TIRANË- Në 100 vjetorin e Luftës së Vlorës, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të publikojë një video që ka një rëndësi shumë të veçantë për të, jo si i pari i qeverisë, por si një djalë krenarë për babanë e tij. Rama ka ndarë me miqtë e tij virtual video nga monumenti i bërë në Vlorë për luftën e 20-ës, i cili është bërë nga babai, Kristaq Rama.  

"Mirëmëngjes në këtë ditë të veçantë të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, kur duke ju uruar një ditë të mbarë nuk e fsheh dot kënaqësinë që më jep kjo video e monumentit ku shoh duart e tim eti, Kristaq Ramës, s'rri dot pa ju thënë se ndjehem bukur, shumë bukur, për faktin se kushdo që do ta përkujtojë atë luftë do të përulet përballë kësaj vepre, e cila e mbart me seriozitet përballë kohës që ikën barrën e kujtimit për Luftën e Vlorës", shkruan Rama.

*Lufta e Vlorës më 1920 ose Lufta e Njëzetës ishte një seri betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë në zonën e Vlorës për zotërimin e qytetit te Vlorës . Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Në këtë lufte duhet përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri që ka qënë një ndër heronjtë e udhëheqësit legjendar të kësaj lufte. Në 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh të pabarabarta forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj por edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.