Kryeministri Edi Rama tha se sot emri i Shqipërisë thirret me nder pasi nga një sinonim i të keqes është kthyer në një sinonim i natyrës dhe mikpritjes së njerëzve.
“Është padyshim edhe mishërim i bindjes se diaspora nuk është në periferi të jetës kombëtare, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është kantier transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje në investime, inovacion, jetën akademike, në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë. Si në çdo kantier, edhe në kantierin e Shqipërisë 2030 në BE ka pluhur, pisllëk, zhurmë, por mjafton të kthejmë kokën pas në kohën kur filluam të mendonim për samitin e parë, për të marrë kurajë, frymëzim dhe për të vijuar punën kolosale. Atëherë, ky ishte mbi të gjitha momenti i ritakimit në një vend plot shpresë e plagë të hapura; ishte një hap i parë për të thirrur fuqinë e diasporës dhe për t’u ndjerë më të fortë përballë tatëpjetës së thepisur që duhet të ngjisnim drejt majës, ku sot jemi më afër se kurrë.
Ai ishte fillimi i një bisede të ndërprerë të Shqipërisë dhe bijve të saj përtej detit dhe maleve. Sot jemi në fazën e ndërtimeve të saj, që ka qenë boshti i bisedimeve shekullore: lidhjen me atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon. Në samitin e parë, kërkesa ishte e drejta e votës nga jashtë atdheut, dhe në të dytin e të tretin ishte një kërkesë themelore për të qenë jo vetëm pjesë emocionale, por edhe aktive e vendimmarrjes. Ju vini këtu pasi e keni ushtruar atë të drejtë. Nga një e drejtë e kërkuar, në një e drejtë e ushtruar. Atëherë, shumë prej jush ishit shqiptarë që shpesh duhet të përballeshit me paragjykime për emrin e vendit; sot jemi kryelartë kudo dhe kurdo që emri i vendit tonë thirret në vëmendje, sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë. Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)











