“Sot jemi një koalcion shumë i madh, përballë kemi një kundërshtar të vetmuar. Ne jemi të vendosur të zgjerojmë koalicionin nga ana tjetër ta lëmë të vetmuar kundërshtarin. Në Qershorin e 2009 dhe në Majin e Tiranës të vitit 2011 ai përfitoi nga dasia, një dasi që i përket të shkuarës ndërsa e ardhmja na vë përballë sfidave të mëdha dhe jam i bindur se do t’i kapërcejmë provë pas prove për një qeverisje më të mirë për Shqipërinë” - tha Rama.
Ai ftoi Aleancën Kuq e Zi t’i bashkohet frontit opozitar për të hequr Berishën nga pushteti dhe për ta nxjerrë në opozitë, por dhe për të ndërtuar një Shqipëri europiane pa nacionalizma.
“Uroj që AK të jetë pjesë e këtij fronti. Besoj që në Shqipëri nuk do të përsëritet skenari që të për t’i shpëtuar fronteve opozitare prodhojnë parti radikale kundër vetvetes për të çoroditur votën e popullit. Jam i hapur për çdo forcë që bashkohet në 2 qëllime:
1- Qëllimi afat shkurtër: Ai i largimit të Berishës dhe familjes së tij dhe të dalë në opozitë
2- Qëllimi afatgjatë të ndërtojë Shqipërinë europiane pa nacionalizma që na lënë në një cep të padëshiruar ndërkohë që kemi të gjithë arsyet të kthehemi në forcë lider në rajon së bashku me Kosovën”- tha Rama në konferencën për shtyp ku ishte i pranishëm dhe sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste Luis Ajala.
RAMA: KOALICIONI PS- LSI PA KUSHTE, POR ANGAZHIM PER TE TRANSFORMUAR SHQIPERINE
I pyetur nëse 3 ligjet janë pjesë e marrëveshjes së koalicionit PS - LSI Rama tha se mes dy partive nuk ka pasur asnjë kusht por vetëm angazhim për të transformuar Shqipërinë.
“Në procesin e afrimit të frontit opozitar nuk ka asnjë kusht nga ana jonë ndaj LSI, as LSI ndaj nesh. Ka pasur reflektim e analizë dhe angazhim për të transforuar Shqipërinë. Ligjet as nuk kanë qenë dhe as nuk janë kusht i vendosur mes nesh. 3 ligjet janë pjesë e sfidës së integrimit dhe për ne qëndrojnë pjesë e kësaj sfide dhe jo të veçuar prej saj. S'kemi besuar asnjë ditë se Shqipërinë nga Europa e ndajnë 3 ligje, por 3 pushtete që sot mungojnë: Pushteti legjislativ që të mos kontrollohet nga ekzekutivi; pushteti ekzekutiv që të mos kontrollohet nga korrupsioni dhe pushteti gjyqësor që të mos kontrollohet nga korrupsioni dhe ekzekutivi”
Edhe Ilir Meta gjatë një konference për shtyp nga LSI la të kuptohej se miratimi i 3 ligjeve para zgjedhjeve nuk ishin pjesë e marrëveshjes.
"Objektivi ynë kryesor është fitorja e zgjedhjeve më 23 qershor dhe përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, para dhe pas zgjedhjeve."
RAMA: 23 QERSHORI VE NE PROVE KOALICIONIN PS-LSI
Për Ramën 23 qershori është provë për koalicionin PS- LSI, nëse fiton zgjedhjet por dhe qeverisjen.
“E para më 23 qershor të votojmë dhe fitojmë për të vënë në provë këtë bashkim, një qeveri të socialsitëve dhe progresistëve. E dyta ajo që fillon pas 23 qershorit me një qeveri që duhet të gjykohet me atë që bën hap pas hapi, jo nga fallxhirët e analizave që gëlojnë sot mbi banaqet tv duke bërë predikime në hava”
NESE BERISHA RRI NE PUSHTET KATANDISEN SHQIPTARET TE NUMEROJNE ME GISHTA
Duke sulmuar Berishën për rrënimin e Shqipërisë, Rama tha Berisha e gjeti analfabetizmin 5 % dhe po e lë me 15% “Po ta mbajmë këtë dhe disa mandatet të tjera, katandisen shqiptarët të numërojnë me gishta dhe të shohin librat e Naim Frashërit si hireoglife kinenze.
RAMA: PAS 23 QERSHORIT UNE KRYEMINISTER, DO QEVERISIM NE KOALICION
Rama sqaroi dhe si do të qeveriset pas 23 qershorit, një qeverisje e cila do të jetë me sfida dhe do gjykohet mbi bazën e asaj që do të bëjë.
“Do fitojmë zgjedhjet dhe do qeverisim në koalicion. PS do ta drejtojë qeverinë por çka është shumë më e rëndësishme është se të gjitha këto dyshime për pas 23 qershorit për mua personalisht janë të shëndetshme. Njerëzit jo vetëm mund por duhet t’i mbajnë sepse janë sfiduese dhe qeveria do gjykohet mbi bazën e asaj që do të bëjë dhe në këtë rast qeveria do të jetë më ë vëmendshme dhe më e përgjegjshme se çdo qeveri që Shqipëria njohu në këtë 20 vjet. Këtë jua garantoj. Ajo që duhet marrë parasysh është se deri më 23 qershor Shqipëria ka një detyrë ndaj të ardhmes e gjeneratave të reja. Të largojë me votë Saliun e partinë e tij e familjarët e Berishës pa lejuar, që fuqia deformuese e mekanizmit të vjedhjes, që dy herë rresht ndaloi popullin sovran, të vendosë. Pastaj do të jemi përballë sfidash do i fitojmë edhe sepse njerëzit nuk do të na japin një mandat symbyllur por një mandat me sytë katër. “
AJALA: KOHA E QEVERISJES SE BERISHES KA SKADUAR
Sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste vlerësoi të rëndësishëm momentin për ndryshimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedheve të lira.
“Sot jemi në një moment unik në Shqipëri, sepse shohim se jeni përballë ndryshimit. Kemi një qeverisje koha e së cilës ka skaduar dhe nuk mund të zgjasë më sepse nuk ka më premtime për të përmbushur. Nga ana tjetër keni një koalicion e lider që vijnë me propozime të reja dhe program për ndryshim, që bazohet në demokraci, dhe që beson tek psuhteti i tyre për të vendosur brenda të drejtave dhe lirive të tyre. Kohë të cilat janë të vështira jo vetëm për Europën. Në Shqipëri ekzistojnë persona të cilët janë të gatshëm të përballen me këto sfida që prodhojnë punësim dhe mundësi. kemi njerëz si Edi Rama.
Konferenca e përbashkët Rama - Ajala, e plotë
META: OBJEKTIVI I KOALIZIONI PS-LSI ESHTE FITORJA E ZGJIEDHJEVE
Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse votimi i 3 ligjeve të integrimit është kusht për marrëveshjen mes dy partive të majta, vlerësoi se objektivi kryesor i koalicionit PS-LSI është fitorja e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe integrimi.
Meta theksoi se koalicioni i ri që synon rritjen e mundësive të alternativës të së majtës së bashkuar për sfidat evropiane të vendit.
“Ayala ndodhet në Tiranë për të biseduar me ne dhe për të na përgëzuar për iniciativën më të fundit që ka të bëjë me një koalicion të ri që synon rritjen e mundësive të alternativës të së majtës së bashkuar, për të pasur sukses në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për të përballuar sfidat që vendi ka për të ardhmen sidomos në raport me përshpejtimin e integrimit Evropian”, tha Meta.
“Me këtë rast dua ta falënderoj z. Ayala, për interesimin e Internacionales Socialiste për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe për zgjedhjet e 23 qershorit. Për ne është i rëndësishëm ky bashkëpunim, i cili jam i bindur që do të kontribuojë në forcim të marrëdhënieve të Shqipërisë jo vetëm me familjen Evropiane dhe Botërore, por edhe proceset integruese të vendit”, shtoi Meta.
(sg/shqiptarja.com)