“Ju premtoj se si Kryeministër i ardhshëm dhe kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve”,- tha ai, -“ pas katër vitesh, Shkodra do t’i ngjajë një fotografie të Marubit dhe jo një posteri të PD-së”.
Rama ishte sot në Shkodër sëbashku me ekipin e tij për të prezantuar programin “Për një Rilindje Shqiptare”, duke e nisur fjalën e tij me lidhjen e fuqishme që ai kishte me Shkodrën. "Jam shumë i impresionuar nga fakti që për më shumë se një orë ka shumë njerëz që rrinë në këmbë dhe megjithatë nuk lëvizin nga salla. Gjë që është kalimi më i mirë i testit të programit tonë, aq më tepër këtu në Shkodër që është e pamundur t’ja hedhësh ndokujt. Megjithëse unë kam një lidhje gjaku me Shkodrën: gjyshja ime është motra e piktorit të madh Zef Kolombi dhe është figura qendrore e fëmijërisë time dhe e gjithë edukimit tim në fëmijëri, ka prapë arsye për të thënë që unë nuk mund të kandidoj në Shkodër. Aq më tepër pastaj, që këtu kemi boll katolikë, por Shkodra është edhe e myslimanëve, apo jo?!"
“Këtu në Shkodër”, - tha Rama, -“ do të doja të flisja duke filluar nga ajo pyetja: A duam të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt apo të vërtetë?! Njerëzit që kur afrohen festat e fundvitit, ndjehen më shumë kokulur, sesa të gëzuar, sepse nuk kanë mundësi t’i festojnë festat e fundvitit ashtu siç i festojnë të gjitha familjet e zakonshme në Europën ku ne duam të integrohemi".
"Duam të jetojmë në një Shqipëri të lirë apo në Shqipërinë e trembur?", - pyeti Rama. -"Në Shqipërinë e lirë që duhet të ketë kurajën, pasionin dhe vetëdijen qytetare të atij kampionit, që erdhi jo për të bërë propagandë për Partinë Socialiste por për të mbështetur nismën tonë kombëtare apo në Shqipërinë që trembet çdo ditë, për shkak se ashtu sikundër atij kampionit që zyrtarët i heqin vjehrrin nga puna, ashtu ndodh dhe me të gjithë shqiptarët e zakonshëm që kanë një punë dhe për shkak se kanë një punë, ndjehen dhe më të kërcënuar. Ndjehen të kërcënuar në bukën e gojës. Duam të jetojmë në një Shqipëri që nderon njerëzit e punës, që respekton njerëzit e punës, që lartëson suksesin përmes punës, apo në një Shqipëri ku suksesin e merr si lëmoshë për shërbimin ndaj partisë në pushtet?!"
Me këto analogjira, kryesocialisti e vazhdoi fjalën e tij ku gjithnjë, para se të prezantonte programin e PS-së, shfaqte panoramën e zymtë të papunësisë dhe varfërisë në vend e sidomos, në një qytet si Shkodra, ku kjo plagë ndihet më shumë.
Ai përsëriti shifrat e larta të papunësisë duke iu referuar jo atyre të PS-së, por atyre të INSTAT-it, për të qënë më bindës me shkodranët. Rama theksoi humbjen dhe jo krijimin, e 53 mijë vendeve të punës vetëm gjatë vitit 2012.
"Ja pse vota juaj në 23 qershor është shumë e rëndësishme", - theksoi ai, -"dhe ja pse çdo shqiptar nuk duhet të lërë dikë tjetër të votojë dikë tjetër në emrin e tij, por të shkojë ai vetë në kutinë e votimit.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)