Rama për "Francë 24": S'jemi
vend mysliman, por europian

Rama për vend mysliman, por europian">
FRANCE- Në intervistën e dhënë për televizionin francez “France24” kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e procesit të integrimit europian për Shqipërisë. Kreu i qeverisë u është drejtuar vendeve të BE-së, duke u shprehur se “Shqipëria nuk është një vend mysliman, është një vend europian”, që dëshiron t’i bashkohet familjes evropiane.

"Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që, të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. Për Europën kjo Shqipëri është një pasuri. E, të prezantohet thjesht si një vend mysliman është shumë e gabuar, dhe në anën tjetër të gjithë ata që e përshkruajnë historinë e Shqipërisë myslimane si një histori që na pengon që të shkojmë në Europë, atëherë më lejoni të them që më vjen keq për injorancën tuaj dhe kapacitetin për të kuptuar që Europa nuk është një klub i krishterë, por është diccka shumë më e madhe, më humane dhe më e mrekullueshme se kjo. Unë nuk kam dëgjuar kurrë të thuhet Franca kristiane, kam dëgjuar Franca laike, por sigurisht ka të krishterë dhe myslimanë", tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin në dhjetor, dhe se ky fakt nuk i bëri mirë as Shqipërisë dhe as rajonit.
 
Duke e cilësuar marrjen e statusit të vendit kandidat një etapë të rëndësishme, kryeministri Rama përmend edhe përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve dhe realizmin e reformave.
 
Gazetarja: Shqipëria është një vend ish komunist që dëshiron të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Europian në samitin e ardhshëm më 26-27 qershor.
Përshëndetje Zoti Edi Rama! Po ju kujtoj që para se të bëheshit Kryetar i Qeverisë shqiptare ju ishit artist, piktor, ju ishit kryebashkiak i Tiranës, socialist ta theksoj. Përse sot marrja e statusit të kandidatit është e rëndësishme për ju?

Mendoj se projekti i Bashkimit Europian i projektuar nga themeluesit është projekti më i mirë që civilizimi ynë mund të ketë imagjinuar. Shqipëria ashtu si dhe Ballakani bëjnë pjesë në këtë projekt. Ndërkohë dëshira e popullit shqiptar, ashtu si e të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit, është shumë e fortë për t’ju bashkuar Familjes Europiane.

Gazetarja: Zoti Rama Komisioni Europian rekomandon që t’ju jepet ky status, por i takon  28 shefave të shteteve të vendosin në samitin e ardhshëm dhe nga eksperienca e 2009 keni pasur një numër të madh bllokimesh, jeni optimist kësaj here?

Po! Mendoj se Shqipëria duhej ta kishte marrë statusin në muajin dhjetor. Nuk i ka bërë aspak mirë as Shqipërisë, as rajonit, që nuk e mori menjëherë. Sepse në fund të fundit statusi nuk është anëtarësim. Anëtarësimi do të jetë pas 10 vjetësh, por është një etapë shumë e rëndësishme për të filluar nga puna seriozisht për këtë proces modernizimi. Një proces, që mund të jetë i një cilësie shumë të mirë falë negociatave dhe këtij instrumenti integrimi, që është unik dhe i paçmueshëm.

Gazetarja: Të kujtojmë në 2013, Franca, Gjermania, Anglia dhe Hollanda që ju kundërvunë këtij statusi me justifikim e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ju jeni të 116-tët nga 177-të në listën e  Transparencës Ndërkombëtare.

Do të jem shumë i sinqertë, pasi nuk di të jem ndryshe.

Së pari, refuzimi i dhjetorit ishte i lidhur me zgjedhjet e Bashkimit Europian. Është ky problemi më i madh i projektit europian sot, sepse Evropa është bërë taktike, e lidhur me fatin e zgjedhjeve të vendeve anëtare, dhe zgjedhje pas zgjedhjesh, bëhet gjithmonë e më pak strategjike.

Gjithashtu, në muajin dhjetor ne ishim në krye të qeverisë prej tre muajsh pas zgjedhjeve që fituam nga vota e lirë e popullit dhe rezultati ishte i qartë, por vendet anëtare kishin nevojë për më tepër kohë dhe iu kërkua Komisionit të ndiqte këtë proces deri në qershor dhe të paraqiste një Raport Progresi pak të veçantë për qëndrueshmërinë e luftës ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit.

Gazetarja: Ju keni thënë që do të pushoni disa policë, por edhe do të ndiqni disa ish ministra, ish përgjegjës në kuadër të një hetimi nga prokuroria, por a do ta zgjidhin këto hetime problemin e përgjithshëm në një vend ku zakonisht hetimet nuk arrijnë të nxjerrin rezultate. Dhe ka disa detyra që ju janë caktuar. A jeni të gatshëm t’i realizoni këto detyra që u janë vënë?

Ne jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës. Nuk është qeveria ajo që duhet të bëjë hetime. Por, ne kemi një objektiv të madh për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të bazohet në vlerat dhe parimet e mekanizmat e një vendi europian që respekton standardet europiane dhe kriteret për një drejtësi të vërtetë dhe të drejtë. Është edhe kjo një arsye për të cilën kemi nevojë për statusin kandidat; Për të filluar projektin e madh të reformave, që do marrë kohë, por padyshim do të na çojë në drejtimin e duhur.

Gazetarja: Më lejoni të theksoj që ju jeni socialist, zoti Kryeministër dhe kur ishit në opozitë, një opozitë tepër aktive ndaj zotit Sali Berisha në atë kohë. Dhe ju i refuzonit ligjet e integrimit për Gjykatën e Lartë, për punonjësit civilë dhe funksionimin e parlamentit, tashmë ligjet kanë kaluar, fatmirësisht. Kjo klimë tepër e ashpër verbalisht në Shqipëri a nuk është një pikë negative për integrimin?

Problemi është në funksionimin e demokracisë dhe, siç e përmendët, ne ishim në një pozicion ku ishim të bindur se duhej të mbronim demokracinë dhe vlerat e demokracisë, sepse për mua Shqipëria europiane dhe Shqipëria në Evropë nuk është thjeshtë, vetëm nxjerrja e ligjeve çdo ditë, por çka zbatohet në jetën e përditshme. Ky është ndryshimi ndërmjet nesh, socialistëve të mazhoracës sot dhe qeverisë së mëparshme. Më parë bëheshin ligjet, por nuk zbatoheshin.

Gazetarja: Përsa i përket jetës së përditshme dhe reformave. Ekonomia është një çështje e rëndësishme tek ju. Banka Botërore ka  paraqitur që keni një rritje me 2% që është shumë mirë për 2014. FMN ju ka dhënë hua 330 milion euro për të forcuar ekonominë tuaj. Po rimbursoni borxhet tuaja, por si do të dilni nga situata e vendit më të varfër në Europë?

Ne jemi një vend goxha i pasur përsa i përket burimeve. Jemi një vend goxha i ri përsa i përket popullsisë. Po ashtu jemi krenarë që kemi bërë një program me FMN, një program për rritjen ekonomike dhe jo për masa shtrënguese. Jemi krenarë që kemi fituar besimin e tregut dhe, në fund, jemi një vend që duhet të zhvillohet në formën që duhet nëse investojmë në edukim dhe kulturë. Sepse kemi bindjen se vendet nuk janë të zhvilluara ose më pak të zhvilluara, për atë që kanë, por për atë që dinë.

Pyetje në studio nga Noelle Lenoir, Presidente e Institutit  të Europës: Zoti Kryeministër prej disa vitesh vendi  juaj dëshiron të jetë kandidat në Bashkimin Europian, mund të themi që ka shumë gjëra që duhet të rregullohen, por tani momenti i të vërtetës erdhi, pasi jo më vonë se muajin e ardhshëm liderët e Europës do të vendosin të mirëpresin kandidaturën tuaj zyrtare në Bashkimin Europian. Shumica e shqiptarëve janë proeuropianë, gjë që më kënaq personalisht. Por nëse shohim në Europë sidomos pas zgjedhjeve europiane, gjithmonë e më tepër është rritur euroskepticizmi në popullsinë europiane. Është rritur në mënyrë shqetësuese sidomos në Francë, partia nacionaliste, partitë antieuropiane. Ndërkohë  që vendi i fundit që iu bashkua Europës, Kroacia që ishte një vend euroentuziast ka treguar që kishte një lloj mosinteresi në popullsi, pasi sipas votës mbështetja ishte vetëm 25 %.

Pyetja ime është si më poshtë;

A mendoni se shqiptarët janë gati të përballojnë shock-un e një hyrjeje në një bashkësi si ajo e Bashkimit Europian? A mendoni se shteti juaj është mjaftueshëm i fortë për t’u përballur me këtë sfidë dhe a nuk mendoni dhe ju se do ketë një lloj deziluzioni pasi të jeni pranuar në Bashkimin Europian?

Gazetarja: Përgjigja juaj zoti Kryeministër?


Pikë së pari, mbi të gjitha Europa që ne ëndërrojmë nuk është Europa që ne kemi. Rritja e antieuropianizmit dhe rritja e këtij negativiteti lidhet me nevojën e një Europe të ndryshme, të një Bashkimi Europian që është më pranë projektit të jashtëzakonshëm të imagjinuar nga themeluesit e tij; të një Europe më tepër politike, më tepër të bashkuar, dhe, në fund, ne kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara të Europës. Kjo Europë është në mes, dhe kjo vendosje në mes është më tepër një argument kundër Bashkimit Europian sesa një argument pro Bashkimin Europian.

Së dyti, më lejoni t’ju them që Ballkani është identifikuar gjithmonë me luftën, konfliktet, urrejtjen, armiqësinë. Sot në 2014, në përvjetorin 100-të të fillimit të Luftës së Parë Botërore në Ballkan, është viti i parë që ka paqe, nuk ka asnjë konflikt. Përse? Sepse të gjithë popujt e Ballkanit kanë rënë dakord nëpërmjet liderëve të tyre, që të bëjnë paqe për Europën, për t’iu bashkuar këtij projekti të jashtëzakonshëm si ai i Shteteve të Bashkuara të Europës.

Gazetarja: Europa është zgjeruar shumë shpejt. Për 10 vjet kemi kaluar nga 15 në 28 anëtarë. Është e vërtetë që procesi i zgjerimit duket sikur ngadalësohet, pranimi i Serbisë u bë në janar, por Mali i Zi, Maqedonia, Kosova  kanë më pak perspektiva së fundmi. A nuk besoni në një lodhje nga zgjerimi i kësaj Europe mbi këtë projekt?

Nuk e di nëse Europa është zgjeruar shpejt apo jo, por ajo nuk di akoma të përshtatet me sfidën e re të një bote që ka ndryshuar më shpejt sesa Europa, sesa vetë Bashkimi Europian. Është e qartë që kemi nevojë për më shumë Europë, se sa jo për të.

Është e qartë që kjo rritje ekstremizmi të frikëson, nga mënyra se si ndjenjat e thjeshta të njerëzve janë manipuluar dhe se si argumentet totalisht të gabuara kanë gjetur terren. Dhe kjo, duhet të shërbejë si një shtysë e madhe drejt asaj që ne nuk kemi arritur si projekt europian dhe jo si kthim mbrapsht që do të jetë vetëvrasës- pasi jam totalisht dakord me Presidentin Hollande kur thotë që ‘nëse dilet nga Bashkimi Europian është të dalësh nga Historia’.

Për ne, të dalim nga një traditë konflikti është të hymë në Histori për Europën dhe me Europën.

Gazetarja: Për ta përfunduar ju keni shpesh ndjesinë që Serbia është e favorizuar në raport me Shqipërinë, kjo është e lidhur me faktin që ju jeni një vend mysliman, si shpjegohet.

Këtu kam diçka për të sqaruar. Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që, të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. Për Europën kjo Shqipëri është një pasuri. E, të prezantohet thjesht si një vend mysliman është shumë e gabuar, dhe në anën tjetër të gjithë ata që e përshkruajnë historinë e Shqipërisë myslimane si një histori që na pengon që të shkojmë në Europë, atëherë më lejoni të them që më vjen keq për injorancën tuaj dhe kapacitetin për të kuptuar që Europa nuk është një klub i krishterë, por është diccka shumë më e madhe, më humane dhe më e mrekullueshme se kjo. Unë nuk kam dëgjuar kurrë të thuhet Franca kristiane, kam dëgjuar Franca laike, por sigurisht ka të krishterë dhe myslimanë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç