Rama: Paketë masash për
sigurinë rrugore, fjala e plotë

“Të nderuar pjesëmarrës,
 
 Jemi mbledhur, këtu sot, për sigurinë rrugore dhe vet prania e 9 anëtarëve të kabinetit qeveritar, dëshmon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për qeverinë tonë, ky element i domosdoshëm i një bashkëjetese normale qytetare. Por, nga ana tjetër, është dëshmi edhe e bindjes tonë se siguria rrugore është rezultat i shumë aspekteve dhe ndërveprimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës e të shërbimeve, me rendin ligjor e me vetëdijen qytetare dhe me qeverisjen në tërësi, pa dyshim.
 
Ndërtimi me vite të tëra i rrugëve, si kanale kulluese të parave të taksapaguesve apo financimeve të huaja në funksion të korrupsionit dhe si trofe partiakë, në funksion të zgjedhjeve të radhës, na ka sjellë sot në një situatë, ku jo vetëm shpenzimet e mëdha nuk kanë dhënë mbrapsht infrastrukturë me standarde normale, por ende më keq, na kanë dhënë rrugë me nivele tejet të larta pasigurie.
 
Një mik i huaj, që vizitonte njëra pas tjetrës Bosnjën dhe Shqipërinë disa kohë më parë, më pat thënë se nga Bosnja nuk i shqiteshin nga mendja shenjat e plumbave në godinat e Sarajevës, ndërsa nga Shqipëria përkujtimoret e vogla me lule, të aksidenteve buzë rrugëve, të vendit tonë. “Janë si dy kujtime paralele luftërash”, - më thoshte, edhe pa patur qenë si ne, dëshmitar i aksidenteve tragjike, ku kanë humbur jetën familje të tëra, madje grupe të rinjsh.
 
I falënderoj, jo formalisht, por sinqerisht, ministrat Tahiri dhe Haxhinasto, të cilët në këta muaj kanë bashkëpunuar intensivisht edhe me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të jetës, që lidhen me sigurinë rrugore, për të konceptuar dhe për të shkruar Paketën e Re Ligjore të Sigurisë Rrugore. Një Paketë Ligjore dhe Administrative, që sot, është shkruar, përfshin 60 masa të reja dhe ka nevojë edhe për një konsultim të fundit publik, përpara sesa të kthehet në një instrument të ri, për të rritur nivelin e sigurisë rrugore.
 
Qeveria jonë është jo vetëm shumë e vendosur, por edhe e mirë përgatitur që të ndërmarrë tanimë një hap të rëndësishëm, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugë. Por më përpara, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe të publikut disa shifra krahasuese, të cilat flasin vetë për degradimin e rëndë që ka pësuar niveli i sigurisë rrugore në Shqipëri, ndërkohë që janë hedhur para pafund për të ndërtuar e rindërtuar rrugë.
 
Këto shifra tregojnë qartë, se për gjithë këto vite, investimet në rrugë, janë përkthyer në një rritje marramendëse të vdekjeve, plagosjeve, dëmtimeve njerëzore dhe materiale, kudo në arteriet qarkulluese të vendit tonë. Por ama, nuk janë, sigurisht, vetëm rrugët e këqija, por edhe mungesa e frikshme e rendit ligjor, nga njëra anë, si dhe moszbatimi popullor i rregullave të lëvizjes në rrugë, që e kanë bërë në gjithë këto vite bilancin e aksidenteve, një bilanc të mirëfilltë lufte.
 
Në periudhën 2002 – 2012, në Bashkimin Evropian numri i humbjeve të jetëve njerëzore në aksidente rrugore, nga 53.969 është bërë 28.136, duke shënuar një ulje prej 52,12 %. Në të njëjtin hark kohor, 2002 – 2012, në Shqipëri, referuar burimeve qeveritare, sado të dyshimta ato në 8 vitet e fundit, numri vdekjeve në aksidentet rrugore nga 250 në vitin 2002 është rritur në 334 në vitin 2012, duke shënuar një rritje prej 33,6%.
 
Në Bashkimin Evropian numri i plagosjeve nga 1 960 845 është reduktuar në 1 340 000, duke shënuar një ulje prej 68,34 %. Në Shqipëri numri i plagosjeve nga aksidentet në rrugë nga 328 është rritur në 1870 ose është rritur 470,12%.
 
Në Bashkimin Evropian numri i aksidenteve nga 1 426 950 është bërë 1 078 746 në vitin 2012, që do të thotë 75,60% më pak aksidente rrugore. Në të njëjtën periudhë, në Shqipëri, viti 2002-2012,  numri i aksidenteve rrugore është rritur nga 228 në 2235 ose 880,26%. Nëse krahasojmë këto shifra zyrtare të Bashkimit Evropian dhe shifrat zyrtare të qeverisë paraardhëse, i bie që vendi nuk ka qenë duke shkuar drejt Evropës, por ka marrë rrugën me vrap, në drejtim të kundërt me Evropën. Sigurisht, ne nuk jemi absolutisht të vetëkënaqur, as të kënaqur, nga rezultatet e deritanishme, në kuptimin që, jemi të vetëdijshëm se nuk mund të krahasohemi me çfarë gjetëm, por duhet të krahasohemi me ku duam të mbërrijmë.
 
E megjithatë, në kushtet e katrahurës, në këtë aspekt të jetës shoqërore që ne gjetëm vendin, në kushtet e degjenerimit të pashembullt, ku ne gjetëm Policinë e Shtetit, në kushtet e një pune në shumë plane, ditën dhe natën, pa pushim, me mish e me shpirt, për të rivendosur gurët e themelit në vend, nga 16 shtatori i vitit 2013, kur kemi hyrë në qeveri, e deri më sot, në rrugët e Shqipërisë ka 21 të vdekur më pak nga aksidentet, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
 
Ka 5 të plagosur më pak, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ka 90 më shumë të plagosur lehtë, krahasuar me të njëjtën përudhë të një viti më parë. Se ky është një ndryshim i madh midis çfarë kishim dhe çfarë kemi. Ne nuk i fshehim shifrat. Ne nuk i trukojmë shifrat. Ne nuk i trembemi të vërtetave edhe kur shifrat, siç është kjo shifër, flasin ndryshe nga çdo donim të flisnin, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne besojmë se ilaçi i hidhur i të vërtetave është vetmja mënyrë për t’u shëruar. Por, ndërkohë, 39 307 masa administrative më shumë, janë marrë në këtë periudhë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe shikoni edhe një shifër tjetër, nga 16 shtatori 2012 në datën e sotme të vitit  2013, krahasuar me 16 shtatorin e 2013 me datën e sotme, ku jemi mbledhur këtu, ka një shifër të frikshme, asnjë ndalim për pije alkoolike në periudhën e mëparshme. Zero! 392 arrestime për pije alkoolike në këtë periudhë. Kjo është një shifër shumë domethënëse, që flet se kemi pasur, nga njëra anë, lirinë e pa fre të përdorimit të alkoolit në makinë, dhe siç dëshmojnë faktet, shumë prej aksidenteve të bëra nën efektin e alkoolit, dhe nga ana tjetër një polici të dehur, të bërë tapë, nga paraja e marrë nën dorë, kudo ku ndalohej një makinë.
 
Rrugët e ndërtuara në vend, që në bilancin e fundit do të na kishin ndihmuar dhe duhet të na kishin ndihmuar në fakt të mbanim sytë nga BE-ja, na kanë kthyer me shpinë nga BE-ja. Këto rrugë nuk kanë lidhje me BE-në. Po këto rrugë nuk kanë lidhje, as me vendet jashtë BE-së, që janë në rajon. Mjafton një krahasim shumë i thjeshtë, shumë i dhimbshëm dhe shumë alarmant, pjesa e rrugës së kombit nga kjo anë e kufirit, pjesa e rrugës së kombit nga ajo anë e kufirit. Dy botë të ndryshme! Këtej, standarde të aplikuara sipas qejfit, pjesë të tëra jashtë standardeve, një rrënim i vazhdueshëm edhe për shkak se punimet nuk kanë përfunduar, një gropë në buxhet, por, një gropë edhe në qarkullim. Në anën tjetër, një rrugë me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.
 
