Rama: Në Shkodër mbase plan për një tjetër 2 prill! Hajdari: Pse këmbëngulni me 30 qershorin? S'duam viktima /VIDEO

Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit deklaroi seancën e sotme plenare se kryebashkiakja Voltana Ademi me vendimin për të mos i lejuar PS-së zhvillimin e mitingut pasditen e sotme në Shkodër mund të ketë në plan për të bërë një tjetër '2 Prill' referuar ngjarjes së 1991 kur u vranë katër persona, ngjarje që konsiderohet dhe si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri. "Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar, por asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së" tha ai.

Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari i kërkoi kryeministrit që nëse ka informacion se mund të ketë një ngjarje të tillë atëherë të tërhiqet dhe të mos zhvillojë zgjedhjet, pasi nuk na duhen më viktima. "Nëse ju këmbëngulni që zgjedhjet më 30 qershor, nëse ju keni informacion që do ketë vrasje si në 2 prill a nuk është e drejtë që t'i evitoni këto konflikte, dhe të ruani jetët e njerëzve dhe të mos dilni këtu të thoni do ruajmë shtetin e së drejtës?".

Kryeministri vijoi akuzat kundër Presidentit duke thënë se po i hedh bezinë zjarrit, të konfliktit politik. "Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit". Ndërsa Rudina Hajdari e paralajmëroi kreun e shtetit se nëse ka ndërmend që të shpërndajë parlamentin duhet ti thotë burgut hapu. "Nëse mendoni se presidenti do të shpërndajë parlamentin, ti thotë burgut hapu. Nuk e ka për kompetencë".

Kreu i qeverisë i cilësoi si talebanë kryetarët e bashkive dhe militantët e PD-së që sulmuan KZAZ-të. Pas kërkesës së opozitës, ai pranoi që t'i jepte kohë opozitës së re në Kuvend për të diskutuar për nismën e PS-së që personat që do të dënohen për krime elektorale të mos lejohen të dalin nga vendi 5-10 vite pas kryerjes së dënimit. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe te përgjimet që i cilësoi sallatë fjalësh.

Ai tha se bisedat e dala nga PD-ja po i kryejnë funksionet për të penguar hapjen e negociatave, që edhe mund të shtyhen në tetori, ndërsa shtoi se si biseda që ka bërë dhe që doli para tre ditësh ka zhvilluar me mijëra me shtabet. Kryeministri theksoi se antena e përgjimeve u vendos vetëm mbi shtabin e PS-së dhe jo tjetrën, referuar grupit të Flamur Nokës që u përplas me socialistët në zgjedhjet e Dibrës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Sulmi kundër KZAZ-ve,Balla:Vandalë e terroristë!Basha e mbylli karrierën me lobimin rus


Kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla thotë se Lulzim Basha nxori përgjimet e Dibrës si armë pas skandalit të lobimit rus në SHBA. Ai tha se Basha e ka zhytur PD-në në moçal rus dhe se e ka mbyllur karrierën politike. Balla i cilësoi si vandalë dhe terroristë bashkiakët e opozitës që sulmuan KZAZ-të.

Punonjësi i policisë Emiljano Nuhu ka fituar azil, por prokuroria e ka marrë të pandehur për kallëzim të rremë .Lul Basha e gazetari i tij Collaku mund t’ ja hedhim me gjobë. Pare ke bërë boll, do e paguash gjobën. Kjo është historia, edhe te përgjimet, kush mendon se ka të re e ka gabim, hapni procesverbalet e kuvendit. Nuk ka ndodhur një herë të vetme. E provoi me Babalen nuk i eci, të gjithë e dimë që ishte inskenim i turpshëm. Tani i eksportoi përgjimet. Bild i ka marrë të gatshme ishin ruajtur për një ditë të zezë. Ka ditë me të zezë se kjo për Lulzim Bashën.

Basha e ka mbyllur karrierën e vet politike. Në 28 vite në këtë vend askush nuk do kishte pasur parashikimin më ogurzi. Teksa kemi qenë në fushatë Basha ka marrë 1 mln $ nga burime oligarkësh rusë. Ky është halli i Bashës, s’ka tjetër. E ka zhytur PD në moçale ruse, duhej përdorur edhe arma 184 që e ka pasur aty që në nisje të fushatës. Pse nuk u hap, të shërbente si provë për ankimimin e Dibrës?

Më 30 qershor zgjedhjet do të zhvillohen dhe kush guxon, si ata vandalë, terroristë, që sulmojnë shkollat, do marrin dënimin që meritojnë" tha Balla.

Ora 14:20
Sulmet ndaj KZAZ/ Braçe: Ta harrojnë se do blejnë prokurorë e gjyqtarë...Opozita ka policë bashkiakë por jo popull

1561033249_brace.jpg

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe tha se do të ndëshkohen të gjithë për sulmet ndaj KZAZ-ve, ndërsa theksoi se në këtë rrugë që opozita ka nisur, i mungon mbështetja e popullit.

"Ta harrojnë se duke i vënë zjarrin KZAZ-ve do të fshehin tenderët, ne jemi për t'i treguar ligjin dhe ligji nuk do të jetë siç ka qenë. Ta harrojnë se do të gjejnë prokurorë dhe gjyqtarë që t'i blejnë me lekë. jo vetëm për zjarrin mbi KZAZ. Misioni që kanë marrë përsipër për t'i ndalur të tjerëve votën, do të dështojë, sepse ka një arsye. Nuk kanë popull. Kanë policë bashkiakë, kanë punonjës bashkie, por nuk kanë popull. Me popullin do gjejnë belanë, dhe drejtësinë e barabartë", u shpreh Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Ora 13:40
Rudina Hajdari: Hetimi në kufijtë e afatit kohor, dosjet '339' dhe '184' mund të mbyllen!

1561029952_1561029734rudinahajdari.jpg

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari tha se dosja "339" dhe "184", për dyshime për shit-blerje të votave në Bashkinë e Dibrës kur u bënë zgjedhjet e pjesshme në 2016-ën dhe për zgjedhjet parlamentare 2017 me përfshirje të kryebashkiakut Vangjush Dako, mund të mbyllet. Ajo sqaroi se hetimet mund të kenë fatin e dosjeve të tjera të nxehta siç ajo i quajti, në të cilat kanë qenë të përfshirë politikanë të lidhur me krimin. Gjatë fjalës në Kuvend ajo tha se dosja mund të mbyllet pa  përfunduar plotësisht hetimi, i cili është në kufijtë e afatit kohor.

"Kryeministri tha sot që është i mbrojtur nga ndërkombëtarët dhe se opozita jashtë parlamentit nuk është e mbrojtur. Nuk është e vërtetë. Kryeministri po e humb mbështetjen se ai po e përdor këtë parlament për t'i hedhur benzinë zjarrit, për t'i bërë shantazh institucioneve të tjera, për arrogancën që e ka si në Shqipëri si jashtë saj. Ai sot mori përgjigjen nga Këshilli i Bashkimit Evropian për mos hapjen e negociatave. Përballë realitetit që ndodhemi sot, përballë fakteve që kanë dalë nga përgjimet nga një gazetë e mirënjohur gjermane, tregon një të vërtetë të hidhur. Vërtetë disa përgjime duhen parë më vëmendje, dhe i takon prokurorisë të hetojë. Por duke parë se organi i prokurorisë ndodhet në kolaps total, duke marrë parasysh vettingun dhe shkarkimin e më shumë se 50 % të prokurorëve, dosja 339 dhe 184 mund të mos gjejë përgjigje. Këto dosje mund të përfundojnë pa mbaruar hetimi plotësisht duke qenë në kufi të afatit kohor. Mund të mbyllet edhe kjo dosje e nxehtë, sepse në to ka shtetarë të lartë që kanë qenë pjesë e lidhjeve të politikës me krimin. Nëse nuk arrijmë këtë radhë të çojmë për hetim personat e përgjuar që kanë indicie, do të dështojmë për t'i dhënë shqiptarëve ndëshkimin e politikanëve që kanë qenë mbi ligjin", tha Hajdari.

Ora 13:25
Rudina Hajdari: Nëse Meta shpërndan parlamentin, t'i thotë burgut hapu

Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari deklaroi se Presidenti nuk ka kompetenca për të shpërndarë parlamentin, por nëse e bën një gjë të tillë duhet t'i thotë burgut hapu. Ajo kritikoi edhe propozimin e PS-së për të futur në Kodin Penal nenin që u ndalon daljen jashtë vendit 5-10 vite personave që tentojnë të pengojnë zgjedhjet.

"Përsa i përket Kodit Penal, që është shtuar një nen, dhe që do të na jepet kohë për ta shqyrtuar. Uroj që ta kemi kohën, pasi nenin 43, pika 1, tregon se merr përsipër që të ndalojnë shqiptarët që të udhëtojnë jashtë nga 5-10 vite nëse mundohen të prishin zgjedhjet. Ju kujtoj që Kodi Penal që parashikon nen të posaçëm, kemi një dënim dhe nuk na duhet një dënim shtesë. Unë e cilësoj si ajo rezolutë që erdhi para një jave, i hodhi benzinë zjarrit.

Nëse mendoni se presidenti do të shpërndajë parlamentin, ti thotë burgut hapu. Nuk e ka për kompetencë. Përsa i përket vendimit për të shtuar këtë nen. Ironi është që edhe vetë zoti Braho e kundërshtoi këtë. Imagjinoni ku ka arritur Kuvendi. Po një individ ka probleme shëndetësore do të ndaloni që të dalë jashtë vendit. Nuk e kam parë në asnjë vend të BE-së".

Ora 13:23
Hajdari- Ramës: Pse këmbëngul me 30 qershorin? Thirri ndërgjegjes, Shqipërisë nuk i duhen më viktima! (VIDEO)

Për herë të parë, kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari tha se zgjedhjet ndoshta nuk duhet të zhvillohen më 30 qershor, referuar dyshimeve të kryeministrit Edi Rama që sot tha se mbase në Shkodër, po tentojnë të bëjnë një 2 prill të dytë, ku u vranë 4 presona. Nga kuvendi, Rudina Hajdari tha se vendit nuk i duhen dhënë më viktima dhe se kryeministri Edi Rama duhet të reflektojë.

"Nëse ju këmbëngulni që zgjedhjet më 30 qershor, nëse ju keni informacion që do ketë vrasje si në 2 prill a nuk është e drejtë që t'i evitoni këto konflikte, dhe të ruani jetët e njerëzve dhe të mos dilni këtu të thoni do ruajmë shtetin e së drejtës? Nëse ju nuk doni të krijoni precedent që ta vijojë qeveritë më pas... por nëse ju krijoni viktima, a nuk do krijoni ju një precedent të së kaluarës, a nuk i jepni ju Shqipërisë viktima që nuk i duhen më? Thirrini ndërgjegjes suaj të dashur politikanë se koha po mbaron. Ne nuk duhet të bëjmë lojëra të tilla para shqiptarëve. Nëse kryeministri thotë që mund të ketë viktima në vijim duhet të marrë të gjitha masat për ta evituar këtë situatë", tha Rudina Hajdari.

Për Rudina Hajdarin, situata me KZAZ-të dhe me përplasjet e forta institucionale që po ndodhin së fundi në Shqipëri duhej të ishin evituar. Sipas saj, njësoj fajtorë janë të dyja palët që sipas saj po i hedhin benzinë zjarrit.

"Një seancë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh se çfarë po ndodh jashtë këtyre mureve, një situatë që duhej të ishte evituar më parë. Ja ku erdhëm për shkak të politikës shqiptare, të së njëjtës metodë të 30 viteve të fundit. Disa individë luftojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë lloj mënyrë nuk shmangin dhunën. "Dhuna fillon aty ku mbaron arsyeja". Dhuna fillon aty ku mbaron politika. Por ka dhunë fizike, psikologjike, verbale, dhe nëse do flasim për dhunë kemi një dhunë të jashtëzakonshme që po ndodh si nga individë të caktuar jashtë parlamentit, por edhe nga kryeministri që vijon të përdorë një gjuhë arrogante, ofenduese për deputetët e këtij parlamenti. Është e drejtë të themi që ne kemi humbur arsyen në mënyrë që sot nuk jemi në gjendje t'i japim shqiptarëve përgjigje si do të zgjidhim konfliktin që po ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë, dhe pritet të kemi akoma më shumë konflikte të tjerë. Jemi përballë një realiteti që duhej të ishte evituar me kohë. Jemi përballë një realiteti që kërkon shtetarë që japin zgjidhje dhe jo t'i hedhin akoma më shumë benzinë zjarrit. Asnjë palë nuk po përdor arsyen për të evituar këtë situatë. Është koha që parlamenti të funksionojë për të gjetur një rrugëdalje në këtë krizë të madhe. Është koha t'i themi jo dhunës, për të gjetur zgjidhje. Duhet të ndodhë një herë e më parë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Është kohë të përfundojmë reformën në drejtësi", u shpreh Rudina Hajdari.

