Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në bindje të dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, konsideruar nul nga mazhoranca, Kuvendi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkon të ndalojë takimin elektoral të kreut të qeverisë, sot pasdite në kryeqendrën e veriut. Kryeministri Edi Rama reagoi nga Kuvendi gjatë fjalës në seancë plenare, ku e quajti këtë një tentative të njëjtë si të komunizmit në grahmat e fundit të pushtetit kur vepronte kundër Partisë Demokratike të sapo krijuar. 

"Enveristët fanatikë të 91-shit që përpiqeshin në grahmat e fundit të enverizmit institucional t'i zinin rrugën partisë së sapolindur demokratike sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor u përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së", - tha Rama

Kryebashkiakja i ka dërguar dje një letër zyrtare, komisariatit të policisë së Shkodrës, dhe vetë Partisë Socialiste, ku i njofton se Bashkia nuk miraton asnjë leje për asnjë subjekt politik për aktivitete elektorale.

Në letrën dërguar shefit të komisariatit, Voltana Ademi shkruan: "Çdo aktivitet politik elektoral që mund të zhvillohet në sheshet publike të hapura në qytetin e Shkodrës konsiderohet i paligjshëm dhe për rrjedhojë Bashkia Shkodër nuk miraton leje për asnjë subjekt politik".

Në letrën dërguar Partisë Socialiste, kryebashkiakja jep dy arsye se përse e refuzon lejen për takimin elektoral të Ramës në Shkodër. 

E para është dekreti i Presidentit Ilir Meta i cili i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe që është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Ishte pikërisht ky dekret që futi në përplasje institucionale policinë e Rendit me atë bashkiake, që urdhëruar nga kryebashkiakët e zgjedhur nga PD dhe LSI këto ditë kanë dalë në terren për të larguar KZAZ-të nga ambientet në administrim të bashkive.

Arsyeja e dytë që Voltana Ademi jep, është se në këtë periudhë të sezonit turistik, Shkodra nuk ka ambiente publike të lira për tubime të tilla elektorale. 

"Me fillimin e sezonit turistik në Bashkinë Shkodër janë duke u realizuar në të gjitha sheshet e Bashkisë aktivitete promovuese për turizmin dhe nuk ka asnjë shesh të lirë për organizim takimesh", thuhet në letrën që Ademi i dërgon PS-së, parti e drejtuar nga Edi Rama.

Takimi elektoral i kryeministrit Edi Rama në Shkodër për prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie, Valdrin Pjetri. Partia Demokratike dje u mësua se u kishte bërë thirrje strukturave të saj të ngriheshin në protestë për të penguar vizitën e kryeministrit në qytet.

Kryeqendra e veriut ka qenë edhe qendër e përplasjeve mes dy kaheve politike përgjatë ditëve të fundit. Duke qenë në listën e bashkive të djathta, ajo është bërë pjesë e aksionit opozitar për të penguar instalimin e KZAZ-ve dhe qendrave të votimit me pretendimin se do vijojnë t'i binden dekretit të presidentit për anulimin e 30 qershorit.

Incidentet u përshkallëzuan dy ditë më parë, ku një shkollë ra pre e sulmeve duke u përfshirë nga flakët, si pasojë e të cilave u dogjën dy klasa të cilat do të shërbenin si magazina për materialet zgjedhore. Pas kësaj ngjarje policia arrestoi 5 persona, ndërsa u ndalua në Tiranë edhe ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia.