Rama reagon për herë të parë ndaj akuzave të Ahmetajt: Ndihet viktimë e forcave të errëta! Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhë me të

Tirane- Për herë të parë kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot akuzave të bëra nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj i cili nga arratia, zhveshi veten nga faji dhe drejtoi gishtin nga numrin 1 i qeverisë dhe kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliajn për aferën e inceneratorit të Tiranës 

Gjatë një prononcimi për mediat në fund të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, mbajtur sot (11 shkurt 2024) Rama tha se kush ka probleme me drejtësinë duhet të përballet vetë me të. 

"Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. Unë kam qenë shumë serioz që ditën e parë kur kam thënë: duam një reformë në drejtësi për t’i hapur rrugën më në fund në një Shqipëri ku s’ka pasur kurrë drejtësi, një drejtësie që është jashtë influencës së pushtetit ekzekutiv dhe këtë ne e kemi arritur sot por është një arritje që nuk është e pakthyeshme prandaj ne do të vazhdojmë të qeverisim që këtë arritje ta bëjmë të pakthyeshme duke qene ne ata që e garantojmë drejtësinë, që është e lirë të veprojë, i ka duart e lira të veprojë mbi këdo dhe për çfarëdo arsye që drejtësia beson se X, Y, Z, të majtë, të djathtë, të qendrës, nën apo mbi, anash apo mbrapa duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.Dinë shumë mirë ti ndajnë broçkullat nga thelbi", shtoi Rama.

Gjatë intervistës së pak ditëve më parë Ahmetaj tha më tej se Rama po tentonte ta bënte kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës madje dhe se ishte kërcënuar në një mbledhje të kryesisë ku do të zhvishej edhe nga postet brenda PS pasi u largua dhe nga qeveria. I pyetur nëse e ka kërcënuar Ahmetajn, Rama u shpreh se detyra e PS-së është që "drejtësisë t’i japë të gjitha mundësitë të bëjë punën e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, e as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste”, duke shtuar më tej se "të gjithë do të shohin e besojnë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur".

Prej korrikut 2023 ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj jeton në arrati dhe është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, lidhur me aferën e inceneratorëve. Ai akuzohet për 'shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, "korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.  Së fundmi Ahmetaj ka firmosur kontratë lobimi 150 mijë dollarëshe me një kompani amerikane për të informuar politikbërësit amerikanë mbi atë që i quan 'akuzat e rreme” të ngritura ndaj tij në Shqipëri. Ndërkohë dokumentat e paraqitura nga firma lobuese zbuluan se ai jetonte në Lugano të Zvicrës, qytet në kufi me Italinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:31
'A e keni kërcënuar Ahmetajn?' Rama: Drejtësia të bëjë punën e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv e as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS

Edhe në fund të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, Edi Rama u pyet lidhur me akuzat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia. I pyetur: A e keni kërcënuar Arben Ahmetajn siç ai pretendon në një mbledhje Kryesie, Rama thotë: “Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni sa herë të doni. Është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste”.

Pyetje: Një koment për akuzën që ju keni qenë strateg i kanabizimit të vendit sepse vjen nga ai  që ka qenë bashkëpunëtori juaj më i afërt.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri e në këtë ditë të re kemi një pikë referimi që është struktura antikorrupsion e ndërtuar pikërisht për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur dhe ne jemi Partia Socialiste që mision kemi të bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura apo gjëra që shumëkujt i duken sot e gjithë ditën të pamundura, por hap pas hapi do të shohin të gjithë e do të besojnë të gjithë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur.

 

S.G/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë