Rama; Qeveria e re e Shqipërisë 2013 – 2017

Rama; Qeveria e re e Shqipërisë 2013 – 2017
Edi Rama: Sot dua t’ju njoh me emrat e ministrave të Qeverisë së Re të Shqipërisë.

Po lejomëni më parë, disa konsiderata.

Qeveria e Re në nivelin e saj të parë do të jetë mishërim i boshtit strategjik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”; I vizionit tonë të përbashkët politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe më shumë përgjegjësi më të rinjve; I vullnetit tonë qytetar për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile; I programit tonë qeverisës për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.

Qeveria e Re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër.

Qeveria e Re është mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më mirë të detyrave brenda shumicës plebishitare të 23 qershorit. E cila do të ketë vetëm një pjesë të vetën pa mandat deputeti në ekzekutiv, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e fortë të 23 qershorit në sallën e Kuvendit, për të kthyer në ligj reformat e Rilindjes.

Qeveria e Re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar dhe ndarjen e përgjegjësive mes ekzekutivit dhe legjislativit.

Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit.

I jap shumë rëndësi këtij momenti dhe e nënvizoj, qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve. Këtë duam.

Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm vetëm për të sharë opozitën në parlament.

Të mos e harrojë askush që do të na gjykojë që nga sot e deri ditën e fundit, atë që unë nuk do ta harroj asnjëherë që nga dita e parë e fitores sonë plebishitare: Shqiptarët nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër me një tjetër dhe një qeveri me një tjetër. As për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes. Shqiptarët na votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin.

Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, është ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet.

Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehja kuptimplotë e “diktatit të revolucionit të votës” në 23 qershor.

Pas pak do të dëgjoni emra që mbase mund të mos prisni t’i dëgjoni apo nuk do të dëgjoni emra që mbase prisni t’i dëgjoni. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë si të dhëna me tapi vetëm për burra, apo do të dëgjoni emra të rinjsh që do të marrin patate shumë të nxehta në dorë.

Por gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për t’u gjetur punëve dhe sfidave të mëdha të qeverisjes njerëzit dhe jo njerëzve një punë në qeveri. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.

Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare ku do të brumoset dhe marrë formë përfundimtare çdo reformë për rilindjen.

Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ. Prandaj edhe risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të vetë marrëdhënies mes tyre.

Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fryti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet.  
 
QEVERIA E RE E SHQIPERISE 2013 – 2017
 
 Kryeministër                
Edi RAMA
 
Zv/Kryeministër
Niko PELESHI  
 
1. Ministër i Financave
Shkëlqim CANI
 
2. Ministër i Brendshëm
Saimir TAHIRI
 
3. Ministre e Mbrojtjes
Mimi KODHELI
 
4. Ministër i Jashtëm
Ditmir BUSHATI
 
5. Ministre e Integrimit Europian
Klajda GJOSHA
 
6. Ministër i Drejtësisë
Nasip NAÇO
 
7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Arben AHMETAJ
 
8. Ministër i Energjisë  dhe Industrisë
Damian GJIKNURI   
 
9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Edmond HAXHINASTO
 
10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Eglantina GJERMENI
 
11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave
Edmond PANARITI
 
12. Ministër i Shëndetësisë
Ilir BEQJA
 
13. Ministre e Arsimit dhe Sportit
Lindita NIKOLLA
 
14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Erion VELIAJ

15. Ministre e Kulturës
Mirela KUMBARO-FURXHIU
 
 16. Ministër i Mjedisit
Lefter KOKA

17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ilirian CELIBASHI
 
18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike
Milena HARITO
 
19. Ministër për Çështjet Vendore
Bled ÇUÇI

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës