Lidhur me arsyen se për procesin e integrimit duhet konsensus me opozitën Kryeministri Rama tha se: “Mund të gjejmë lloj-lloj arsyesh, për të fshehur arsyen e vërtetë. Arsyeja e vërtetë, sipas meje, është se sot na mungon një Europë vërtetë politike dhe një Europë strategjike. Varemi gjithnjë e më shumë nga një Europë taktike”
I pyetur nëse Shqipëria ka gjumë të epokës së diktaturës, Rama u përgjigj se: “Vendet, të cilave u është dashur të kalojnë nga ferri komunist, do të kenë nevojë për pak më shumë kohë, për të dalë tërësisht nga kjo gjendje. Por mendoj se Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve, ka bërë përparime të konsiderueshme”.
“Kur flasim për rilindje, ne flasim për Europën, jo si një stacion që na pret diku në një rrugë jashtë Shqipërisë, por si një udhëtim brenda vendit tonë, për të rizbuluar rrënjët tona europiane dhe arsyet që ne kemi për të qenë europianë, për të rizbuluar Europën këtu tek ne.” – u shpreh Rama
INTERVISTA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMA PËR TELEVIZIONIN FRANCEZ TV5
Ndodhemi në Sallën e Hartave, një sallë e mrekullueshme ku na pret Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Faleminderit për pritjen, për këtë takim dhe për këtë intervistë për kanalin TV5. Fillimisht, përsa i përket diktaturës: Si mendoni ju, Shqipëria ka gjurmë të asaj epoke, apo ka një demokraci normale?
Mendoj se të gjitha vendet, të cilave u është dashur të kalojnë nga ferri komunist, do të kenë nevojë për pak më shumë kohë, për të dalë tërësisht nga kjo gjendje, sepse ne mund ta ndryshojmë një sistem, apo mund ta shembim murin edhe brenda një nate, por për të ndryshuar një shoqëri dhe mënyrën e të menduarit dhe të të parit të gjërave, do të na duhej më shumë kohë. Por, nga ana tjetër, mendoj se Shqipëria, gjatë gjithë këtyre viteve, ka bërë përparime të konsiderueshme. Nëse e keni fjalën për demokracinë, në kuptimin që kishte kjo fjalë për Montesquieu, nuk jam i sigurt as për Francën, nëse e ka.
Situata ekonomike e vendit tuaj, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, shpresa për të hyrë në Europë… Ju flisni për Rilindje. Me këtë nënkuptoni rilindje në raport me epokën e tmerrshme, apo… A mund të na e saktësoni mendimin tuaj?
Mendoj se, për fat të keq, Shqipërisë i është dashur të paguajë një kosto të lartë për të shkuarën e saj, në kuptimin që, nëse e shohim rrugën që kanë bërë drejt Europës, vendet që kanë dalë nga perandoria komuniste, kuptojmë që ata që arritën të ulen të parët në tryezën e Familjes Europiane, ishin ata që pësuan më pak dëme nga komunizmi dhe që gjetën më shumë pika reference në të shkuarën e tyre para komunizmit. Për shembull, do të thosha që për polakët, komunizmi ishte një eksperiencë e tmerrshme, por tranzicioni ishte një eksperiencë shumë më e thjeshtë sesa për ne, sepse kishin shumë gjëra në të shkuarën e tyre dhe krijimi i raportit ishte shumë më i thjeshtë.
Për një vend si Shqipëria apo për vendet e rajonit të Ballkanit, e shkuara ka qenë shumë më pak bujare sesa për vendet e tjera dhe përpjekja duhet të jetë më e madhe. Kur flasim për rilindje, ne flasim për Europën, jo si një stacion që na pret diku në një rrugë jashtë Shqipërisë, por si një udhëtim brenda vendit tonë, për të rizbuluar rrënjët tona europiane dhe arsyet që ne kemi për të qenë europianë, për të rizbuluar Europën këtu tek ne, duke ndërtuar një Shqipëri europiane.
Keni aspiruar dy herë për të hyrë në Familjen Europiane dhe dy herë jeni refuzuar. Pas disa ditësh, në qershor, ju shpresoni për të tretën herë, të merrni statusin e kandidatit. Për ju është një sfidë. Nuk do të jetë e fundit. Por duket që do të jetë një takim shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe për 3 milionë shqiptarët.
Do të ishte mirë po të kishte qenë e treta, por, në fakt, është e katërta. Dua të jem shumë i sinqertë me ju dhe kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për ne, por edhe për Europën. Sepse nuk bëhet fjalë për anëtarësim. Nëse do të ishte fjala për anëtarësimin, do ta kuptoja ngurrimin. Këtu bëhet fjalë vetëm për një mjet inkurajues. Nuk është as pranim, as negociata për pranim. Statusi i kandidatit është një mjet i krijuar shumë më vonë sesa procesi i pranimit. As Polonia, as Çekia, bile as Bullgaria dhe Rumania nuk e kanë patur statusin e kandidatit. Vendet që përmenda janë bërë kandidatë në çastin që kanë filluar negociatat. Statusi i kandidatit është krijuar, është shpikur nga Romano Prodi dhe Komisioni i asaj epoke, për të inkurajuar maqedonasit dhe shqiptarët e Maqedonisë të jetonin së bashku dhe të gjenin një pikë të përbashkët reference tek Europa, në një moment tragjik për ta, kur ata rrezikonin luftën civile. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë, një pilulë antidepresive, për të inkurajuar një shoqëri të gjejë tek Europa, një pikë reference. Unë jam i tronditur përpara këtij ngurrimi, sepse Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Jo sot, por e ka merituar edhe më parë. Ajo meriton të inkurajohet, meriton t’ i jepet një pikë reference dhe të ecë përpara drejt procesit të integrimit.
Franca bën pjesë në vendet që kanë ngurruar të japin aprovimin. Ju e njihni Francën, keni jetuar aty. A e kuptoni pozicionin francez?
Si kryeministër i Shqipërisë, e kuptoj. Si qytetar i Europës, që kam jetuar në Francë dhe që kam qenë i frymëzuar nga Franca, Anglia, SHBA, Europa, gjatë një periudhe kur ishim tërësisht të izoluar dhe frymëzimi na vinte nga çdo gjë që na jepte forcë reagimi dhe qëndrese nga Europa, nuk e kuptoj.
Kur ju ishit në opozitë, në një moment të caktuar, ju kishit mundësi të votonit disa ligje, të cilat ishin hartuar në bashkëpunim me Brukselin, për të lehtësuar pranimin. Në atë moment, ju votuat kundër. Si e shpjegoni këtë ndryshim?
Do të më duhej ta përmbysja pyetjen e të thosha: Si ka mundësi që pas votimit të të gjitha ligjeve të kërkuara, ne nuk morëm atë që na premtuan? Na thanë: “Votoni këto ligje dhe do të përfitoni këtë”. Duhet të jemi të qartë dhe të sinqertë. Statusi i kandidatit është një vendim politik dhe nuk ka lidhje fare me negociatat. Në negociatat për pranim, kemi të bëjmë me një proces shumë më të qartë dhe shumë më të lidhur me detyra konkrete dhe gjëra që duhet të bëjmë sipas një kalendari të përcaktuar mirë. Kjo është sfida e vërtetë e një vendi si Shqipëria, apo e një vendi që dëshiron të integrohet. Ne duam të futemi në këtë proces, sepse, siç ka thënë një njeri që unë e admiroj dhe kam pasur fatin e madh ta njoh shumë vite më parë: “Procesi i integrimit është një mjet absolutisht unikal për një vend si Shqipëria, për të ndihmuar modernizimin e saj.” Kështu që, për ne, procesi është edhe më i rëndësishëm se pranimi.
A nuk duhet të kalojë ky proces nëpërmjet një minimum konsensusi midis opozitës dhe pozitës, me qëllim që të krijohet një mekanizëm për t’ju përshtatur Europës?
Mund të gjejmë lloj-lloj arsyesh, për të fshehur arsyen e vërtetë. Arsyeja e vërtetë, sipas meje, është se sot na mungon një Europë vërtetë politike dhe një Europë strategjike. Varemi gjithnjë e më shumë nga një Europë taktike, që është e lidhur me zgjedhjet e ardhshme në 28 vende anëtarë dhe me zgjedhjet e ardhshme europiane.
Unë fola për kriminalitetin në Shqipëri, por, nga ana tjetër, nuk mendoj se lufta kundër kriminalitetit, sot është një luftë lokale, e një vendi të vetëm. Është një luftë ndërkombëtare kundër rrjeteve që janë “më shumë politike dhe më strategjike” se rrjetet europianë të politikës europiane, rrjetet e kriminalitetit. Kriminaliteti në Shqipëri është problem, por nuk mund ta kufizojmë kështu problemin. Duhet të kuptojmë diçka. Shqipëria ka një nevojë jetësore për Europën. Ky vend ka një nevojë jetësore. Por mendoj se Europa ka gjithnjë e më shumë nevojë për këtë rajon dhe për Shqipërinë, sepse është e kotë të mendosh që çdo gjë që ndodh jashtë mureve, nuk ka rëndësi për Europën. Sa më shumë gjëra të pakëndshme të ndodhin jashtë mureve të Europës, aq më keq ecën ajo.
Sigurisht, kriminaliteti nuk ekzizston vetëm tek ju, por për të hyrë në Europë, për të qenë kandidat, duhen plotësuar kritere që kanë të bëjnë me qeverisjen, të drejtën e pronës. Pra, ka shumë punë për të bërë dhe kjo ende nuk është arritur në vendin tuaj, sipas ekspertëve.
Unë mendoj se për t’u bërë anëtar i Europës, duhet t’i bindësh të gjithë që ne jemi të aftë të respektojmë këto rregulla. Por, çështja e pranimit do të zgjasë të paktën dhjetë vjet. Të jesh një vend kandidat, do të thotë thjesht të respektosh një propozim të Komisionit Europian, që merret me këtë dhe që ka propozuar në mënyrë të qartë vjet, që Shqipëria duhet ta marrë statusin e kandidatit. Atëherë, përse nuk e morëm? Për arsye që janë politike dhe që nuk lidhen, sipas meje domosdoshmërisht, me Shqipërinë.
Cilat janë këto arsye?
Jua thashë, janë kushtëzime nga vende të ndryshme, nga politika e brendshme që bëjnë që vendimi të shtyhet…
Janë frikërat nga zgjerimi, apo…?
Unë them thjesht që nuk duhet parë gishti, kur ai është i drejtuar nga hëna. Janë arsye shumë më të ndërlikuara sesa ajo që thuhet. Politika është bërë për të treguar të gjitha historitë që duhen treguar, në momente kur ka gjëra që nuk duhen treguar.
A do të ndryshojë diçka në qershor, pasi do të jemi menjëherë pas zgjedhjeve europiane. A ka rrezik, pasi janë katër vende që ngurruan të votonin pro: Danimarka, Franca, Vendet e Ulëta dhe Mbretëria e Bashkuar. Në këto vende, partitë e ekstremit të djathtë mund të mbërrijnë në majë në zgjedhjet europiane. A ka mundësi të votojnë pro?
Nuk ishte ky shpjegimi im por,… ju falënderoj nga zemra, sepse liria juaj dhe ndershmëria juaj profesionale, ju jep mundësinë të flisni drejtpërdrejt, për diçka që për mua do të ishte ndoshta pak më e vështirë, por është e vërtetë që ka një kushtëzim të ekstremit të djathtë për Europën, por jo për Shqipërinë. Sepse, unë mendoj që nëse ka një gjë që ka ndryshuar, është që ne nuk mendojmë më si në epokën komuniste, që jemi qendra e botës dhe nuk mendoj se Shqipëria është një vend që ka një peshë më të madhe sesa e ka në të vërtetë. Problemi është më kompleks dhe më i rëndësishëm për vetë Europën. Kushtëzimi i politikës europiane, nga partitë e ekstremit të djathtë dhe ngurrimi në përgjithësi i Europës së ëndërruar nga gjenerali de Gaulle, nga Adenauer dhe të tjerë, sot është rreziku më i madh për Europën e nesërme.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)