Me tone të ashpra janë përcjellë vecanërisht vrasjet e biznesmenëve në vend, ndërsa për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, kriminelët e dalë nga burgu nga gjykatës të korruptuar nuk janë biznesmenë, por trafikantë.
Siguria publike, miratohen pr/ligjet për armët
Kuvendi miratoi të enjten me 74 vota pr/ligjet "Për përdorimin e armëve të zjarrit" dhe "Për armët", dy nisma të propozuara nga ministria e Brendshme që synojnë forcimin e sigurisë publike.
Pr/ligji "Për përdorimin e armëve të zjarrit" synon standardizimin dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë dhe subjekte të tjera të përcaktuara me ligj, në përmbushje të detyrave të tyre.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi sot me 75 vota dhe disa ndryshime në ligjin "Për përdorimin civil të lëndëve plasëse dhe lëndëve piroteknike dhe fishekzjarre" dhe me 77 vota pr/ligjin "Për shërbimin privat të sigurisë fizike".
Kuvendi miraton projektligjet e diskutuara
Kuvendi miratoi sot me 74 vota ndryshimet në ligjin "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", që synojnë rritjen e masës së gjobës për pronarët e lokaleve dhe administratorët e tyre që nuk respektojnë ligjin.
Risia në ligj përbën fakti se për herë të parë do të ndëshkohet me gjobë në masën pesë mijë lekë dhe klienti që konsumon duhan në ambiente të mbyllura.
Seanca e sotme e Kuvendit miratoi me 76 vota ndryshimet në ligjin "Për ndihmën juridike" dhe pr/ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare"; ndëra me 75 vota u miratua ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për eksport ndërmjet qeverisë shqiptare dhe UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, lidhur me financimin e projektit "Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit".
Me 76 vota u miratuan dhe dy pr/rezoluta, ajo për vlerësimin e veprimtarisë së AMA-s, gjatë vitit 2013, si dhe pr/ rezoluta "Për vlerësimin e veprimtarisë së ILDKP për vitin 2013".
Miratohet ligji që reformon SHKB-në
Kuvendi miratoi të enjten me 77 votat e deputetëve të maxhorancës projektligjin "Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme", që synon të reformojë thellësisht strukturën e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB), duke e emërtuar Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme.
Gjatë diskutimit Partia Socialiste pranoi propozimin e deputetit të LSI-së, Luan Rama, për të mos lejuar lënien vullnetare të gradës. Një gjë të tillë nuk e ka asnjë ligj i vendeve të NATO-s dhe BE-së, arsyetoi Luan Rama, duke e cilësuar lënien vullnetare të gradës një praktikë absurde që deformon karrierën.
Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në votim, pasi më herët kishin bojkotuar punimet e seancës së sotme.
Ligji i ri përcakton misionin, organizimin, funksionimin dhe rregullimin e pozitës juridike të Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme (SHAÇB), si dhe karrierën, detyrat, të drejtat e përgjegjësitë e punonjësit të këtij shërbimi, që deri tani ka funksionuar sipas një ligji të vitit 2008.
Nenet e draftit të ri përcaktojnë se SHAÇB e ushtron veprimtarinë e tij ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, si dhe strukturës së mbrojtjes nga zjarri.
Objekt i veprimtarisë së Shërbimit është dhe parandalimi, zbulimi dhe hetimi i veprave penale, si dhe i shkeljeve të ligjit të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj; pranimi, administrimi dhe zgjidhja e ankesave ndaj punonjësve të strukturave për mospërmbushje të detyrës sipas standardeve të miratuara; ruajtja e integritetit të punonjësve të strukturave; kontrolli i pasurisë së pajustifikuar të personave, objekt hetimi, etj.
Rama: Pas Lazaratit, operacion për kontrollin e armëve, të gjejmë “dorën” që vrau Santon
Akuzave të opozitës sa i takon zbardhjes së vrasjes dhe gjetjes së autorëve të bankierit Artan Santo, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga salla e Kuvendit duke i sjellë rastin e zbardhjes së vrasjzes së deputetit socialist Fatmir Xhindi.
Ai paralajmëroi se pas operacionit të suksesshëm antikanabis në fshatin e Lazaratit do të nisë kontrolli për mbledhjen e earmëve për të zbuluar kështu edhe “dorën” që vrau biznesmenin Santo.
“Pa as më të voglin dyshim ky ligj shënon një moment të rëndësishëm për të filluar një operacion tjetër më të madh se Lazarati, dhe ky është operacioni për kontrollin e armëve. Na duhet ky ligj. Donin që të hynim në Lazarat të nesërmen që filluam punën dhe maturinë, përgatitjen, analizën e një operacioni sukses botërisht i duartrokitur, donin ta bënim në një ditë, ndërkohë që u deshën disa muaj. Si kurrë më parë Policia e Shtetit nuk është e varur nga fijet që lidhin krimin me zyrat e ministrit, zyrtarëve të lartë apo kryeministrit. Kërkojnë të zbulohet menjëherë dora që vrau barbarisht Artan Santon harrojnë që edhe sot e kësaj dite dora që vrau Fatmir Xhindin nuk është zbuluar. Për bankierin e vrarë duan që vrasja të zbulohet në sekondë. Një skizofreni totale. Tjetër botë shohin për veten e tyre tjetër për realitetin dhe punën tone”, -tha Rama.
Rama: Biznesmenë? Janë kriminelë që i ka dënuar Gjykata. Vrasjet të paralajmëruara, por sistemi i drejtësisë i kalbur
Kreu i qeverisë tha se ka shumë vrasje të pazbuluara, ndërsa shtoi se autorët kanë dalë të përfituar nga gjykatësit e korruptuar të cilët i kanë dhënë sërish lirinë. Rama erdhi dhe me një apel për kreun e Shtetit Bujar Nishani përballë rasteve të korrupsionit që ministri Tahiri i ka bërë të ditur Presidentit.
“Zihen e bëjnë sherr për ‘a quhen kriminelë apo biznesmenë ata që u vranë’. S’ka asnjë arsye për të parë gishtin kur gjishti tregon hënën. Ajo çfarë tha ministri i Brendshëm nuk ishte një përpjekje për të përcaktuar statusin e të vdekurve, por ka të bëj me vrasje të paralajmëruar si rezultat i një sistemi drejtësie të kalbur. Për njerëz që nuk është ministri i Brendshëm që i quan kriminelë, po i ka dënuar si të tillë gjykata e pastaj kanë rigjetur rrugën e lirisë përmes gjyqtarëve të korruptuar. Janë 100 raste që ministri i ka bërë të ditur Presidentit. Askush nga këta nuk bashkon zërin me ne për t’i dhënë fund këtyre”, -tha Rama.
Tahiri: I latë shteg çdo të sëmuri mendor të merrte armë e të bënte hatara...Ligji kufizon te drejten per te mbajtur arme, nuk e liberalizon
Ora 12:45 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga foltorja e kuvendit tha se ky ligj nuk liberalizon të drejtën për të mbajtur armë, por kufizon në mënyrë radikale të drejtën për të mbajtur armën e zjarrit, duke iu përgjigjur kështu akuzave të deputetëve të Partisë Demokratike, se ligji liberalizon të drejtën e mbajtjes së armëve.
“Ne kemi sjellë një paketë ligjore për t’i garantuar qytetarëve më shumë siguri, nuk liberalizohet e drejta për të mbajtur armë, kufizon në mënyrë radikale të drejtën për të mbajtur armë tek deri deputeti që dje ju e armatosët, gjyqtar prokurorë, që për shkak të funksionit na u dashka të mbajë armë. Pr/Ligji është hartuar bashkë me ekspertin e Bashkimit Evropian. Dhe është diskutuar e drejta e pronësisë, nuk është shteti që kishte pronësinë e të gjitha armëve, dhe ja shpërndante të gjithëve, ne kemi sanksionuar: Ai që ka të drejtën të kërkojë armë, atë armë do e ketë në pronësi të vet, por me kushte të forta që as mos të afrohesh dot të kërkosh armë. Më parë çdo lloj njeriu mund të merrte armë, i kishit lënë shtegun çdo të sëmuri mendor të merrte armë dhe të bënte hatara”, u shpreh nga foltorja e Kuvendit ministri Tahiri.
VIDEO/ Debatet mes Mesila Dodes dhe Saimir Tahirit per perdorimin e armeve
Po ashtu gjatë seancës foli edhe Deputetja PD-së Mesila Doda, si dhe Deputeti Strazimiri, të cilët e konsideruan ligjin një liberalizim të tregut të armëve. Por, Doda mori menjëherë përgjigjen e Ministrit të Brendshëm, me të cilin edhe replikoi.
Saimir Tahiri: Nuk di për shkak të padijenisë apo të qëllimit të keq që zonja merr guximin intelektual dhe flet për një gjë që s’është në ligj, dhe do kurajo të madhe të thuash të kundërtën e asaj që bëjmë me ligj. Është e kundërta e legalizimit të armëve. Do më vinte më mirë nëse këtë nuk do e bënit politikë, dhe kur kujtoni të afërm të njerëzve që kanë humbur jetën bëni mirë ta bëni për të ngritur sensibilitetin tonë shoqërior dhe jo për konsum politik. Mos ta bëni me fodullëk po ta bëni me përulje se s’është mbushur asnjë vit dhe s’keni diskutuar për krimin në parlament kur ishit ju”. Në këto 20 vjet shoqërinë shqiptare e kemi katandisur në një dimension kriminal të paimagjinueshëm. Nuk zgjidhni gjë nëse vini këtu dhe merreni me qeverinë. Nëse realisht doni rezultate konkrete hajde merreni me gjithcka kemi dështuar në këto 23 vjet”.
Mesila Doda: “Ti je një mostër e përdorimit të gjuhës makabre në këtë vend. Kush e përcakton se është krimineli? Cfarë njeriu je ti që mbasi vdesin njerëzit i bën epitete? Ti je i paaftë, ti thjesht mjaftohesh duke bërë shoë, akoma më tepër ti ke falimentuar derisa armët ia jep njerëzve. Jeni i paedukatë mbi të gjitha”.