Kryeministri Edi Rama është pritur sot nga presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin Elize, në Paris, ku dy liderët janë përshëndetur me një shtrëngim të fortë duarsh dhe më pas kanë mbajtur një takim dypalësh.

Rama ndodhet në Francë me ftesë të Macron, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes ku këtë vit vëmendja është te qeverisja efektive si një nga kushtet për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet.

Një nga temat që Rama do të trajtojë është edhe perspektiva evropiane. Në sesionin e posaçëm “Spotlight”, ai do të flasë për rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.

Kryeministri do të marrë pjesë gjithashtu në seancën plenare “Nga sovraniteti te bashkëpunimi”, kushtuar bashkëpunimit ndërkombëtar në një kohë ndryshimesh gjeopolitike, zhvillimesh teknologjike dhe sfidash klimatike.