Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Edi Rama foli me nota pozitive për disa fusha të caktuara me nota pozitive. Rama u ndal tek infastruktura, teksa numëroi me sukses hapjen e aeroportit të Kukësit dhe projektit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe të Sarandës. Kreu i qeverisë u shpreh se me largimin e pandemisë do të shtohen avionët e Air Albania-s.
'Falë punës së kësaj qeverie në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë kemi krijuar kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit në dekadën ku sapo kemi hyrë, ku Shqipëria do të kthehet në eksportuese neto të energjisë. Sot, Skavica nuk është një ëndërr gjysmëshekullore në sirtar, por një projekt në zhvillim, falë bashkëpunimit me qeverinë e SHBA-së, ashtu sikundër po përmes këtij bashkëpunimi jemi në fazën e vlerësimit të projektit të kthimit të TEC-it të Vlorës nga një simbol i dështimit me kosto të lartë të së shkuarës, në një portë hyrëse të gazit të lëngshëm, bazuar në marrëveshjen me kompaninë globale EXXON.
Kjo qeveri mundësoi hapjen e rrugës së ndërtimit të dy parqeve fotovoltaike, të Karavastasë dhe Spitallës, më të mëdhatë në rajon, të cilat do të ndërtohen nga kolosi francez VOLTALIA, duke vendosur Shqipërinë në pararojën e Ballkanit për prodhimin e energjisë diellore.
Fundi i marrëzisë së vjedhjes së energjisë elektrike dhe rritja e investimeve në rrjetin e shpërndarjes, së bashku me interkonjesionin me Kosovën, bënë që sot, situata e sektorit energjetik të Shqipërisë të jetë e pakrahasueshme me atë që trashëguam në nisje të mandatit të parë, ndërsa programi i investimeve të futura në rrugën e realizimit gjatë këtij mandati të dytë, na jep të gjithë optimizmin e nevojshëm për ta parë Shqipërinë e 2030-ës, prodhues kampion të Ballkanit në energji të rinovueshme.
Nga ana tjetër, falë punës të përkushtuar dhe voluminoze të dikasterit përkatës, po ashtu drejtimit shumë këmbëngulës të ministres, në një periudhë kohore posaçërisht të vështirë, sot, Kukësi është bërë më në fund me aeroport ndërkombëtar, puna me projektin e zbatimit të projektit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare, gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është hapur, rruga e Arbrit është edhe ajo në përputhje me afatin e përfundimit, rruga Delvinë-Kardhiq po ashtu e me radhë, se janë shumë projekte të tjera të rëndësishme të infrastrukturës sonë kombëtare, të cilat janë realizuar me standarde europiane apo vijojnë në rrugën e realizimit.
Shqipëria sot ka linjën e saj ajrore të flamurit, Air Albania, e cila i ka rezistuar goditjes së pamëshirshme të pandemisë mbi transportit ajror dhe me daljen nga pandemia do hyjë në një fazë të re, rritjen e numrit të avionëve të saj.
Gjithashtu, marrëveshjen e investimit masiv në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza’, së bashku me uljen e konsiderueshme të tarifave skandaloze të tij, për shkak të një marrëveshjeje të vjetër koncesionare, me ngarkesë të rëndë mbi udhëtarët, do ndikojnë fuqishëm në rritjen e fluksit të mbërritjeve në Shqipëri.'- tha Rama.
Lajmi kryesor: