Kryeministri Edi Rama shpërndau sot 1001 certifikata legalizimi në Bashkinë e Shijakut. Në fjalën e tij, kryeministri tha se në një muaj, ALUIZNI arrin të përmbyllë 4500-5000 legalizime. Ai theksoi se PD në 8 vitet e pushtetit, ka legalizuar në Shijak vetëm 7 objekte.

Sot, kur më thanë që organizohej ky takim, do të kishte pasur një debat midis Artan Lames dhe kabinetit tim, për shkak se ju e dini që tani janë disa ditë shumë të rëndësishme dhe një problem shumë madhor. Unë i thashë do të shkoj në Shijak dhe realisht jam shumë i kënaqur e ndihem shumë mirë kur vij këtu. Sidomos nuk doja të humbja rastin për ta parë këtë transformim të jashtëzakonshëm të qendrës së qytetit tuaj, në praninë tuaj dhe për t’ju siguruar që kjo punë do të vazhdojë. Në 8 vjet, Partia Demokratike bëri vetëm 7 legalizime. Në një zonë ku PD s'është trajtuar keq, ka pasur mbështetje, demokratë e simpatizantë që i kanë dhënë jo pak PD-së.

Por PD në 8 vjet ka bërë vetëm 7 legalizime dhe asnjë nga banesat nuk është për familje, por janë restorante. Ndërkohë që njerëzit janë zvarritur. Sot ndajmë 1001 leje legalizimi, që do të thotë se nga ky shesh dalin sot pronarë të shtëpisë së tyre me dokumente në dorë
", u shpreh Rama. Ai theksoi se në Shijak mbeten pa legalizuar edhe 250 objekte. "Nga ana tjetër, mbeten dhe rreth 250 objekte që duhen legalizuar. Historia e legalizimit ka qenë ec e gjej pengesa". Ritmi aktual i legalizimeve, tha Rama, është 4500-5000 legalizime në muaj. "Me këtë ritëm, ne në gjithë Shqipërinë legalizojmë në katër muaj çfarë ka lëvizur PD në pushtet. Dhe çdo katër muaj sa për 8 vjet të tyre", tha Rama.

ALUIZNI
Zyrat e ALUIZNI-t përfundojnë rreth 5000 legalizime në muaj, falas, duke bërë përfundimisht pronarë të banesave të tyre, mijëra familje që prej dekadash janë sorollatur dhe lënë në harresë. Ecuria e mirë e procesit të legalizimit u evidentua sot nga Kryeministri Edi Rama, në një takim me banorë të Shijakut, ku u shpërndanë 1001 certifikata legalizimi. Me administrimin e ri të ALUIZNI-t është arritur që në katër muaj, numri i objekteve të legalizuar të jetë i barabartë me legalizimet e bëra në katër vite të qeverisjes së kaluar. Në Shijak, në tetë vitet e qeverisjes së kaluar ishin legalizuar vetëm shtatë objekte dhe të shtata restorante dhe asnjë shtëpi.  Një fakt ky i nënvizuar edhe nga vetë ata që sot u bënë pronarë të shtëpisë së tyre. “Faleminderit se deri tani ishim në ajër, tani u bëmë me pronë, me shtëpi,” – tha Gëzim Domi. “Ju falënderoj shumë, sepse kishim fiks 11 vite që e kërkonim dhe nuk na e jepnin,” – tha ndër të tjera Gëzim Senjari. “Kemi kaq vjet që ne mundohemi për një letër. Edhe këta të ALUIZNI-t na kanë ndihmuar pa asnjë kacidhe,” – tha një tjetër qytetare.
 
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me banorë në Shijak, për shpërndarjen e certifikatave të legalizimit
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com