Nga Forumi i Paqes në Paris, ku foli për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe të ardhmen e brezit të ri, kryeministri Edi Rama tha se në fund të vitit të ardhshëm me mbylljen e negociatave, Shqipëria do të jetë gati për hapin e fundit të integrimit. Por ai theksoi se kjo do të varet edhe nga vetë zhvillimit brenda BE-së duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.

"Keni zgjedhje vitin e ardhshëm me aq sa ta kuptoj. Askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Kështu që e dini, kështu është. Megjithatë ajo çfarë dimë është që duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të përfundojmë punën që po bëjmë", tha Rama.

Kreu i qeverisë kishte përgjigje edhe ndaj pyetjeve mbi protestat në Shqipëri. Si fillim shpjegoi se manifestimet e qershorit u nxitën nga zemërimi mbi projektin e lidhur me dhëndrin e Trump. 

"Pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës e që shprehnin shqetësime, të cilat erdhën për rrjedhojë të projektit të famshëm ose famëkeq quajeni në të doni, që lidhet me Jared Kushner, pra dhëndrit të Donald Trump dhe ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq nxiti këtë zemërimin po të themi të demit, në thonjëza, në qytetin tonë", shtoi Rama.

Por më pas tha Rama, situata u bë më komplekse ashtu sikurse në mbarë Europën. Protestat në Tiranë u ndërthurën më ndikime të tjera nga Irani, Antifa e partitë opozitare të cilat fshihen pas të rinjve të radikalizuar.  

"Ka një mori gjërash që janë njësoj si një tenxhere ku zien gjithçka nga shqetësimi i përgjithshëm për mjedisin, te gjepura antisemite të ushqyera apo të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, konkretisht Republika Khomeiniste e Iranit a gjithashtu edhe partitë të opozitës të mëdha apo të vogla, së fundi nuk fshihen dhe aq pas fëmijëve apo të rinjve të radikalizuar me këto iluzionet e Antifas e më tej nga njerëz të cilët kanë shqetësimet e tyre, shqetësime legjitime për koston e jetesës deri te njerëz që janë sjellë e paguar nga krimi i organizuar", theksoi kreu i qeverisë.

Në forumin e paqes së Parsit, Rama u pyet edhe për kontributin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon, kryesisht në raportet Serbi-Kosovë. Kryeministri deklaroi se Kosova është një shtet i pavarur dhe se serbët duhet ta pranojnë këtë fakt.

"Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon", tha Rama.

Pas fjalimit në forum, kryeministri dhe bashkëshortja e tij u pritën nga presidenti francez, Macron në darkën e organizuar në Pallatin Elysee.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:41
Rama në Forumin e Paqes në Paris, momenti kur kryeministri me bashkëshorten priten nga presidenti Macron në 'Pallatin Élysée' (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris. Pas fjalimit të tij ku foli për zgjerimin e Bashkimit Europian, protestat në Shqipëri dhe emigracionin, kreu i qeverisë u drejtua Pallatit Élysée, për darkën e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron.

Nga pamjet që ka postuar në rrjetet sociale shihet se kryeministri nën shoqërimin e bashkëshortes Linda Rama priten nga Macron dhe gruaja e tij Briggite Macron. Pas përshëndetjeve miqësore ata bënë edhe fotove në hyrje të ndërtesës.

“Palais de l’Élysée – Në mbrëmjen e pritjes së organizuar nga Presidenti Emmanuel Macron”, shkruan kryeministri krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.

Ora 18:57
‘Diella është përmirësuar dita-ditës’- Rama nga Parisi: Inteligjenca Artificiale për Shqipërinë është një bekim (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Inteligjenca Artificiale për Shqipërinë është një bekim.

Rama përmendi rastin e ministres Diella, e cila është e para anëtare e një kabineti qeveritar e krijuar me inteligjencë artificiale, duke thënë se ajo po përmirësohet çdo ditë.

