Rama: PD ka fituar vetëm kur
kemi qenë të ndarë,iku ajo kohë

Rama: PD ka fituar vetëm kur<br />kemi qenë të ndarë,iku ajo kohë
Partia Socialiste zhvilloi pasditen e kësaj të enjte në sheshin "Skënderbej" mitingun e parë, për zgjedhjet e 18 qershorit, vetëm pak metra larg çadrës së protestës së opozitës. 

Selia rozë ka vendosur kështu që të çelë fushatën, edhe pse jo zyrtarisht, përmes një takimi me të rinjtë e qarkut të Tiranës, të cilët votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare. 

Në këtë miting morën pjesë kryeministri Edi Rama, koordinatori i PS për Tiranën, Saimir Tahiri, kryebashkiaku Erion Veliaj, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të qarkut të Tiranës. 

Si kryetari i PS-së e njëherazi kryeministri Rama, ashtu edhe funksionarë të tjerë të selisë rozë, u shprehën entuziastë se zgjedhjet e 18 qershorit do rikonfirmojnë të majtën në pushtet. 

Madje, kreu i qeverisë shkoi edhe më tej kur deklaroi se PD ka fituar përballë të majtës vetëm kur kjo e fundit ka qenë e përçarë, ndërsa paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhë më, duke lënë të kuptohet kështu se PS-LSI do rinovojnë marrëveshjen e koalicionit, duke shkuar bashkë në zgjedhje. 

[gallery]21815[/gallery]

Rama: PD s'ka fituar kurrë, përveçse kur kemi qenë të ndarë
Kryeministri Edi Rama u shpreh se PD ka fituar përballë të majtës vetëm kur kjo e fundit ka qenë e përçarë.

Rama paralajmëroi një të majtë të bashkuar edhe në zgjedhjet e 18 qershorit, duke nënkuptuar kështu rinovimin e koalicionit PS-LSI.
 
"Ata s'kanë fituar kurrë përveçse kur ne kemi qenë të ndarë. Kanë përfituar nga ndarja jonë. Kanë përçarë dhe kanë fituar, por ajo kohë ka ikur", u shpreh Rama përpara të rinjve të qarkut të Tiranës të cilët më 18 qershor votojnë për herë të parë. 
edi rama
(Kryeministri Edi Rama sot në mitingun e PS)

Kreu i qeverisë komentoi edhe sulmet e opozitës në adresë të ambasadorëve të huaj në vendin tonë, duke i cilësuar ato si të pazakonta.
 
Sa i takon çadrës së PD përpara zyrës së tij në Kryeministri, Rama tha se ka për qëllim të ndajë Shqipërinë nga Europa.
 
"Ajo çadra kërkon të na ndajë së gjalli edhe nga Europa", tha Rama.
 
Më tej, ai ironizoi duke shtuar se çadra është bërë si estrada e Ballshit, estradë që merr në gojë njerëzit.
 
Sipas tij, protestuesit e ngujuar në çadër do marrin fund në 18 qershor, kur siç theksoi Rama, PS të rikonfirmohet në pushtet.
 
"Çadra që është bërë si estrada e Ballshit në kohën e qepës që tallej me imperializmin amerikan, është bërë si estradë në mes të bulevardit merr në gojë gjithë dynjanë, të gjithë trafikantë, kriminelë, shqiptarë, amerikanë, vetëm ata 200 burra atje janë, mos e pyet, qelibarë. Ata janë të kulluar, të pastër. Të gjithë të tjerët s'janë gjë tjetër veçse një mafie e madhe ndërkombëtarë, pjesë e një konspiracioni të paparë, për të shpëtuar shqiptarët nga gjin-ët dhe gjon-at e sistemit të drejtësisë. Për të shpëtuar Shqipërinë nga lidhja si mishi me thoin i politikanëve me gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe tani po shohin se në 18 qershor është shpresa e fundit dhe kështu e thonë, po shkuam në 18 qershor, mbaruam...të mbaruar jeni se në 18 qershor nuk e ndal askush fitoren tonë për të vazhduar për të bërë shtet, për të rritur ekonominë, punësimin.
 
Deri në 18 qershor, mos harroni se vota vlen shumë, mos harroni se nuk janë të gjithë njësoj dhe mos harroni se ato që kemi arritur me kaq shumë mund t'i humbasim sa hap e mbyll, ndërkohë sa shumë kemi për të  bërë akoma, mund ta bëjmë edhe më shumë sa ishim në qershorin e kaluar
", tha shefi i ekzekutivit. 



Batuta e Ramës: Sali mblidh mendjen, do e mbyllësh jetën politike në çadër
Kreu i qeverisë nuk kurseu as batutat gjatë fjalës përpara të rinjve.

Rama tha se ish-kryeministri Sali Berisha ka në pushtet qëkur ka lindur ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.  
 
"Faleminderit Kavajës që do shtet, faleminderit Dajtit që do punë, ku janë këta të Dajtit, ka ndonjë nga kanunarët e mi të Surrelit, si katundar që jam...se thoshte sot Saliu, ai tallet me katundarët, o Sali unë jam qytetar që bëhem edhe katundar, se nuk e kam problem fare. O Sali mblidh mendjen, siç ta tha edhe Saimiri, Saimiri lindi, t'i ishe në pushtet, Saimiri u bë baba, ti prapë në pushtet..., tani nuk ka më Sali.
 
Do ta mbyllësh jetën politike në çadër...aty në çadër, qëndresë.
 
Ti, Luli dhe të gjithë ju të tjerët, Shqipëria do bëhet shtet. Drejtësia nuk do jetë si pazari i Lulit do jetë si pazari i Lali Erit
", u shpreh Rama.

Tahiri: Edi Rama, kryeministri ynë sot, kryeministër edhe nesër
Ish-ministri i Brendshëm, koordinatori i PS për qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, u shpreh se Edi Rama do jetë kryeministër edhe pas 18 qershorit. 

Përpara të rinjve të cilët votojnë për herë të parë, Tahiri paralajmëroi një fushatë intensive derë më derë për të kërkuar votën e qytetarëve. 
 
"Ju jeni forca e vërtetë e Partisë Socialiste. Secili prej jush është ftesa më e mirë, për prindërit tuja, për të afërmit tuaj, për këdo që njihni, që në 18 qershor bashkë me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, në 18 qershor të fitojmë dhe të ndërtojmë Shqipërinë që duam.

Kush voton për herë të parë, kush voton për herë të parë ka lindur me Saliun në pushtet. Sot prapë aty është. Merre me mend kush voton për herë të parë ka lindur duke qenë Saliu në pushtet. Ta mendosh brezi im, i Erionit, i Oltës, i Elisës, i shumë të tjerëve kemi qenë gati 10-11 vjeç dhe Saliu ishte prapë në pushtet. Është sot prapë atje te “Çadra”. Atje te “Çadra” është pasqyra e Shqipërisë që kishim. Atje te “Çadra” është vetëm 500 metër larg, është Shqipëria që nuk duam. Atje te “Çadra” janë 200 vetë, të ngujuar në burgun e popullit. Ndaj hajde t’i tregojmë të gjithë bashkë se kjo është Shqipëria që duam.

Kjo nuk është çështje humori. Ju sot jeni të lumtur. Po kjo nuk është çështje humori. Ne jemi 10 mijë vetë këtu. Dhe kjo nuk është çështje humori. Kjo është çështje shpirti. Kjo është çështje vetëdijeje. Kjo është çështje mendjeje. Është çështje vizioni. Ata duan Shqipërinë që kishim. Ne duam një Shqipëri më të mirë. Ata duan padrejtësi. Ne duam drejtësi. Ata zgjedhin gjyqtarin e korruptuar. Ne zgjedhim popullin. Ata duan atë që do të legalizojë partinë. Ne zgjedhim atë që do të legalizojë shtëpinë.

Ata duan ta trajtojnë Shqipërinë si tokën e tyre. Ne duam ata që kërkojnë tokën e tyre sot. Ata duan që të mbajnë mend karriget e tyre. Ne duam ekonomi për familjet shqiptare. Ata duan të rinj të pashkolluar. Ata duan njerëz të varfër, familje të varfra që t’i blejnë më lirë. Ne nuk duam një Shqipëri më të lirë. Ne duam një Shqipëri më të drejtë. Ne nuk duam një Shqipëri më të varfër. Ne duam mirëqenie. Ne nuk duam një shtet të shkatërruar. Ne duam një Shqipëri ku ka shtet. Ne nuk duam një qeveri që punon për vete. Po duam një qeveri që punon për shqiptarët. Ne nuk duam një kryeministër që mendjen e ka të mbrojë familjen e tij, por duam një kryeministër që mendon për çdo familje në Shqipëri.

Miqtë e mi,
ata duan të na bëjmë të dukemi njëlloj. Dëgjojini çfarë thonë te kutia e televizorit! Unë jam trafikant droge. Edi Rama është trafikant droge. Ambasadori i SHBA është mafioz. Ajo e BE, po ashtu! Por ata nuk kanë kuptuar një gjë. Populli ka sy dhe veshë. Populli kupton. Populli e di se ata janë e shkuara dhe nuk mbajnë dot peng të ardhmen. Ndaj fitorja është në dorën tuaj. Fitorja është në dorën e secilit prej jush. Ndaj jepini dorën njëri-tjetrit. Jepini dorën njëri-tjetrit për Shqipërinë që duam.

Lloj-lloj idioti mund të qeverisë nesër, në qoftë se ju e lini vendin bosh. Lloj-lloj mediokri mund të qeverisë nesër, në qoftë se ju e lini vendin bosh. Lloj-lloj injoranti mund të qeverisë nesër, në qoftë se ju nuk ngulni këmbë për Shqipërinë që duam. Ndaj hajde të bëhemi bashkë miqtë e mi. Hajde bashkohemi dhe shkojmë trokasim në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet, kudo ku ka njerëz. Nuk ka rëndësi kutia e televizorit, ka rëndësi kutia e zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi çfarë thonë ata të çadra, ka rëndësi çfarë thonë njerëzit. Nuk ka rëndësi sa bërtasin ata, por sa flet vuajtja e njerëzve me heshtje. Nuk ka rëndësi e shkuara dhe e ardhmja që duan të mbajnë peng ata, por ka rëndësi Shqipëria sot dhe Shqipëria që duam ne. Ka rëndësi Shqipëria.

PS ka një traditë, ne brenda pa dyshim flasim, bisedojmë, bëjmë gjithçka me njëri tjetrin vetëm për të gjetur rrugën e duhur. Por ne e dimë shumë mirë se sot ka rëndësi vetëm një gjë. Sot ka rëndësi jeta e çdo shqiptari në çdo cep të Tiranës, në çdo cep të Shqipërisë. Sot ka rëndësi të bëjmë shtet dhe të mos lëmë të shkatërrohet ajo që kemi ndërtuar. Sot ka rëndësi të ndërtojmë ekonominë dhe të mos lejojmë të shkatërrohet ajo që kemi ndërtuar. Sot ka rëndësi të qëndrojmë pranë çdo qytetari në çdo cep të Tiranës, sepse 18 qershori është aty. Në 18 qershor ka 2 mundësi: ose do futemi të gjithë bashkë në çadër ose do të shkojmë të gjithë bashkë në zgjedhje për të fituar Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Edi Rama. Dhe nuk ka dyshim që nga sot deri në 18 qershor janë gati 60 ditë. Në këto 60 ditë shkoni trokisni në çdo derë. Në këto 60 shkoni flisni me këdo njihni. Bindni këdo që njihni. Shkoni dëgjojini dhe bindini. Shqipëria që duam është aty. Në 18 qershor ndahet e ardhmja nga e shkuara. Në 18 qershor ndahet mirëqenia nga varfëria. Në 18 qershor ndahet e ardhmja Europiane e Shqipërisë nga prapambetja. Në 18 qershor ndahen ata që duan një Shqipëri më të mirë me ata që duan një Shqipëri të shkatërruar. Në 18 qershor ndahen ata që duan shtet me ata që duan rrëmujë, kaos. Në 18 qershor do të jetë festa jonë, festa juaj. Festa e shqiptarëve. Festa e kujtdo që do një Shqipëri Europiane. Në 18 qershor do të fitojmë të gjithë bashkë për Shqipërinë që duam.

Ju falënderoj pa fund! Jeni kaq shumë këtu sot, por shumë më shumë na ndjekin. Akoma më shumë na presin në çdo shtëpi. Për të shkuar, për të trokitur, për të folur, për t’i bindur se Shqipëria që duam bëhet me të gjithë bashkë. Askush nga ne vetëm nuk ja del dot nëse nuk bëhemi bashkë kthehemi mbrapsht, ndaj trokisni në çdo derë. Bëhuni bashkë. Bindini shokët, prindërit, kushërinjtë tuaj, komshinjtë tuaj sepse në 18 qershor do të fitojë Partia Socialiste e Shqipërisë, Edi Rama, do fitoni ju, do fitojë Shqipëria.

