TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se opozita do të bëjë gjithçka që Shqipëria të mos ndëshkohet në vjeshtë duke mos marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Në një prononcim nga selia rozë, Rama deklaroi se marrja e statusit është një pikë mbështetje për të përballuar sfidat që do i duhen opozitës pas zgjedhjeve të 2013-tës kur të marrë qeverisjen.

”Do bëjmë gjithçka që të mos ndëshkohemi edhe këtë vjeshtë. Marrja e statusit është i domosdoshëm të mos izolohemi nga bataku që ka pllakosur për shkak të keqqeverisjes. Ne besojmë se duke marrë statusin do t’i jepnim një pikë mbështetetje për të përballuar sfidat që do na duhen të qeverisim pas 2013 për të rivendosur demokracinë dhe për të bashkuar Shqipërinë e Europën”- deklaroi Rama në një prononcim për median të publikuar në orën 12: 45 të ditës së sotme.

Rama deklaroi se ky ishte dhe mesazhi i qartë që i kishte përcjellë zyrtarëve të Bashkimit Europian në takimet që kishte zhvilluar me ta javën e kaluar në Bruksel. “Mesazhi im ishte i qartë. Ata që janë sot në pushtet nuk e meritojnë statusin ndërsa shqiptarët nuk mund të ndëshkohen për shkak të kësaj qeverie që është edhe për disa muaj në pushtet”.

Ai nënvizoi se disa ligje që hartohen në vend nuk përkthehen si domosdoshmërisht në togfjalëshin, Shqipëria Evropiane.
(sg/shqiptarja.com)