“Kemi ministren e parë të Inteligjencës Artificiale. Jemi shumë të kënaqur me të. Po përmirësohet dita ditës. E transformuam procesin e vjetër të transfozimit të legjislacionit europian shumë shpejtë përmes inteligjencës artificiale. Po punojmë për një proces prokurimesh publike që kryhet plotësisht përmes inteligjencës artificiale. AI është bekim për vende si i yni që vijnë nga shumë pas dhe për të cilat AI i ndihmon të bëjnë gjëra që ndryshe s’do të mund t’i bënin dot. Kemi krijuar atë që do të jetë pasqyra dixhitale që transformon marrëdhëniet mes qytetarëve e institucioneve. Për ne është bekim, ndërsa për Gjermaninë nuk është”, tha kryeministri Rama.

Ora 18:49
Shteti Bektashi/ Rama nga Parisi: Po punojmë për krijimin e tij, le të shohim ku do të mbërrijmë! (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha nga Parisi se po vijon puna për krijimin e Shtetit Bektashi në Shqipëri, teksa u pyet gjatë një konference për mediat.

“Po punojmë për Shtetin Bektashi dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë”, tha kryeministri Rama.

Ora 18:42
Rama nga Parisi: Kosova e pavarur, s’ka kthim pas! Serbët ta njohin këtë fakt dhe të ç’lirohen nga fantazma që i përndjek (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha nga Parisi, ku mori pjesë në Forumin e Paqes, se Kosova është një shtet i pavarur dhe sipas tij, nuk ka asnjë mënyrë për të ‘rikthyer një fantazi të re serbe’.

Sipas Ramës, sa më shpejtë që edhe serbët ta pranojnë paravarësinë e Kosovës, aq më mirë do të jetë edhe për ta, ‘sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht përsa i takon marrëdhënieve në rajon’.

“Shqipëria ka qenë vend paqedashës. Ka disa gjëra për të cilat nuk mund të zgjedhësh. S’mund të zgjedhësh dot kushërinjtë e fqinjët. Më mirë të shkosh mirë me fqinjin, se pastaj gjen belanë. Sa i takon çështjes për Serbinë e Kosovën mbetet një pikëpyetje. Kosova është një shtet i pavarur, s’ka më kthim pas, s’ka asnjë mënyrë për ta rikthyer një fantazi të re serbe. Sa më shpejtë që serbët ta njohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht përsa i takon marrëdhënieve në rajon”, tha kryeministri Rama.

Ora 18:39
'Nuk mund të marrësh patentën pa ditur makinën', Rama nga Parisi për anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në BE: Procesi duhet të bazohet te meritat (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama, nga Forumi i Paqes në Paris, tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk duhet të bëhet me rrugë të shkurtra apo duke kapërcyer etapat, por duhet të bazohet te meritat e çdo vendi. Duke folur për mundësinë e një anëtarësimi të përshpejtuar të Ukrainës, Rama theksoi se këtij vendi duhet t’i njihen meritat për luftën që po bën, por se procesi i integrimit është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi ndihmon vende si Shqipëria të ndërtojnë dhe forcojnë institucionet e tyre.

Deklarata e  Ramës:

“Unë besoj që Ukrainës duhet t’i njihen meritat, sepse po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Europën. Unë besoj se në paketën e re të zgjerimit ka qartësi rreth katër vendeve që konsiderohen se janë në pararojë, që janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.

Procesi i anëtarësimit është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë. Ne nuk jemi Franca, por një vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët. Jemi me një traditë shumë të vogël të shtetit, institucioneve që mbajnë vendin, ndaj BE është bekim, sepse na jep instrumentet për të ndërtuar shtetin tonë.

Besoj se procesi është i gjatë, por i nevojshëm. Askush nuk duhet ta tejkalojë shansin, sepse është njësoj si të marrësh patentën pa ditur si t’i japësh makinës. Procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë. Çdo vend duhet të bëjë detyrat e shtëpisë e të ulet rreth tryezës. Nëse do të marrësh më shumë nga tryeza, duhet të bësh më shumë. Kjo është mënyra e ndryshimit të paradigmës së proceseve që nuk mbarojnë kurrë.”

Ora 18:35
‘Kemi qenë Koreja e Veriut e Europës’- Rama nga Parisi: Shqipëria s’ka rrugë tjetër, veç anëtarësimit në BE, nuk e shohim Unionin si bankomat (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha nga Parisi se Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër veç anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Shqiptarët janë shumë të veçantë lidhur me integrimin, sepse ndryshe nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor ne kemi një histori ndryshe. Ne nuk ishim pjesë e ish-Jugosllavisë apo e Bllokut Lindor. Ne u ndamë me bllokun Lindor që në 1960-ën, pastaj u lidhëm me Kinën e Maos dhe më pas ishim Koreja e Veriut e Europës. Më pas kur dolëm nga ky ferr, dolën të transformuar në talebanë perëndimorë, ose në fanatikë të perëndimit. Për ne BE nuk është një bankomat, por një hapësirë lirie, paqeje e bashkëpunimi. Pavarësisht konflikteve të brendshme, të gjithë bien dakord që Europa është destinacioni ynë i përbashkët. Ne s’kemi asnjë alternativë tjetër dhe nuk e kërkojmë një të tillë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:24
Rama nga Forumi i Paqes në Paris: Shqipëria synon të mbyllë negociatat me BE-në në fund të 2027, por vendimtare janë edhe zhvillimet në Europë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit në Forumin e Paqes në Paris, foli për emigracionin, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa për integrimin në BE theksoi se synimi është mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027, nëse gjithçka shkon mirë.

Duke folur për emigracionin, kryeministri tha se nuk e sheh si një prirje në rritje, por si pjesë të një rrugëtimi që lidhet me zhvillimin e vendit dhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.

“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta. Nuk jemi vendi i 10 viteve më parë, por jemi krejt ndryshe. Dhjetë vjet më parë nuk do të shfaqeshim në shtypin francez, por sot jemi aty për plazhet, mikpritjen, pra është një vend ndryshe”, tha Rama.

Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama u shpreh se nuk mund të japë premtime për një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria.

“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t'i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se procesi do të varet edhe nga zhvillimet brenda vetë Bashkimit Europian, duke përmendur zgjedhjet e ardhshme në Francë.

“Kjo do të varet se ku do të jetë BE për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç'lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te demokracia, duke theksuar se përmirësimi i saj është një proces i vazhdueshëm.

“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe ta përsosim. Kemi shumë punë për të bërë. Edhe Franca nuk e ka përfunduar këtë punë. Është një punë që nuk mbaron kurrë”, u shpreh ai.

Ora 18:23
‘Nga Irani, te ANTIFA e partitë e opozitës’- Rama nga Parisi: Protestat në Tiranë janë tejet komplekse, si një tenxhere ku zjen gjithçka! (VIDEO)

 

Duke folur nga Parisi për protestat në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në tubimet që po zhvillohen në kryeqytet, duke nisur nga ndikimi i Iranit, ANTIFA, grupet kriminale, partitë e opozitës, etj.

“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar. Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri përmes masave të mara do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:14
Rama pyetet në Paris për protestat në Shqipëri: Projekti i Kushner ishte si flamuri i kuq për demin! Dhuna nuk ka lidhje me protestën e parë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë Forumit të Paqes në Paris, foli për protestat e zhvilluara në fillim të qershorit, duke thënë se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte ai që nxiti zemërimin e qytetarëve.

I pyetur se çfarë kanë të përbashkët protestat në Shqipëri me ato në Itali dhe Francë, Rama tha se duhet bërë një dallim mes protestave të para, ku morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe atyre që pasuan, të cilat sipas tij u përshkallëzuan në dhunë.

“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se protestat duhen parë edhe në kontekstin e një situate më të gjerë në Europë, ku sipas tij rrjetet sociale ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë informohen dhe përfshihen në protesta.

“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si një përplasje mes botës reale dhe medias sociale, ku shumë të rinj marrin informacionin apo keqinformimin, apo të dyja, si dhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, tha Rama.