Rama: S’jam gjykatës, mos
më akuzoni për lirimin e Fullanit

Rama: S’jam gjykatës, mos<br />më akuzoni për lirimin e Fullanit
TIRANE- Ndryshimi i masës së sigurisë për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka sjellë një lumë akuzash në faqen zyrtare në “facebook” të kryeministrit Edi Rama. Pakënaqësitë që lidheshin me premtimet që vetë kreu i qeverisë ka bërë për forcimin e sistemit të drejtësisë ka bërë që edhe vetë Rama të jap një shpjegim për vendimin e Apelit për  ndryshimin e masës së Guvernatorit Fullani. Duke u kujtuar të gjithëve se koha kur kryeministri bënte edhe Prokurorin edhe Gjykatësin ka ikur, Rama është shprehur se “ajo kohë ka vdekur bashkë me diktaturën e proletariatit”.

“Koha kur Këshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqipërisë ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashkë me diktaturën e proletariatit. Unë s’jam as prokuror e as gjykatës. As jam zotuar apo kam menduar ndonjëherë se mund të bëhem kryeprokuror apo kryegjykatës duke u bërë kryeministër” ka shkruar Rama. Kryeministri duke ju referuar komenteve negative në drejtim të tij për vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e Fullanit, ka zgjedhur një shprehje të fëmijërisë për t’i shpjeguar se ai personalisht nuk ka tagrin për të ndërhyrë në vendimin e gjykatave.

“Fjalët mbrapsht!”, thoshim kur ishim fëmijë e gjendeshim nën rrebesh fjalori vulgar, sepse na kishin thënë se kështu laheshim pa u bërë pis. Disa prej të revoltuarve nga një vendim gjykate ishin lëshuar tek kjo dritare me ç’u vinte në gojë kundër qeverisë dhe meje vetë. Kush kujton se ilaçi për të shëruar drejtësinë e rrënuar nga kanceri i korrupsionit, është që kryeministri të bëhet kryeprokuror dhe qeveria të bëhet gjykatë speciale, ose është shumë i paditur ose është krejt i dalë mendsh”, është shprehur kryeministri. Qëndrimin e tij për shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullani dhe Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, Rama e ka mbajtur gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PS.

Kreu i qeverisë ka urdhëruar të gjithë deputetët e tij që të marrin pjesë në seancën e të enjtes në Kuvend pasi do të votohet për shkarkimin e Guvernatorin Fullani dhe Inspektores Golemi. Shkarkimi nga Kuvendi do të jetë finalizimi i vendimit të marrë  për shkarkimin e Fullanit nga Këshilli Mbikqyrës vetëm 24 orë pas arrestimit të tij nga Policia e Shtetit. Vendimin e marrë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së e ka konfirmuar edhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe.

Në rrjetin social “facebook”, Braçe ka sqaruar se në seancën e të enjtes do të shkarkohet Guvernatori Ardian Fullani dhe Inspektorja e BSH-së, Elivar Golemi. “Të enjten në Kuvend,i shkarkojmë të dy, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë! Të paktën në Bankë nuk do jenë më pas vjedhjes historike të ndodhur atje”, ka shkruar deputeti socialist Erion Braçe.

Shkarkimi
Shkarkimi zyrtar i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Kryeinspektores do të bëhet vetëm me votat e mazhorancës. Deputetët do të votojnë ditën e enjte në seancë plenare vendimin për të shkarkuar në mënyrë zyrtare Ardian Fullanin dhe Elivar Golemin, procedurë kjo që kërkon shimicë të thjeshtë prej minimalisht 71 votash. Votimi do të bëhet i hapur në mënyrë elektronike dhe do të hap procedurat për të zgjedhur Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. Krahas kësaj, Komisioni i Ekonomisë do të paraqes edhe raportin e saj lidhur me këtë vendim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën