet të veprojë pasi edhe këto pak alibi që kanë mbetur duhet të rrëzohen. Shqiptarët duhet të shohin qartazi fytyrën e vërtetë të qeverisë. Nga 13 dhjetori i vitit të shkuar deri më tani janë paguar 2 mln euro për incneratorin e Tiranës dhe Fierit", tha Tabaku.

Për aferën e inceneratorëve, SPAK ka lëshuar 14 urdhër janë në burg ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, deputet i PS-së, Alqi Bllako, dhe për 12 zyrtarë të tjerë, ndërkohë që vijojnë të jenë në kërkim, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!