TIRANE- Gjethet e marra poshtë pemëve të Liqenit të Tiranës, të hedhura në oborrin e “Shtëpisë së gjetheve”, janë e vetmja “e pavërtetë” mes vërtetave rrëqethëse që ka shkaktuar qendra shqiptare e spiunazhit e regjistruar zyrtarisht me emrin “Gjethi”. Për të zbukuruar simbolin e komunizmit ato janë marrë nga Parku i Liqenit Artificial.

Kështu në një atmosferë tepër të veçantë godina 84-vjeçare e përdorur nga ish-Sigurimi i Shtetit si qendra e përgjimeve të diktaturës komuniste, u çel dje për herë të parë për publikun. Gjethet e bimëve kacavjerrëse që i jepnin misterin e frikshëm godinës së ndaluar për shqiptarët, tashmë janë hequr nga muret. Çdo gjë është autentike, deri tani “falsifikimi” i vetëm është gjethja e marrë nga liqeni. Ndërtesa dje është shfaqur si një muze i hapur, pagëzuar si “Muzeu i Përgjimeve”.