Jua thashë, në 18 qershor Shqipëria ka dy rrugë ose Shqipëria futet në çadër ose Shqipëria fiton. Në 18 qershor do të fitojë Shqipëria. Në 18 qershor do të fitoni ju. Tani dua të ftojë dikë këtu. Një njeri që në 18 qershor nuk voton për herë të parë, por që bashkë me ju, bashkë me ne në 18 qershor siç kemi bërë në këto 3 vite e gjysmë do mbyllim për herë të parë kapitullin e të shkuarës. Do të mbyllim për herë të parë Shqipërinë e shkatërruar për të ndërtuar të ardhmen që duam, për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Kryeministri ynë sot, Kryeministri ynë nesër Edi Rama"
, u shpreh Tahiri. 
saimir tahiri
(Koordinatori i PS për qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri)

Majko: S'premtojmë t'ju çojmë në plazh, por në BE
Deputeti socialist në qarkun e Tiranës, Pandeli Majko lëshoi një deklaratë thumbuese nga mitingu në sheshin "Skënderbej", se PS nuk u premton të rinjve se do t'i çojë në plazh, por do të çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.  
 
"Ne nuk iu premtojmë se do iu çojmë në plazh, iu premtojmë konspiracionin më të vjetër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shqipërinë anëtare të BE-së", u shpreh Majko.  
 
Duke iu referuar situatës politike, Majko i bëri thirrje opozitës të dalë nga çadra dhe të futet në rrugën e dialogut. Ai theksoi se janë të turpshme akuzat e Partisë Demokratike në adresë të ambasadorëve. 

Ish-kryeministri deklaroi gjithashtu se nuk do të ketë qeveri teknike. 
 
"Një thirrje atyre, dilni nga çadra dhe futuni në dialog.
 
Pse kanë frikë të ballafaqohen me PS në kutitë e votimit? PD s'ka pasur frikë as në 1997. Ç'është kjo frikë që i ka mbyllur këta djem e vajza, bura të gjakut tonë në çadër dhe thonë ejani të dialogojmë. Për çfarë të dialogojmë? Që t'iu dorëzojmë pushtetin në çadër?
 
Dialogun do ta bëjmë atje ku kemi marrë mandatin për të qeverisur, te kutia e votimit, atje dhe vetëm atje.
 
Doni qeveri teknike, qeveri besimi, por pse jemi parti të ndryshme sepse ka alternativa të ndryshme. Nuk do të ketë qeveri teknike. Qeveria teknike është te kutia e votimit ku përballë numëruesve të PS, janë numëruesit e opozitës, ajo është qeveria teknike
". 
majko
(Deputeti i PS, Pandeli Majko)

Veliaj: Një votë mund të vijojë ndryshimin e Shqipërisë
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi votën e të rinjve në 18 qershor për të vijuar ndryshimin e Shqipërisë. 

"Një votë mund të ndryshojë familjen.  

Vota që ne dhamë për PS-në ndryshoi çdo familje, pensoone më të larta, punë më të mira, për studentët u mbyllën kioskat universitare dhe notat për studentët vlejnë më shumë. 

veliaj
(Kryebashkiaku Erion Veliaj sot gjatë mitingut në sheshin Skënderbej)


Jam rritur në një familje të thjeshtë, s'isha fëmija i askujt, sot jap kontribut për qytetin tim se i përkas PS-së. S'ka rëndësi nga vini, si e keni mbiemrin, familjen që përfaqësoni, rëndësi ka që jeni në familjen më të madhe sot në Shqipëri, në Partinë Socialiste. 

Kemi ndryshuar Tiranën, sot ka shkolla të reja, çerdhe të reja, lagje të rikonstruktuara, qyteti ynë falë votës është zgjuar nga gjumi. 

O do zgjedhim çadrën, o do zgjedhim punën, o do zgjedhim çadrën, o do zgjedhim PS-në për një fitore të jashtëzakonshme. 

Një votë e ndryshon një familje, një lagje, një qytet, por një votë e ndryshon një komb dhe vota për PS ka fuqinë të vazhdojë ndryshimin e Shqipërisë". 


  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij