Rama: Padrejtësitë e pronave
i zgjidh Reforma në Drejtësi

Rama: Padrejtësitë e pronave<br />i zgjidh Reforma në Drejtësi
TIRANE-"Reforma në drejtësi i jep zgjidhje edhe problemit të vazhdueshëm të pronës". Është kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama sot në një takim të zhvilluar me Agjencinë e Trajtimit të pronës ku u inaguruan ambientet e reja.

Sipas Ramës zgjidhja ka marrë bekimin nga Komisioni i Venecias, por është Gjykata Kushtetuese ajo që po mban peng zgjidhjen e këtij problemi madhor.
 
“Reforma që ne morëm përsipër është një nga më të vështirat dhe një nga reformat që në pamje të parë nuk jep një zgjidhje mjaftueshmërisht të drejtë sepse nuk ekziston një zgjidhje ideale. E vërteta është që ligji që fut në procesin e  zbatimit reformën tonë të pronës jep një zgjidhje përfundimtare për të gjithë. Një zgjidhje që ka marrë bekimin  Komisionit të Venecias por që ende duhet të marrë edhe vulën e Kushtetueses që me një vendim të hatashëm e cenoi vendimin e Komisionit të Vencias.  Me zbardhjen e vendimit kemi shpresë që nuk do krijohen pasiguri të reja’, u shpreh Rama.
 
Sipas kreut të qeverisë reforma në drejtësi lidhet direkt me pronat pasi gjykatat me vendime të padrejta kanë shkaktuar më shumë padrejtësi se çdo pushtues në këtë vend.
 
“Nëse ka një temë që lidhet drejtpërdrejt me reformën në drejtësi është ajo e pronës. Nëpërmjet reformës në drejtësi do t’i jepet fund padrejtësisë për të drejtën e pronës. Çka i kanë bërë pronës gjykatat e këtij vendi nuk ja ka bërë asnjë pushtues këtij vendi. Reforma është pa diskutim një kusht themelor për një Shqipëri Europiane dhe nuk është aspak e rastësishme që në të gjitha raportet problemi i pronës mbetet një  nga problemet më të mëdha”, tha Rama.
 
Rama tha gjthashtu se kjo reformë ka një afat. Ndërkohë që theksoi se në tre vjet do të përfundojë i gjithë shqyrtimi i kërkesave të patrajtuara në 20 vjet.

"Kjo reformë bën të qartë se më në fund kemi një afat për ti mbyllur të gjitha cështjet e pronës dhe për ti dhënë përgjigje atyre që me të drejtën e zotit dhe të kushtetutës pretendojnë kompensim të pronës së tyre. Një proces që ishte pa afat, pa rrugë dalje pa shpresë, sot ka afat, ka rrugëdalje, ka shprësë.  Mbyllet procesi i vlerësimit financiar i të gjitha vendimeve të dhëna për këto 22 vjet për kthim apo kompensim. Në 3 vjet do të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të patrajtuara që prej 20 e kusur vitesh i kanë lënë njerëzit në pritje".



Kryeministri theksoi se problematika që lidhet me pronat është e akumuluar nga vitet e shkuara ku palët s’bënë asgjë tjetër veçse u polarizuan pa dhënë asnjë zgjidhje konkrete për pronarët.
 
“E gjithë prapambetja e trashëguar në këto vite lidhet në radhë të parë me pronën. Me pronën që dimë të gjithë se si u abuzua, transformua dhe u propagandua në të shkuarën si një arsye për t’i ndarë palët me ata që ishin me pronarët dhe kundër tyre. Kushdo foli në emër të pronarëve e bëri vetëm me fjalë ndërsa me vepra i la në baltë. Ligji i 2004 për kthimin e pronave pësoi ndryshime të vazhdueshme dhe në legjislacion e pronës më në fund ne vendosëm etiketat e së ardhmes pasi pësuam një numër të madh kontradiktash që kundërshtonin haptazi njëra-tjetrën”, deklaroi kryeministri Rama.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Izraeli vazhdon sulmet në Gazë mes shpresave të ndërmjetësuesve për armëpushim

Izraeli vazhdon sulmet në Gazë mes shpresave të ndërmjetësuesve për armëpushim