Sot gjendemi si shoqëri, jo thjesht si qeveri, përballë një situate disafish dramatike. Sepse nga njëra anë, mungesa e sigurisë rrugore është vrastare, nga ana tjetër, cilësia e rrugëve tona mbetet tepër e ulët. Ndërkohë që pjesa më e madhe e ndërtuesve të rrugëve janë të papaguar. Kjo që ka ndodhur këtu, në këtë sektor, që konsiderohej nga qeveria paraardhëse si sektori prioritar, si rruga drejt Evropës, si investimi madhor, gati gati i një gjenerate, është një gjë e pa ndodhur, me siguri, jo në Evropë, por në asnjë vend afrikan. Nuk kemi arritur të gjejmë një shembull tjetër, në gjithë periudhën e analizave të kësaj situate ekonomikisht, për të marrë ndonjë shembull sesi e kanë trajtuar këtë lloj borxhi qeveri në vende të tjera të globit, sepse nuk mund të ketë një qeveri që i thotë sipërmarrësve: ‘Ja ku e ke kontratën, shko merri lekë në bankë, vazhdo me lekët e tua, po nuk bëre 70 % të punimeve unë të heq licencën, konsideroje këtë patriotike, të shohim më vonë se çdo bëhet’, dhe të lërë mbrapa rrugë që kanë mbetur rrugëve dhe një shtet të tërë që sot e gjejmë në mes të rrugës. Një shoqëri të tërë që derdhet buzë rrugës, duke ndërtuar gjithfarë ngrehinash, duke investuar para pa asnjë plan, pa asnjë standard, pa asnjë rregull sigurie. Njësoj sikur jemi njëzet e kusur vite përpara, kur shqiptarët e sapodalë nga frigoriferi i komunizmit i hodhën kursimet e tyre te Lana. Njësoj! Kjo, sigurisht, është një situatë dramatike, por është edhe një situatë që përbën një kambanë alarmi, jo për qeverinë, qeveria është e alarmuar, as për policinë, policia është e alarmuar, por, me siguri, për të gjithë shoqërinë dhe qytetarët, në veçanti.
 
Ministri i Brendshëm solli një shembull shumë të thjeshtë. Tanimë shqiptarët janë njerëz të shëtitur dhe duhet të bësh mijëra kilometra, dhjetëra udhëtime me makinë nëpër BE, që të shohësh një polic. Mund të mos qëllojë fare të shohësh dhe mund të mos e dish fare se çfarë pamje ka, një polic gjerman, apo një polic francez, apo një polic holandez. Çka do të thotë se nuk është prezenca e policisë në rrugë e gjitha që garanton sigurinë rrugore, por është rendi ligjor dhe vetëdija qytetare në respektimin, dhe jo vetëm respektimin, por edhe ruajtjen e këtij rendi, në bashkëpunim konstant me policinë. Janë ruajtësit më të mëdhenj të rendit në rrugë qytetarët evropian, sepse nuk e pranojnë dot, që të shohin dikë që shkel rregullat dhe të mos lajmërojë menjëherë policinë. Paketa e masave, në lidhje me infrastrukturën dhe sigurinë rrugore, që tanimë ka përfunduar dhe nga java tjetër do të jetë në dispozicion për konsultimet e fundit, përpara se ne ta çojmë atë në parlament, në qeveri apo në udhëzimet përkatëse, sipas zbërthimeve të saj, integron pikërisht, të gjitha aspektet që prekin këtë element dhe synon të sigurojë këtë ndërveprim, për të cilin fola, ku përveç qasjes afatgjatë, ka objektiva afatshkurtër, konkret, për harkun e një viti.
 
- Pikësëpari, kjo paketë e re ndërton një lidhje, reciprokisht të përgjegjshme dhe transparente me biznesin e përfshirë në ndërtimin e rrugëve. Dhe këtu jemi në objektivin konkret të një harku 1 vjetor.
 
- Pikësëdyti, e sjell sigurinë rrugore, si ndërhyrje të integruar, ndërinstitucionale dhe si mobilizim tërësor, jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë.
 
- Pikësëtreti, shërben si instrument, i racionalizimit, të zhvillimit infrastrukturor të Shqipërisë, që s’mund të mbetet kurrsesi peng i korrupsionit, por s’mund të mbetet kurrsesi peng as i epsheve politike, ose nevojave elektorale, për të marrë lekët nga arka e shtetit edhe për të bërë, rrugë jashtë radhe, pa pasur një sens të integruar të zhvillimit dhe pa pasur instrumentet që objektivisht tregojnë pse duhet të investojmë në fillim këtu, pastaj aty, pastaj atje.
 
Për sa i përket marrëdhënies me biznesin, që është angazhuar në drejtimin e rrugëve, ne i kemi dhënë një rëndësi të veçantë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë një më një borxhet e trashëguara, sepse ne besojmë që një qeveri me borxhe, është një qeveri që s’ka gojë të kërkojë hesap. Shumë e thjeshtë! Nga ana tjetër, ne besojmë po ashtu, se çlirimi i kësaj sipërmarrje nga borxhet do të lehtësojë shumë marrëdhëniet, mes kësaj sipërmarrje dhe qeverisë, por edhe marrëdhëniet ekonomike në vend. Kjo do të bëjë vijimësisht, në kuadrin e një plani 1 vjeçar veprimi, i cili do të zhvillohet duke nisur, siç ka nisur, nga verifikimi i cilësisë së punës së derikëtushme nëpër rrugë dhe i gjendjes fizike të punimeve. Duke siguruar pagesën e borxheve, në funksion të verifikimit të çdo fature të nënshkruar më parë nga supervizorë që, në jo një rast, e kanë lëvizur lapsin jo sipas asaj që kanë parë, por sipas asaj që kanë marrë. Nga ana tjetër, do të eliminojmë krijimin e borxheve të reja, që është një sfidë më vete. Por puna intensive për sigurinë rrugore, sigurisht shkon më tej sesa fizikisht ndërtimi i rrugëve, duke patur si bosht ndërveprimi institucional, që lidh bashkë politikën e transportit, politikat e rendit, politikën arsimore, politikën shëndetësore dhe padyshim shoqëritë e sigurimeve, shoqërinë civile, që ka patur dhe ka një rol aktiv edhe pse nuk është dëgjuar kurrë, me ekspertë që janë munduar vazhdimisht të vënë në alarm qeverinë për ecjen me kurriz dhe me shpejtësi nga BE.
 
Kështu një rëndësi të veçantë kanë përmirësimet e sinjalistikës. Ky është i vetmi vend  evropian, pa sinjalistikë rrugore. Ashtu sikundër edhe atë sinjalistikë që ka, e ka pa standarde. Në një rrugë ka një sinjalistikë që duket sikur je në një shtet, pastaj në një rrugë tjetër sikur je në një shtet tjetër, pastaj dhe rruga e tretë sikur sapo ke hyrë në shtetin e tretë. Nga veriu në jug, tabela të ndryshme, shkrime të ndryshme ku spikasin sidomos ato tabelat me “Wellcome”.
 
Vendosja e sinjalistikës lidhet domosdoshmërisht edhe me qasjen ndaj akseve problematike, tanimë të identifikuara. Një analizë e bërë e pikave ku kanë ndodhur vdekjet, mbledh shumë pika në një vend. Vendet ku mblidhen shumë pika, janë vetëm pak vende. E kur shkon shikon pse në këto pak vende, ka kaq shumë vdekje, e ke para syve, jo rrugën, por kurthin ku mund të bjerë çdokush që nuk e ka mendjen.
 
Paketa e re nuk lë jashtë, as inovacionin në teknologjinë e sigurisë dhe sigurisht mbrojtjen e infrastrukturës nga dëmtimet e qëllimta, vjedhjet e me radhë. Tanimë ne jemi gati që verifikimin e gjithë gjendjes fizike të rrugëve, ta bëjmë në mënyrë kompjuterike dhe objektive. Tanimë është e pamundur, këtej e tutje, që cilido sipërmarrës të pretendojë se ka hedhur 10 cm asfalt nëse ka hedhur 1 cm, apo të pretendojë se e ka hedhur me këtë cilësi nëse e ka hedhur me një cilësi tjetër, sepse jo supervizori, por kompjuteri do të thotë të vërtetën.
 
Nga ana tjetër, ne jemi gati të fillojmë dhe projektin që do të transformojë historinë  e Policisë së Shtetit, në raport me qytetarin, në raport me ligjin, në raport me shoqërinë, duke lidhur online, në kohë reale, 24 orë në 24, patrullat e  Policisë së Shtetit në rrugë, me qendrën e monitorimit në departamentin përkatës. Që do të thotë se me futjen e këtij elementi, çdo polic që do të jetë në kontakt me qytetarin, nuk do të jetë më vetëm për vetëm me qytetarin dhe çdo qytetar që do të jetë në kontakt me policin, nuk do të jetë më vetëm për vetëm me policin. Të dy bashkë do të jenë duke komunikuar në sytë  e një të treti. Ky i tretë është kompjuteri, i aksesueshëm për çdo rast, kur qytetari ankohet  nga sjellja e policit apo kur polici pretendon çfarëdo qoftë, në raport me qytetarin apo me një vend krimi. Është një projekt transformues. Do ta fillojmë me faza dhe grupi i parë i patrullave të pajisura me kamera dhe me audio, të lidhura online me qendrën do të hyjë në rrugët e Tiranës shumë shpejt dhe do të përfshijë të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, është skandaloze se si miliona euro figurojnë të shpenzuara për të vendosur kamerat në rrugët e Tiranës dhe të vetmet kamera që funksionojnë, ose që janë gjetur në funksionim real, janë kamerat tek kryeministria. Asnjë kamerë nuk është në funksionim. Sistemi është mizerabël dhe paratë janë shpenzuar. Madje janë bërë edhe premtime elektorale, janë bërë edhe inaugurime, janë bërë edhe rrahje gjoksi se e mbuluam me kamera sigurie Tiranën. Asnjë kamera sigurie. Vendosja e kamerave të sigurisë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë territorin e Shqipërisë është pjesë e këtij projekti për rritjen e sigurisë, për luftën kundër krimit, për transparencën e bashkëjetesës qytetare.
 
Është e paanashkalueshme, si një masë afatgjatë, por edhe si një veprim afatshkurtër, vendosja dhe aplikimi i përpiktë i standardeve të kolaudimit të automjeteve. Si mund të kemi siguri rrugore, me standarde teknike automjetesh që janë të predispozuara të çojnë në katastrofë, jashtë standardeve. Ministri i Transporteve ka qenë shumë i qartë. Unë dua të përfitoj nga ky rast për t’u thënë të gjithë qytetarëve që mbajnë radhë atje, radhë si në kohën e qumështit, për të kolauduar automjetin dhe i paguajnë kohë, por fatkeqësisht i paguajnë dhe shumë para, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga xhepi i tyre, një koncesioni korruptiv, një koncesioni arbitrar, një koncesioni absolutisht të dështuar. Paratë që duhet të kurseheshin qoftë për shtetin, qoftë për qytetarin, përmes një koncesioni të tillë, jo vetëm që nuk janë kursyer, por janë rritur shpenzimet, ndërkohë që cilësia e shërbimit është e papranueshme.
 
Ky është një koncesion që është në shqyrtim. Të jemi të qartë që anulimi apo relativizimi i këtyre koncesioneve monopol, nuk është një proces që bëhet thjesht “hajde ta anulojmë partizançe”, por kërkon një ekspertizë ligjore. Është në përfundim shqyrtimi, dhe ne, ose do ta anulojmë, ose do ta relativizojmë, duke e liberalizuar kolaudimin. Ne nuk mund të pranojmë që qytetarët të rinë dhe të mbajnë radhë pa fund atje, për të mos marrë asnjë lloj shërbimi cilësor e për të dalë të dëshpëruar dhe të pasigurtë nga ai far kolaudimi që bëhet atje.
 
Vendosja e procedurave dhe standardeve evropiane, në kontrollin teknik të automjeteve dhe eliminimi i kaosit në administrimin tërësor të automjeteve; targat me elementë sigurie dhe një lidhje shumë e qartë dhe e prerë mes të dhënave personale të përdoruesit ligjor, me të dhënat e automjetit përkatës; ndalimi i përdorimit të mjeteve fantazëm, me origjinë të paqartë, me targa të pavlefshme dhe shkatërrimi i këtyre rrjeteve korruptive që vazhdojnë t’i mbijetojnë, për arsye kohe dhe për asgjë tjetër, nevojës për një transformim rrënjësor në këtë fushë, duke legjitimuar mungesën e sigurisë përmes autorizimeve për qarkullim të mjeteve të pasigurta, përmes patentave që i japin dhe me korrespondencë (vjen vëllai dhe merr patentën për vëllain tjetër), do të jenë drejtime shumë të rëndësishme të këtij viti, të këtij plani vjetor.
 
Synimi ynë është që sot një vit, ne të kemi një bilanc për të gjitha këto drejtime që të nxjerrim në pah qetësisht se jemi në rrugën e duhur, drejt BE dhe jo me kurriz nga BE.
 
Padyshim që, rendi në qarkullim nuk është çështje ekskluzive, kur vjen puna tek kontrolli i patrullave të policisë në rrugë, por është sistem. Është sistem ku patrullat e policisë në rrugë janë vetëm pjesë e këtij sistemi dhe ku patjetër qytetarët duhet të përfshihen në këtë sistem. Ndërkohë që të llastuarit që janë mësuar prej vitesh të qëndrojnë mbi ligjin, të mos njohin fare asnjë rregull të kësaj bashkëjetese në rrugën e ligjit, na përfshinë, përfshinë qytetarët, në një debat të madh për gjobat. Është e papafytyrueshme që një vend në mes të Evropës të përfshihet në një debat “a duhen, a nuk duhen paguar gjobat?”. Gjobat për çfarë? Gjobat për shkeljet e ligjit në qarkullim, në parkim, në parakalim, e kështu me radhë. A duhet apo s’duhet policia të vendosë gjoba, të marrë gjoba. Fatmirësisht anketimet tona të opinionit publik, të brendshme dhe të jashtme, tregojnë një gjë shumë të qartë, 79% e shqiptarëve e miratojnë, e mbështesin dhe e kërkojnë me këmbëngulje çuarjen përpara të kësaj qasje të re. Kush merr një makinë, kush përdor një makinë, kush hyn e del nga një makinë, qoftë kryeministër, qoftë ministër, qoftë deputet, qoftë pushtetar apo opozitar, qoftë qytetar apo cfarëdoqoftë, është i barabartë para ligjit dhe gjobitet sa herë dhe kurdo e kudo që shkel ligjin. Është shumë e thjeshtë, rrugë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë.
 
Sigurisht që, nuk kemi gjetur një sistem të gatshëm, funksional që gjithçka të shkojë vaj. Sigurisht që, ka patur probleme të natyrës teknike. Sigurisht ka patur edhe gabime të natyrës teknike që janë bërë. Sigurisht, ka patur qytetarë që me plot të drejtë nuk janë ndjerë mirë për shkak të këtyre gabimeve, por një gjë është e sigurtë, që të gjithë ata që marrin përsipër të flasin, të gjithë ata që mbushin gazeta dhe ekrane me aksesin që iu jep statusi social që kanë, janë absolutisht dhe pas as më të voglin dyshim, në një borxh të madh ndaj shtetit, ndaj shoqërisë, për shkak se për vite me radhë, kanë lëvizur jashtë çdo lloj marrëdhënie me shtetin dhe me ligjin. Ky është fakti. E për më tepër pastaj, unë jam shumë krenar që nuk është se këtu po goditet një pjesë dhe po mbrohet një pjesë. Këtu nuk po goditen vetëm ata që janë mësuar t’i llastohen ligjit, në emër të statusit të tyre social, por po goditet çdo shkelje dhe po goditet llastimi i përgjithshëm i frekuentuesve të bulevardit të Tiranës, përballë ligjit. Kështu do të vazhdojë me ngulmin më të madh dhe pa asnjë tërheqje mbrapa, deri kur çdokush që është në timon të kuptojë, se nuk ka vetëm të drejtën të shkojë ku të dojë, por ka dhe detyrimin që të respektojë ligjin kudo ku shkon, kudo ku ndalon.
 
Tabloja e luftës që ne kemi trashëguar në fushën e sigurisë rrugore, siguria e qarkullimit, është një çështje e sigurisë kombëtare. Ne nuk kemi ndërmend që të lëmë që ta drejtojnë aksidentet procesin e reflektimit dhe të veprimit intensiv shumëplanësh dhe pa asnjë rezervë dhe tërheqje. E kështu vij tek e fundit që ka të bëjë me politikën  e orientuar nga rezultatet që na mobilizojnë për të refuzuar fatalitetin. Sepse nuk është fatkeqësia që ka marrë kaq jetë shqiptarësh në rrugë, por është papërgjegjshmëria e shumë aktorëve që ligji detyron të bëjnë një rol të caktuar, duke filluar nga aktorët shtetërorë. Papërgjegjshmëria që sjell plagosje dhe vrasje dhe që është krim, dhe ne nuk do të bëhemi pjesë pasive e krimit.  Me hapa konkretë dhe një politikë të orientuar nga rezultate të qëndrueshme, ne do të zmbrapsim hap pas hapi, lumin përmbytës të shifrave negative, siç kemi filluar. Një rol të madh do t’i japë arsimit, sistemit arsimor në këtë proces, atij edukimi në mënyrën se si këmbësori duhet të sillet kur del nga shtëpia me rregullat e qarkullimit; me mënyrën se si drejtuesi i automjetit duhet të sillet kur hipën në makinë me rregullat e qarkullimit; atë proces edukimi që shoqëria cilivile dhe grupe ekspertësh që unë i shoh këtu sot, e kanë kërkuar me insistim bazuar në standardet e edukatës evropiane dhe që është refuzuar apo është integruar si një farsë e pakuptimtë në kurrikulat tona. Çdo fëmijë, bashkë me të tjerat në Shqipëri duhet të mësojë çdo të thotë të jesh evropian, kur ecën rrugës; çdo të thotë të jesh evropian, kur drejton një automjet; çdo të thotë të jesh evropian kur komunikon me policin dhe sigurisht patjetër çdo të thotë të jesh polic në BE. Me hapa konkretë dhe me punë konkrete duhet të bëhemi bashkë, qeveri-biznes-shoqëri civile-media, pa dyshim. Ne i mirëpresim dhe do të vazhdojmë t’i mirëpresim të gjitha kritikat, të gjitha vendosjet e gishtit të medias në çdo plagë, të gjitha kronikat dhe raportet mediatike, që ju siguroj, kur nuk na pëlqejnë, na motivojnë që të veprojmë dhe jo që të kundërveprojmë, sepse këto janë detyra të qarta dhe ne i respektojmë. Por, nga ana tjetër, sigurisht, është jo etike që në një proces kaq të rëndësishëm jetik, për bashkëjetesën tonë nëpër rrugë, të synohet nxitja, nxitja, nxitja e pakënaqësisë. Fatmirësisht, shqiptarët janë mjaftueshmërisht të kthjellët dhe të qartë dhe e kuptojnë mjaft mirë që sa më shumë rregull në rrugë, aq më shumë siguri në përgjithësi. Siguria në përgjithësi, nuk është vetëm mbrojtja e jetës së atyre që lëvizin, por është parakusht për luftën efektive ndaj krimit dhe kriminelëve.
 
Besoj që çfarë i dekurajon njerëzit në përgjithësi, janë angazhimet e marra dhe të pambajtura. Ne, në veçanti jemi të fokusuar tek kjo. Ne do të bëjmë ato që themi dhe do të themi ato që do të bëjmë. Sot thamë ato që do të bëjmë. Nesër do të bëjmë ato që thamë. Pa as më të voglin dyshim, ne jemi të bindur që do te arrijmë ta kthejmë plotësisht drejtimin e gjithë sigurisë dhe të aspektit të sigurisë rrugore në adresimin nga BE.
 
Kjo është bindja jonë. Me këtë bindje do të shkojmë më tutje me paketën e re ligjore dhe administrative. Ndjesë në qoftë se u zgjata më shumë se ç’ishte  e parashikuar , por e konsiderova shumë të rëndësishme që të ndalemi në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha shumë të rëndësishme që në respekt të dy pjesëve të kësaj salle, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, që prej kohësh e kanë pritur këtë ditë dhe përfaqësuesve të Policisë së Shtetit të trajtojnë në mënyrë sa më shteruese këtë temë, që është një temë parësore për qeverinë tonë, që është një temë parësore për Ministrinë  e Transporteve dhe zhvillimit të infrastrukturës, që është një temë parësore për Ministrinë  e Brendshme, që është një temë parësore për të gjithë ne.
 
Ju faleminderit!

Redaksia online

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Kosovë/ Diplomati Bilalli: Partitë janë fokusuar të diaspora! Vendi do përballet me një administratë amerikane më të vendosur! LVV nuk del si 2021, opozita në rritje

Zgjedhjet në Kosovë/ Diplomati Bilalli: Partitë janë fokusuar të diaspora! Vendi do përballet me një administratë amerikane më të vendosur! LVV nuk del si 2021, opozita në rritje