Gjatë prezantimit të projektit të kartave elektronike të karburantit për mjetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama u shpreh se do t'i jepet fund abuzimeve me tollonat e naftës në institucione.

Kreu i qeverisë tha se projekti do të shtrihet edhe në institucionet e tjera shtetërore, ku sipas tij do të kursehen 9 milionë dollarë në vit, të cilat aktualisht përfundojnë në xhepat e abuzuesve.
 
"Sot është Policia e Shtetit që fillon një proces të nisur që në janar me një projekt-test, me 150 automjete dhe më pas të shtrirë në periudhën Prill-Qershor në të gjithë logjistikën e saj. Është e rëndësishme të ritheksohet ajo që në mënyrë të përsëritur unë kam nënvizuar, Policia e Shtetit falë lidershipit, ministrit dhe një skuadre njerëzish të prirur për të bashkuar teknologjinë me njeriun në Polici, është një sektor lider në këtë revolucion teknologjik që po përpiqemi të çojmë përpara në çdo sektor. Dhe ja sesi eksperienca e Policisë sot është një bazë për të shtrirë këtë transformim teknologjik në të gjitha institucionet, për të bërë të mundur kursimin e 8 mln litrave karburant në vit. Që do të thotë, kursimin e rreth 9 mln dollarëve vjedhje e përvitshme epidemike në të gjithë territorin nga ana e njerëzve që marrin tollona, nxjerrin tollona dhe grabisin shtetin. Për periudhën Prill-Qershor policia ka kursyer 100 mijë litra naftë nga zëri i shpenzimeve për karburant dhe në vit parashikimi është gjysmë milionë dollarë kursime vetëm nga karburanti", u shpreh Rama. 

Kreu i qeverisë e cilësoi projektin transformues për Policinë e Shtetit, pasi siç tha ai, 3 vjet më parë automjetet e policisë mbeteshin rrugëve pa karburant dhe i shtynin policët.

"Janë të freskëta pamjet kur automjetet e policisë ngelnin rrugëve pa karburant. Një histori e gjatë vjedhje me tollonat e karburantit. Sot deklarojmë se kësaj praktike të ndyrë shtetërore prej 20 e ca vitesh, i japim fund, jo vetëm për policinë por për të gjitha institucionet shtetërore, që përdorin automjete dhe çdo vit hapin gropa në buxhet, për shkak të vjedhjes masive, epidemike të parave përmes abuzimeve me tollonat  karburantit", tha Rama. 

Projekti i kartave elektronike të karburantit mundëson regjistrimin në kohë reale të çdo automjeti që furnizohet me karburant. Sipas kreut të qeverisë, kjo kartë teknologjike shmang abuzimin me tollonat e naftës.
 
"Është i njëjti sistem që përdoret për furnizimin me naftë të policisë në SHBA dhe BE", deklaroi kryeministri Edi Rama.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të kartave elektronike për furnizimin me karburant të automjeteve në Policinë e Shtetit‏