Kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar klimën e punës së gazetarëve dhe për të ulur presionin ligjor ndaj medias, duke theksuar se nuk ka pasur padi penale ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë në vitet e fundit.

“Nuk dua të hyj në të thella se pastaj na thyhet gota nëse do flas unë për cfarë ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Dua të them që ne ndërkohë ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite, as nuk ka pasur padi për gazetarët, sepse i kemi ndaluar të gjitha paditë prej shumë vitesh. Ne do ta bëjmë edhe këtë hap tjetër, një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve. Edhe unë nuk besoj se është liria e shprehjes, por është liria e shpifjes. Po kjo temë nuk është për këtë tryezë dhe unë nuk dua të thyej gotën tani. Shpresoj se adresova disa gjera. Ne nuk jemi në kushtet kur shprehim vullnet, por jemi në kushtet kur në mënyrë sistematike përpiqemi që vullnetin e shprehur ta materializojmë me progres.

Edhe në këtë aspekt kemi bërë progres të mjaftueshëm sipas meje për të qenë optimist, se mund të bëjmë më shumë progres, jo mjaftueshëm për të thënë se ju po kërkoni ‘qiqra në hell’ se ne kemi bërë ndonjë mrekulli. Absolutisht jo. Unë i mirëkuptoj ankesat sepse ju jetoni me këtë punë dhe nuk keni pse të jenë të kënaqur me ne. Ndërkohë ne e kemi për të detyrë të jemi të kënaqur me ju në të gjitha rastet”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Vonesa nga administratat, Rama: Kush ministër nuk jep informacion brenda afatit, të sanksionohet! Do dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët