Rama: Papagajtë e Berishës
vranë komisarin, Noka: Shpif! 

Rama: Papagajtë e Berishës <br />vranë komisarin, Noka: Shpif! 
TIRANE - Akuza dhe kundërakuza  kanë ardhur sot mes kryesocialistit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, të nxitura nga vdekja e shefit të krimeve të Burrelit Musa Skura. Skura ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në një spital në Foggia të Italisë, pas plagëve të marra gjatë një operacioni policor për kapjen e disa personave të përfshirë në trafikun e fishekëve, mbrëmjen e 13 janarit.

Rama akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejtuesin e saj Flamur Noka, për paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, duke i bërë fajtorë për vdekjen e Musa Skurës. Në replikë me këto akuza, duke i cilësuar shpifje, Noka tha se Rama ka qëllime të mbrapshta dhe se ka zgjedhur të shfryjë dufe primitive ndaj policisë së Shtetit.

RAMA: MINISTRI I BRENDSHEM SHITI LOJEN, KRIMI VRAU KOMISARIN
Nga selia rozë kryetari i Partisë Socialiste lëshoi sot akuza tepër të rënda për paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar të kupolave drejtuese  të Ministrisë së Brendshme. Rama bën me faj këtë kupolë drejtuese edhe për vdekjen e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin “Padre Pio” të Foxhias në Itali pas plagëve të marrë gjatë një operacioni për arrestimin e disa personave të kërkuar për shitje municionesh.

"Krimi vrau një tjetër shërbëtor të shtetit. Policia e shtetit është e tradhtuar, e abuzuar e rrënuar. Raporti profesionalizëm klientelizëm partiak është përmbysur kokë poshtë dhe këto janë rezultatet. Struktura e drejtimit është e fryrë dhe e paakuptimtë. Kupola drejtuese është e inkrimuar dhe e paaftë. Ministri i Brendshëm është një partiak i rëmdomtë por i llojt më të keq”- tha Rama.

Ai bëri fajtor strukturat drejtuese të Ministrisë edhe për dështimin e sigurisë dhe rendit. “72 % e shqiptarëve kanë mendimin se gjëndja e sigurisë është e keqe. Kjo është shifër e paparë asnjëherë dhe shifra më e lartë në të gjithë historinë e këtij tranzicioni pas vitit 1997”- tha Rama.  Kreu i PS-së sulmoi drejtëpërdrejtë dhe ministrin e Brendshëm Flamur Noka. “Ministri i Brendshëm partiak i rëndomtë. Bën papagallin e kryeministrit dhe merret vetëm me vendosje njerëzish e strukturash në funksion të zgjedhjeve.”

Sipas Ramës 'të luftosh me krimin sot është si të luash në një ndeshje të shitur... Komisarët janë dekurajuar teksa shohin kolegët e tyre të vriten"- tha Rama duke premtuar se brenda 300 ditëve të para të qeverisë së tij do i kthejë dinjitetin policisë. “Premtoj se në 300 ditët e para të qeverisjes shqiptarët do të shohin me sytë e tyre një polici shteti që nuk e kanë më parë asnjëherë dhe në rrugët e rilindjes do të ketë prova të qarta të vënies së policisë së shtetit në shërbimin e tyre si një garanci për sigurimin e tyre. Nëse loja nuk shitet në kupolën e Ministrisë së Brendshme, skuadra e policisë fiton në cdo ndeshje me krimin dhe kriminelin”- tha Rama.

RAMA: NOKA PO NGRE STRUKTURE PER MBAJTUR PUSHTETIN

Kreu i PS-së shkoi më tej duke e akuzuar ministrin Flamur Noka se po ngre struktura për të mbajtur pushtetin. “Noka merret vetëm me vendosje njerëzish e strukturash në funksion të zgjedhjeve. Së fundi është shpikur një funksio i ri i zv drejtor i rendit ku po vendosin njerëz që do të marrin rrogën e shtetit për të ndihmuar mbajtjen e shtetit”- tha Rama.

NOKA: RAMA SHPIF,  SHFRYN DUFE PRIMITIVE NDAJ POLICISE
Pas akuzave të kryesocialistit Rama se Ministria e Brendshme dhe drejtuesi i saj ka lidhje me krimin e organizuar dhe njëkohësisht duke e bërë me faj për vdekjen e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura, kundërakuza ka ardhur nga vetë Ministri Noka i cili i cilësoi shpifje fjalët e kreut të PS.

Nëpërmjet një deklarate për mediat pasditen e sotme, ministri i Brendshëm Flamur Noka tha se shefi i opozitës “ prezantoi sot 2 qëllime të mbrapshta: qëllimin për të intimiduar Policinë e Shtetit dhe qëllimin për të inkurajuar dhe motivuar botën e krimit e individëve me precedentë penalë, që ka mbledhur në kupolën politike të Partisë Socialiste dhe që synon t’ i përdorë në fushatën e ardhshme elektorale, ashku sikundër ka vepruar edhe në të shkuarën".

“Deklarata e tij se do të krijojmë polici të re, është për të ardhur keq pasi është halucinacion i radhës”, theksoi ministri Noka. Sipas Nokës, Edi Rama shfryn dufe primitive, siç i cilësoi ministri akuzat ndaj policisë së Shtetit, dhe për këtë arsye sipas tij, shqiptarët do ta “hedhin në koshin e plehrave platformën e Ramës”.

Edhe pse theksoi se deklarata e tij nuk është një replikë ndaj Ramës, pasi sipas Nokës ato janë shpifje, ministri parashikoi të ardhmen e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit, kur tha se “Edi Rama është i pashpresë, përdorimi me precedentë penalë në zgjedhjet lokale të 2011 dhe mbështetja e tyre nga një enturazh deputetesh të përfshirë në struktura ndërkombëtare të krimit të organizuar, e çoi atë në humbje. I njëjti fat e pret edhe në zgjedhjet e 23 qershorit.”

Deklarata e ministrit të Brendshëm nisi me shprehjen e ngushëllimeve në lidhje me ndarjen nga jeta të Musa Skurës, shefi të krimeve të Burrelit i cili ndërroi jetë në spitalin e Foggias në Itali, pas plagëve të marra gjatë një operacioni policor për kapjen e disa personave të përfshirë në trafikun e fishekëve.

Redaksia Online
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë