Praktikisht, sot, jemi në kushtet që konstatojmë një rënie drastike të ndërtimeve pa leje, të ndërhyrjeve të paligjshme në hapësirën publike dhe në kushtet kur po shkon përpara një operacion i INUK-ut, i cili do të shtrihet në gjithë territorin, hap pas hapi, për të bërë shkuljen e gjithë çibanëve që kanë mbirë në rrugë dhe në trotuare, në mes të lagjeve, në hyrje të pallateve dhe që u kanë nxirë jetën për vite të tëra, qytetarëve të urtë dhe familjeve të këtij vendi.
Sot, ne kemi përfunduar planin operacional mes një sërë institucionesh, që do të udhëhiqet nga njëra anë, Kompania e Shpërndarjes dhe ana tjetër, Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit do të përfshihet e tëra. Ky është një operacion ku pa as më të voglin dyshim do të duhet që çdo vjedhës i energjisë të përballet drejtpërdrejt me ligjin dhe për çdo vjedhje të energjisë të ketë ndëshkim si për çdo hajdut tjetër. Energjia jo vetëm nuk është një mall që mund të mos paguhet, por është një mall që po kushton gjithmonë e më shtrenjtë. E, mbi të gjitha rëndon familjet që jetojnë brenda kuadrit të të gjithë normave dhe rregullave të bashkëjetesës dhe mbi gjithë ata që e paguajnë. Një histori e gjatë, e turpshme, e dhimbshme, dërrmuese për çdo shqiptar që është në rregull me ligjin, ku kush paguan duhet të paguajë edhe për ata që s’paguajnë dhe kush s’paguan, po vjedh energjinë elektrike, mund të vazhdojë ta vjedhë, sepse ka të tjerë që e paguajnë. Të tjerët që e paguajnë nuk janë vetëm ata që fusin dorën në xhep si qytetarë, por janë edhe të gjithë ata që kontribuojnë që ky shtet të mund të marrë kredi për sektorin energjetik.
Më lejoni t’ju jap një shembull, sepse është dita, - ka kohë që ka kaluar, - po pse është dita e një operacioni me një rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike, me një rëndësi të jashtëzakonshme sociale, me një rëndësi të jashtëzakonshme për qëndrueshmërinë e këtij vendi dhe për planet tona për të ardhmen dhe pse është dita e një operacioni që do të çlirojë shumë nga projektet e pamundura sot, pasi janë rreth 150 milionë euro që çdo vit vidhen, humbasin, shpërdorohen;
Janë 80 deri në 100 kilometra rrugë që në vend se të ndërtohen vit pas viti, mbeten të pandërtuara, sepse ato para i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike;
Janë 150 shkolla të reja. Përfytyroni, 150 shkolla të reja, që mund të ndërtohen me paratë që vjedhin hajdutët e energjisë elektrike;
Janë 6 spitale të reja, moderne, rajonale të standardeve europiane që mund të ndërtohen me paratë që vjedhin hajdutët e energjisë elektrike;
Janë të gjitha paratë që ky shtet paguan për gjithë familjet në nevojë për ndihmën ekonomike që i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike. Pra, me ato para mund të paguajmë të gjithë ndihmën ekonomike;
Janë aq sa dhjetëfishi i mbështetjes që ky shtet i jep fermerëve, për të punuar tokën, për të nxjerrë prodhime, për të eksportuar, për të mbajtur familjen, që i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike;
Janë sa kontributi përmes tatim-fitimit i të gjithë sipërmarrjeve shqiptare, që vidhen nga hajdutët e energjisë elektrike;
Janë aq sa fondi i investimeve publike me financim të brendshëm të këtij shteti, paratë që vjedhin hajdutët e energjisë elektrike.
Për këtë arsye, hajdutët e energjisë elektrike janë armik i përbashkët i popullit shqiptar, janë armik i përbashkët i Shqipërisë sot, janë armik i përbashkët i të ardhmes së të gjithë fëmijëve tanë.
Mjaft më, me historinë që pensionistët duhet të paguajnë edhe për hajdutët e energjisë elektrike! Mjaft më, me historinë që e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të mbahet peng nga hajdutët e energjisë elektrike!
Mjaft më me historinë që familjet që respektojnë ligjin dhe që jetojnë me të ardhura nga puna e tyre e ndershme, duhet të paguajnë edhe për hajdutët e energjisë elektrike.
Për këtë arsye, ne do të jemi në një luftë që nuk është parë asnjëherë deri më sot, me çdo hajdut të energjisë elektrike dhe me çdo gjykatës që do të guxojë të trajtojë hajdutët e energjisë elektrike si kalimtarë përpara trupit gjykues dhe do të mjaftohet me gjobat qesharake 2 mijë lekë të vjetra e 3 mijë lekë të vjetra, për hajdutë që së bashku i vjedhin këtij populli, çdo vit, 150 milionë euro. Do ta fillojmë nga ata që janë problemi kryesor, nga ata që kanë fabrika, kanë biznese të mëdha dhe që paguajë sa një sahat familjar. Nuk do t’u ndahemi. Kanë 5 ditë kohë. 5 ditë kohë, që të rikthehen në binarët e ligjit.
5 ditë kohë përpara sesa trupat e policisë të lëshohen në territor njësoj siç u lëshuan në Lazarat dhe nuk do të kthehen nga beteja deri kur të kenë kapur, të kenë arrestuar, të kenë çuar përpara gjyqit hajdutin e fundit të energjisë elektrike, të kësaj kategorie, në radhë të pare; Të lokaleve që punojnë ditë-natë dhe paguajnë sa një familje. Është e pamundur kjo histori. Sepse, nuk e paguan gjithë këtë borxh dikush tjetër për ne, e paguani të gjithë ju, e paguajnë të gjithë ata që, njësoj si ju, që nuk e vjedhin energjinë elektrike.
E, përpara se të flasim për rritje të çmimit të energjisë elektrike, në radhë të parë, duhet të garantojmë barazinë në marrjen e përgjegjësisë individuale, secili sipas shpatullave të veta. Jo, mamaja ime të paguajë më shumë energji elektrike sesa paguan një biznes. Jo nënat tuaja të paguajnë më shumë energji elektrike sesa paguajnë shumë e shumë konsumatorë. Kjo është padrejtësi. Ne do të luftojmë më këtë padrejtësi.
Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike. Le të hidhen përpjetë ata që e predikojnë këtë gjë, sa të duan. Ne do të heqim fashën mbrojtëse, pas së cilës fshihen hajdutët e energjisë elektrike. Do të marrim përsipër ne, gjithçka që nga heqja e kësaj fashe do të shkojë në xhepin e çdo të pamunduri, e çdo pensionisti në radhë të parë. Por, ama, këtë do ta bëjmë pasi t’i kemi treguar kujtdo që kjo bëhet, sepse hajdutët nuk do të vazhdojnë të vjedhin. Hajdutët nuk mund të vazhdojnë të vjedhin energjinë elektrike. Nëse kush shkon në një lokal dhe nuk i shkon mendja se mund të marrë 1 shishe ujë e mund të iki pa paguar, si qenka kjo që këtu mund të vidhen 150 milionë euro rregullisht, pa pikën e gajles. Kush paguan për këtë?!
Duke e mbyllur, pasi operacioni do të lançohet publikisht pas pak ditësh, me të gjitha detajet dhe ndërkohë, këto ditë, u japim kohë të gjithë atyre që kujtojnë se kështu e ka Shqipëria, që të kuptojnë që nuk e ka kështu Shqipëria dhe të kthehen në binarët e ligjit, si mamaja ime dhe si të gjithë nënat tuaja.
Një gjë ta kenë të qartë të gjithë gjykatësit që vazhdojnë lëshojnë pa asnjë të drejtë ata që kapen në flagrancë për ndërtime pa leje apo që trajtojnë hajdutët e energjisë elektrike si kalimtarë, të cilëve madje u kemi rënë në qafë, ose marrin përsipër bëjnë edhe sigurime padie, detyrojnë Kompaninë e Shpërndarjes të rilidhë energjinë për hajdutët, deri sa ata të vendosin nëse hajdutët janë hajdutë apo s’janë hajdutë, dhe jo kompania që shkon dhe pret lidhjen e paligjshme, që; do t’i trajtojmë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike dhe nuk do t’u ndahemi. Sepse ligji është i qartë dhe është i prerë për të gjithë.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm tavolina, diskutime, komisione dhe ligje, se Shqipëria ligje ka plot, por reforma në drejtësi është edhe implementim dhe në jetën e përditshme i barazisë para ligjit. Nëse të gjithë janë të barabartë para ligjit, edhe më të barabartë para ligjit janë gjykatësit. E them këtë, pasi shpirti në majë të hundës po na vjen me këta gjykatës që rrëzojnë rregullisht, njësoj si kalanë e Rozafës, - por jo natën, këta e bëjnë ditën, - atë që ditë-natë mundohen të ndërtojnë forcat e rendit së bashku me gjithë institucionet e tjera që luftojnë për ligjshmërinë në këtë vend.
Ky vend do të bëhet shtet, duan apo s’duan hajdutët e energjisë elektrike dhe gjykatësit që bëhen avokatë të tyre. Ky vend do të bëhet shtet! Ky operacion është pjesë e operacioneve tona shtet-ndërtuese. Ky operacion nuk do të ndalet. Kushdo që do të na dalë përpara do të gjejë atë që ekzaktësisht parashikon ligji.
Redaksia Online