Me rishikimin tjetër që pritet t’i bëhet buxhetit do të vihen në dispozicion fondet e nevojshme për të paguar të gjithë fermerët që kanë aplikuar për të përfituar nga skemat mbështetëse në bujqësi. Nga Elbasani, kryeministri Edi Rama u tha fermerëve se mbështetja për ta do të dyfishohet vitin e ardhshëm, por edhe ata duhet të rrisin cilësinë e produkteve.

***

Të gjithë fermerët që kanë aplikuar për skemat mbështetëse të këtij viti do të likuidohen 100% brenda dhjetorit, pasi përmes rishikimit që pritet t’i bëhet buxhetit përsëri do të vihen në dispozicion më shumë para.

“Është me rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti. Vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është gati dyfishi i vitit që po përfundon. Ndërkohë, e tha ministri, për sa i përket skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%”, tha Rama.

Në një takim me fermerët në Elbasan kryeministri Edi Rama tha se skema e mbështetjes për fermerët do të dyfishohet vitin e ardhshëm, si dhe financimi me kredi do të shtohet edhe prej Bankës Shqiptare të Zhvillimit që pritet të nisë punë.

“Skema kombëtare në vitin 2026 do të jetë  është 2-fishi i këtij viti. Finalizojmë brenda këtij viti edhe bankën tonë të zhvillimit që do të mbështesë projektet e sipërmarrjes shqiptare. Po vëmë në funksion përsëri agro-kreditin”, tha Rama.

Ndërsa Ministri i Bujqësisë Andis Salla tha se po punohet për rishikimin tërësor të skemës së mbështetjes pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët.

“Do të rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes për fermerët. Do të jemi në 12 qarqet e vendit për të përshtatur skemën me realitetin në terren”, tha Salla.

Kritika kryeministri kishte për bashkitë, të cilat sipas tij, sektorin bujqësor vijojnë të mos e kenë prioritet.

“E kam thënë dhe e them, pushteti vendor, bashkitë duhet të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide, e nevojës suaj për financë, për mbështetje institucionale dhe me dije, për të mos qenë vetëm në këtë përpjekje. Ende sot ata fshatin e shohin për të bërë punët komunale të qytetit, ndërkohë që më e rëndësishme te fshati është toka që prodhon dhe ata që janë te toka. Bashkia duhet të jetë te toka me ata që kanë nevojë për mbështetje”, tha Rama.

Pasi listoi disa të dhëna mbi rritjen e prodhimit vendas, duke arritur në 1500 milionë tonë perime të prodhuara apo gjysmë miliardë euro eksporte, kreu i qeverisë pati një apel për fermerët shqiptarë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Rama takim me fermerët: Do të kemi Bankën e Zhvillimit! Nuk po ju lëshoj përpara kredive, por përpara mundësive! Kryebashkiakët duhet të dalin tek toka

Kryeministri Edi Rama në takim me fermerët dhe sipërmarrësit, prezantoi të jgitha instrumentet ndihmëse për ta dhe investimet e tyre, nisur që nga Banka e Zhvillimit.

Një tjetër partneritet i rëndësishëm është dhe qasja e bashkvie vendore dhe bashkëpunimi me fshatin.

“Finalizojmë brenda këtij viti edhe bankën tonë të zhvillimit. Shqipëria do të ketë bankën e zhvillimit, që do të jetë një tjetër instrument për të mbështetur instrumentet dhe projektet tuaja. Ndërkohë që po rivëmë në lëvizje, në favorin tuaj, për të mbështetur projektet dhe sipërmarrjet tuaja, edhe agrokreditin, që është një institucion i varur nga Ministria e Financave.

Linja e re e kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme e Bankës së Shqipërisë, e cila shkon deri në 250 mln euro si fazë e parë dhe mund të shkojë deri në 2 miliardë euro, është aty dhe ju pret ju. E kam thënë dhe e them, pushteti vendor, bashkitë duhet të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide, e nevojës suaj për financë, për mbështetje institucionale dhe me dije, për të mos qenë vetëm në këtë përpjekje. Bashkitë e kanë mundësinë të bëhen. Nuk ka nevojë që të prisni të vijë dikush për të ndërtuar një infrastrukturë grumbullimi e përpunimi, që patjetër do t’i shtonte vlerë asaj që ju prodhoni dhe mblidhni në fermë. Ju mund ta bëni vetë duke u bashkuar me njëri-tjetrin dhe me pushtetin vendor. I takon bashkisë të vijë tek ju.

Këtu nuk bëhet fjalë për t’iu lëshuar bankave komerciale për të marrë kredi, këtu bëhet fjalë për t’i vënë në punë ato instrumente që i kemi krijuar dhe tani na duhet të ndërtojmë projektet dhe partneritetet e duhura dhe të disbursojmë që të ketë më shumë para në duart tuaja për të investuar më shumë. Kërkesa për cilësi dhe siguri shoqërohet me instrumente kontrolli të rrepta që të nxjerrin edhe nga tregu. Janë 4 vite dhe 4 vite janë të mjaftueshme për t’u përgatitur për BE-në, që ajo ditë t’ju gjejë gati për të hedhur hapa të tjerë përpara. Kryetarët e bashkive pas reformës administrative territoriale janë kujdestarë të barazlarguar qoftë të qytetit, qoftë të fshatit. Ende sot ata fshatin e shohin për të bërë punët komunale të qytetit, ndërkohë që më e rëndësishme te fshati është toka që prodhon dhe ata që janë te toka. Bashkia duhet të jetë te toka me ata që kanë nevojë për mbështetje. Kemi ikur nga faza e mbijetesës”, tha Rama.

Ora 12:43
Ministri Salla me fermerë dhe sipërmarrës në Elbasan: Do të rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes, synojmë ta përafrojmë me ato që aplikohen në BE

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po zhvillojnë sot një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit për Buxhetin 2026 në qytetin e Elbasanit.

Gjatë fjalës së tij Ministri Andis Salla tha se për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50% ‘kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon’.

“Këto vite, ja kemi dalë të zhvillojmë sektorin bujqësor dhe rural në Shqipëri duke rritur mbështetjen buxhetore për sektorin dhe financuar mbi 65 mijë fermerë në gjithë vendin.  Për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50%, kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon. Jemi të vetëdijshëm që ky sektor vijon të përballet me sfida nga më të ndryshmet. Megjithatë, është fakt që sot bujqësia shqiptare ka më shumë mbështetje dhe më shumë mundësi se disa vite më parë, dhe kjo është një arritje e përbashkët  e punës suaj dhe e angazhimit të Qeverisë”, tha Salla.

Salla theksoi se 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve. Sipas Sallës kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

“Për vitin që vjen kemi buxhetin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë, rreth 16.3 miliard lekë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin. 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes si: pagesë direkte për fermerët dhe grantet e investimeve në ferma dhe agrobiznese Kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i vitit 2025. Mbështetja për sektorin jo vetëm që nuk ndalet, por po rritet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.

Ndër të tjera ai nënvizoi do të rishikojnë skemën kombëtare të mbështetjes, teksa theksoi synojnë ta përafrojnë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.

"E dimë shumë mirë që skema e mbështetjes direkte është tema që ju prek më shumë. Kemi marrë nga ju mesazhe, komente, ide, kritika dhe sugjerime: për kriteret, mënyrën e ndarjes së fondeve dhe ndjesinë që disa kategori fermerësh ndihen më pak të mbuluar. Ndaj sot dua ta them shumë qartë do ta rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi për qëllim të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejt mes Qeverisë dhe gjithsecilit prej jush. Së bashku me ekipin do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe per tu pershtatur me realitetin në terren. Gjithashtu ne synojmë ta përafrojmë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian", tha Salla.