Gazment Bardhi i është përgjigjur pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili më herët postoi një video nga një rrugë e shembur në Portugali, duke hequr një paralelizëm me atë që po ndodh me akset rrugore në Shqipëri dhe konkretisht me atë Librazhd-Prrenjas.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar përpjekje e Ramës për t’u fshehur pas reshjeve sezonale për shembjen e rrugëve, është fyese për shqiptarët.
Bardhi shkruan se në Portugali kishte pasur një ciklon me erë prej 200 km në orë dhe sipas tij kjo e arsyeton shembjen e ndonjë rruge atje. Por në Shqipëri sipas tij, shembja e rrugëve ndodh si pasojë e korrupsionit.
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën e cila pretendon se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec, dëmtimi i bypassit të ri që është pjesë e Korridorit VIII, si dhe çarja e një sërë segmentesh të tjera në vend, janë pasojë e korrupsionit qeveritar, që shoqërohet me punime të cilësisë së ulët nga kompanitë kontraktore.
Teksa e këshilloi Ramën që të mësonte nga Portugalia për dorëheqjen e ministrave, Bardhi shtoi se ‘vetëm në 11 tendera nën hetim nga SPAK, janë 1.1 miliardë euro, të hedhura në rrugë’.
Reagimi i Bardhit:
Rrugët në Shqipëri nuk po i shemb shiu. Po i shemb korrupsioni. Përpjekja e Edi Ramës për t’u fshehur pas reshjeve sezonale është fyese për shqiptarët.
Në Portugali pati ciklon 200 km/orë. Tek ne ka tornado korrupsioni: vetëm në 11 tendera nën hetim nga SPAK, janë 1.1 miliardë euro, të hedhura në rrugë.
Pamjet nuk kanë nevojë për koment.
P.S. Një këshillë falas per Edi Ramën: nga Portugalia mëso si jep dorëheqjen kryeministri dhe ministrat kur janë nën hetim. Antonio Kosta është vetëm një telefonatë larg!
Komente











