Rama për Clinton: U dha shpresë ‘Shqiponjave’ të përzënë nga shtëpia e tyre! Kasapi i Beogradit do kishte vazhduar edhe më tej të grabiste kohë për Ballkanin

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar kontributin e presidentit Bill Clinton për kombin tonë. Në një fjalim para kryeministrisë ku është i pranishëm ish-presidenti Clinton, Rama u shpreh se kasapi i Beogradit, mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet, nëse ai nuk do të kishte mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

'Filozofët kanë debatuar rreth forcës të përcaktuar të klimës së një vendi mbi karakterin e  njerëzve. Duke qenë shqiptar unë kam dëshirë të besoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për emrat e vendeve, fundja ne jemi vendi i shqiponjave dhe na vjen shumë mirë që kjo të jetë e vërtetë. Vendlindja e presidentit Klinton quhet Hope, shpresë dhe mbase nuk është krejt rastësi që shpresën, shtëpinë e tij, ai ua ridha shqiponjave të përzënë nga shtëpia në Kosovë.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara na mësoi me shembullin e oratorisë së tij dhe me forcën e shembullit të tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh, se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija, nuk ka kurrë popuj të këqij. Askush nuk e di sesi të kishte qenë e sotmja e rajonit tonë pa zotërinë që do të flas pas pak, por mund të thuhet pa frikë se koha që ka rrjedhur nga ai vendim historik dhe deri më sot mund të kishte qenë shumë më e zymtë sesa edhe mund të guxojmë ta marrim me mend. Jo vetëm për Kosovën dhe për pasojë për të gjithë shqiptarët, por dhe për Serbinë dhe për pasojë për të gjithë serbët, dy kombet më të mëdhenj të Ballkanit popujt e të cilëve janë të shtirë në më shumë sesa brenda shtetit tyre amë dhe janë të dënuar të jetojnë përjetësisht së bashku duke zgjedhur që ose ta kthejnë Ballkanin në hapësirën e një jete të re të triumfit, të paqes mes veti ose ta lënë peng mes mureve të vjetra të frikës dhe të jetuarit me kurriz ndaj njeri tjetrit, por mund të thuhet besoj pa frikë se gjysmë milionë refugjatët kosovarë të cilët nën furinë e makinerisë gjakatare të Beogradit erdhën për të kërkuar shpëtim në Shqipëri, mund të mos ishin kthyer dot më në shtëpi. Vetë kasapi i Beogradit mbase mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet dhe jo prapa hekurave dhe e shkuara për të ardhur deri këtu ku jemi mund të kishte grabitur kushedi sesa kohë akoma të ardhmes së popujve të Ballkanit.

Pa diskutim kontributi i drejtpërdrejtë personal i presidentit Klinton për shqiponjën tonë binjake matanë bjeshkëve është i të tilla përmasave saqë eklipson natyrshëm kontributin e administratës Klinton për Shqipërinë, i cili në vetvete ishte mjaftueshëm i çmuar në atë kohë kur vendi ynë dilte nga një izolim i paparë askund në lindjen komuniste si një Kore Veriore në mes të Europës, ku liria erdhi bashkë me një kaos dhe një çoroditje te pashoqe.'- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Bill Clinton në Tiranë: Po shoh të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë! Rama: Presidenti më shqiptar që gjetëm në SHBA


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi