Rama: Policët fushatë pas pune
PD-LSI dhe Demiraj: E ndalua

Thirrja që kryeministri Rama u bëri sot nga Kuçova policëve të shtetit që të marrin pjesë në fushatë pas orarit të punës ka shkaktuar reagimin e ashpër të PD, LSI, por edhe të Ministrisë së Brendshme.
 
Lulzim Basha deklaroi se policia është e depolitizuar, ndërsa LSI e cilësoi si skandal dhe kërkoi reagimin e SHBA, pasi sipas tij, Rama po tenton që të vjedhë votat në 25 qershor.
 
Ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrit teknik të Brendshëm, që ka paralajmëruar policët që të mos marrin pjesë në fushatë, pasi rrezikojnë 1-5 vite burg, pasi sipas ligjit, punonjësit e policisë nuk duhet të mbështesin asnjë forcë politike.

Rama: Policë, mblidhni sa më shumë vota për PS
Kryeministri u bëri thirrje policëve dhe mësuesve që pas orarit të punës të kërkojnë votat për PS për të vazhduar reformat dhe jo të kthehen në kohën e Saliut.
 
U bëj thirrje mësuesve të gjithë Kuçovës dhe gjithë Shqipërisë të mos lenë minutë, ditë e natë pa shfrytëzuar që dinjiteti i tyre i vënë në vend të cenohet përsëri.
 
I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në momentin që lënë uniformën, pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën e tyre.

I bëj thirrje punonjësve të shtetit të bëjnë të njëjtën gjë, do rrisim rrogat me 40% dhe do bëjmë të mundur që për herë të parë administrata të jetë e shtetit dhe jo e coptuar në zyra të partisë së pushtetit
” tha Rama.
 
Pak orë më pas kryetari i grupit të LSI, Luan Rama ka reaguar ashpër për thirrjen e Ramës për policinë e shtetit për të mbledhur vota pas orarit të punës, pasi sipas tij, ky institucion është i depolitizuar dhe nuk mund të marrë pjesë në fushatë as jashtë orarit.



LSI: Skandal, Rama do vjedhë votat, të reagojë SHBA
Luan Rama e cilësoi thirrjen e Ramës si provokative, ndërsa kërkoi nga trupi diplomatik, ambasadori i SHBA dhe të BE, të analizojnë dhe të mbajnë qëndrim publik ndaj shqiptarëve përballë kësaj deklarate provokative kundër ligjit.
 
Qëndrim i papërgjegjshëm i Ramës, në humbje totale të logjikës ka deklaruar sot në Berat se fton policinë e shtetit, që pasi të lerë orarin e punës të mbledhë vota për PS pas orarit të punës.
 
Ky është një rast skandaloz, provokativ, pasi policia e ka të ndaluar të marrë pjesë edhe pas orarit të punës në veprimtari politike dhe të mbledhë vota për llogari të ndonjë subjekti.
 
Policia e shtetit është e depolitizuar, përcaktim i qartë, që do të thotë ndalim absolut për pjesëmarrje në fushatë, nëse nuk e kupton le të pyesë këshilltarët.
 
Rama urdhëron policinë të vjedhë vota për Rilindjen, Rama dërdëllit se po bën shtet, por shfaqet si njeri anti-shtet.
 
Kërkojmë nga zv/ kryeministrja e Task Forcës, nga ministria dhe policia që të distancohen nga ky qëndrim provokativ dhe humbje të plotë të kontrollit.
 
Policët mos i përgjigjen kësaj përgjigje, por mos guxojë askush të mbledhë vota, as për Rilindjen dhe as për një forcë tjetër, por të zbatojnë ligjin, pasi në të kundër nuk do të keta rilindas që do ta mbrojë atë rilindas që trafikon vota.
 
Kjo është një deklaratë e turpshme, Rama i papërgjegjshëm. Ftoj trupin diplomatit dhe ambasadorin e SHBA dhe të tjerët të BE, të analizojnë dhe të mbajnë qëndrim publik ndaj shqiptarëve përballë kësaj deklarate provokative kundër ligjit
” deklaroi Luan Rama. 



Basha: Policia nuk mund të bëjë fushatë
Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha doli kundër thirrjes së Ramës për pjesëmarrjen e policisë së shtetit në fushatë.

Kjo është e paprecedentë. Policia është e depolitizuar. Këto thirrje të çojnë në kohën e partisë-shtet. Kjo është shenjë e dëshpërimit të Ramës” tha Basha në emisionin ‘Zonë e Lirë’.

Demiraj: Për policët ndalohet me ligj fushata
Ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj në një dalje të menjëhershme për mediat paralajmëroi policinë e shtetit që të mos marrë pjesë në fushatë, pasi cdo punonjës rrezikon burg nga 1-5 vite burg.
 
Ai ftoi policët që të respektojnë ligjin, pasi janë në monitorim të rreptë. “Policia e ka të ndaluar për të marrë pjesë në fushatë. Policët nuk mund të mbështesin asnjë parti, pasi përbën vepër penale dhe dënohet nga 1 deri në 5 vite.
 
Të gjithë punonjësit janë në monitorim, prandaj të respektojnë ligjin
’ deklaroi ai. Deklarata e Demirajt erdhi pas thirrjes së Ramës, që policia të marrë pjesë në fushatë dhe të mbledhë vota për PS.

Deklarata e plotë e Dritan Demirajt
Ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.
 
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor.
 
Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet:

a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
 
Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.
 
Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
 
Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë për 4 vite

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë për 4 vite