Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, i cili është rindërtuar. Kreu i qeverisë bën me dije se aty po mbyllen detajet e fundit. Po ashtu ai shton se ky projekt është unikal për Vlorën.

Nga pamjet e shpërndara nga kryeministri Rama, shihet se sheshi në monumentin e pavarësisë ka marrë formën e flamurit kombëtar.

“Dhe me disa pamje spektakolare të Sheshit të Rilindur të Flamurit, ku po mbyllen detajet e fundit të një tjetër projekti unikal për Vlorën, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Ky investim fillon nga Xhamia e Plumbit në qendër të Vlorës dhe përfundon tek zona e njohur si Ish Kapelja. Pas përfundimit të projektit kanë dalë në pah me të gjithë shkëlqimin e tyre objektet e historisë në atë shesh, ku një qilim i kuq prej guri lidh monumentin e Pavarësisë me “tempullin” hijezues që do të shërbejë për panaire, ekspozita, shfaqje artistike e të tjera.