Ora 13:16
Gjuzi e ndërpret, Rama: Naltmadhni mos bëj Flamurin me mustaqe...

Në fjalën e tij në Kuvend nga foltorja, Rama u ndërpre disa herë nga deputeti Kujtim Gjuzi, ndërsa nuk munguan replikat me ironi nga kryeministri. "Naltmadhni të lutëm nuk të ndërpreva kur fole. Të lutem për atë shami që ke në xhep, mos bëj Flamurin (Flamur Noka) me mustaqe, më lër të flas, jemi shumë të kënaqur me ardhjen tënde" tha Rama ndër të tjera. Ndërsa kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i tërhoqi vëmendjen Gjuzit duke e paralajmëruar se mund të përjashtohet nga seanca.

Ora 13:12
Sulmet ndaj KZAZ-ve, Rama: Negociatat mund të mos çelen në tetor, por këta do të dalin para drejtësisë

1561029159_1561028428rama8.jpg

Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se opozita po bën gjithcka që të mos hapen negociatat në tetor dhe një gjë e tillë nuk përjashtohet, por shtoi se të gjitha ata që po krijojnë incidentet dhe sulmet ndaj KZAZ-ve në të gjithë vendin do të mbajnë përgjegjësi të plotë. "Paketa nuk ka lidhje me të majtën, apo të djathtën, por me vendin dhe shoqërinë dhe për t'i dhënë mundësinë e konsensusit me opozitën e përgjegjshme, cdo gjë që ka nevojë për më shumë diskutim të diskutohet dhe të gjithë të japim një mesazh të fortë, se cfarë është e mirë e përbashkët është detyrim i përbashkët, përgjegjësi e përbashkët. Shtrirja e diskutimit për pak më shumë kohë me opozitën e konsolidon dhe nuk e cënon këtë paketë.

Edhe nga kjo paketë mesazhi është i qartë, se 30 qershori vjen shpejt, kalon, por drejtësia që duket se vonon, nuk harron dhe nuk do të harrojë askënd, që sot kujton se është koha për të hedhur në erë Shqipërinë. Asnjë shans, maksimumi një dëm i përkohshëm që do të na pengojë të celim negociatat në tetor, gjë që nuk e përjashtoj që të mos ndodhë. Kjo është maskaradë. Reformës në drejtësi këta Haxhi Qamilë nuk i ikin dot, këtë do ta tregojë edhe filxhani i Qamile Haxhiut" tha Rama.

Ora 13:05
Ndalimi i daljes 10 vite/ Opozita kërkoi kohë, Rama jep 'OK': SHBA iu drejtua direkt Bashës

1561028735_1561028511rama10.jpg
Kryeministri Rama pranoi kërkesën e opozitës për t'i dhënë kohë që të shqyrtohet propozimi për të futur në Kodin Penal ndalimin për daljen jashtë vendit nga 5-10 vite për të gjithë personat që janë dënuar për krime elektorale.

"Sot kemi një propozim, opozita ka kërkuar kohë, është normale, nuk kemi asnjë problem me kohën. Për të vendosur në Kodin Penal ndalimin për të dalë jashtë vendit... Ndalimi i daljes jashtë për 5-10 vite pas dënimit për krimet zgjedhore u jep fund historisë së aventurierëve që të mendohen edhe kur të flasin në telefon.

SHBA iu drejtua me emër dhe mbiemër Bashës dhe Kryemadhit që ju jeni përgjegjës dhe do të paguani për këtë" tha Rama.

Ora 12:58
Sulmet ndaj KZAZ-ve, Rama: PD si talebanët! Përgjimet sallatë fjalësh, antena u vendos vetëm te PS-ja (VIDEO)

Sulmet e bashkive të drejtuara nga opozita dhe militantëve të saj kundër KZAZ-ve, Rama i krahasoi me ato të talebanëve në Afganistan. Rama komentoi edhe përgjimet e tjera që nxori mbrëmë Bild, për të cilat tha se janë një sallatë fjalësh për koka me zbrazëti.

Ai tha se bisedat e dala nga PD-ja po i kryejnë funksionet për të penguar hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se si biseda që ka bërë dhe që doli para tre ditësh ka bërë me mijëra me shtabet. Kryeministri theksoi se antena e përgjimeve u vendos vetëm mbi shtabin e PS-së dhe jo tjetrën, referuar grupit të Flamur Nokës që u përplas me socialistët në zgjedhjet e Dibrës.

"Këta kryebashkiakë nuk duhet të harrojnë dekriminalizimin që e kemi votuar dhe me atë ligj do të humbin të drejtën që të bëhen edhe kryepleq nëse vijojnë të bëjnë këtë që po bëjnë. Përgjimet dalin për koka me një zbrazti të konsiderueshme si koka në fjalë (i referohet Kujtim Gjuzit) që po më drejtohet mua. Unë u them shqiptarëve. Biseda është nxjerrë nga konteksti.

Ato përgjime po e kryejnë funksionin për objektivin ku ka qenë instaluar e gjithë PD-ja me në krye Bashën dhe të gjithë deputetët që ushtronin presion dhe dhunë. Antena u vendos vetëm mbi shtabin e PS-së dhe jo tjetrën, por pse nuk doli një urdhër i vetëm për kapjen në flagrancë, pse shkuan te PD-ja? Pse tani? Pse në Gjermani? Si shpjegohet se lajmet e Gjermanisë i pararend Qim.neti.Kjo është një sallatë e madhe fjalësh, por nuk ka asgjë dhe janë në proces. Brenda katër javëve do u kërkoj gjykatave gjermane që të zbardhin të vërtetën për gjithcka që është thënë në adresën time.

Unë atë bisedë e kam bërë dhe do ta përsërisja dhe të tilla kam bërë me mijëra me të gjithë shtabet dhe koordinarorët. Shteti do të fitojë mbi antishtetin, këta sillen si talebanë. Ajo që ndodh sot në oborret e shkollave ndodh në Afganistan, talebanët kanë ndërmarrë të njëjtën orvatje për të penguar zgjedhjet. PD-ja është talebanizuar. Ndërkombëtarët janë në krah të popullit shqiptar për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve. Ndërkombëtarët kanë kërkuar nxjerrjen para përgjegjësive të nxitësve të dhunës".

Ora 12:46
Letra e Metës/ Rama: Të burgosurit u nxitën për revolucionin imagjinar të opozitës (VIDEO)

Nga Kuvendi, kryeministri Edi Rama reagoi për një letër që presidenti Ilir Meta i çoi drejtorisë së Burgjeve në lidhje me një informacion të qarkulluar në disa portale se po dalin nga qelitë persona të rrezikshëm me precedentë penalë. Shqiptarja.com dje publikoi edhe përgjigjene Burgjeve që i quajtën këto lajme, trillime portalesh. Kreu i qeverisë tha se presidenti ka ngatërruar adresë, pasi letra duhej që t'i ishte dërguar ministrit të Drejtësisë, dhe jo drejtorëve.

"Para dy ditësh morëm informacion që njerëz, që lehtësisht mund të verifikohen se me kë janë të lidhur në katërshen, kanë komunikuar me persona në burgje duke i nxitur që të marrin në dorë pjesë të tyre të revolucionit imagjinar dhe pas këtij informacioni del letra e Presidentit. Nëse do të ishte shqetësuar nuk do të rendte ka publikonte letrën që e ka dërguar në adresën e gabuar. Pavarësisht se ndihet komandanti super, ai nuk ka të drejtë tu drejtohet drejtorëve, por ministrave", tha Rama.

Ora 12:43
Voltana Ademi i refuzon mitingun në Shkodër, Rama: Mbase do 2 prill! Meta po i hedh benzinë zjarrit (VIDEO)

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, refuzoi kërkesën e Partisë Socialiste për të mbajtur takim elektoral në kryeqendrën e veriut, aty ku kryeministri Edi Rama këtë pasdite prezanton kandidatin për kryebashkiak të Shkodrë, Valdrin Pjetrin. Voltana Ademi tha se i bindet dekretit të Presidentit Ilir Meta që i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe nga ana tjetër thotë se në Shkodër nuk ka sheshe të lira publike për shkak se janë të zëna me aktivitete për sezonin turistik. Nga Kuvendit kryeministri Edi Rama i quajti këto episode që komunizmi në grahmat e fundit përdori ndaj vetë Partisë Demokratike të sapothemeluar.

"Sot kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Për herë të parë që nga vitit 1991 qysh se kemi nisur fushatën elektorale rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mintingjashëve. Ka pasur Shqipëria dhe momente të rënda realisht por ka pasur konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë të 91-shit që përpiqeshin në grahmat e fundit të enverizmit institucional t'i zinin rrugën partisë së sapolindur demokratike sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor u përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme. Ajo që është e trishtueshme është fakti se njësoj si në atë kohë kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik dhe partner ndërkombëtar në krah. përkundrazi, njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe partnerët janë vendosmërisht kundër gjithë kësaj që ndodh. A nuk ju kujton kjo Haxhi Qamilin kur thoshte sa të kem Kavajën dhe Shijakun unë nuk (ai thoshte një fjalë që nuk është vendi për ta thënë) po e them me pyes (ai nuk thoshte pyes) për Francën dhe Anglinë", tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se demokratët ndoshta duan një 2 prill të dytë, ndërsa referuar sulmeve ndaj KZAZ-ve që kanë nisur nga bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI, kryeministri tha se është presidenti ai që po i hedh benzinë zjarrit, me dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve që ngjalli  përplasje të forta institucionale.

"Pjesë trishtuese është përdorimi i nëpunësve, i policëve bashkiakë që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin, janë në shkelje flagrante të ligjeve. Janë në shkelje të ligjeve dhe pse në këtë farsë mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vijon edhe pas 30 qershorit. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së. Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit", tha Rama.

Ora 12:39
Rama: Skenar i përgatitur nga PD-ja, nxjerrja e përgjimeve për të bllokuar negociatat (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se opozita me protestat dhe ngjarjet e fundit po hedh në erë urën e Shqipërisë për t'u lidhur me Europën. "Në këtë orvatje bashkohet ankthi nga drejtësia nga frika nga zgjedhjet. Po marrin peng procesin zgjedhor të 30 Qershorit. Marrja peng është orvatje për t'i mbyllur Shqipërisë derën e negociatave dhe gjithë plani me përgjime të pa hetuara, por të mbyllura në kasafortë dhe të dorëzuara te partia që lajmëron daljet në Gjermani përpara se të dalin në Gjermani. Gjetja e vendit në Gjermani, kalendari aspak cuditërisht i përputhur me protestat, flasin vetë për këdo që dëshiron që të shikojë dhe mendojë. Revolucion imagjinar me punonjës bashkie, të rinj rrugë humbur që maskohen" tha ai. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xreport: 21/06/2019 01:28

    ca ka kjo hajdari qe bertet kur reciton ????? me qetsi dhe dadhuri hahahah

    Përgjigju
  • Daku: 20/06/2019 18:19

    O ky ka ikur po nuk e le dot tani thuaj se ja bejne gropen te vetet me aq sa din e kan bere bashke. Ky thjesht do ta dorezoje ne 1 Korrik pas shume perolasjeve civile neper shqiperi me justifikimin qe ja une e provova po skam ci bej me tani...do te dali pa lagur me pak fjale.

    Përgjigju
  • Populli: 20/06/2019 17:14

    O shoku edi vetem drejtesi skeni me bo naiher ju edhe ato plerat e tjera te gjith per karrike e beni kush te vjedhi me shum si nuk ju vjen turp e din popullin budalla ti

    Përgjigju
  • CaBone: 20/06/2019 16:42

    Rama je 1sh, perfundimisht.

    Përgjigju
  • Tropojani: 20/06/2019 13:00

    Po' pse o kurve kryeminister cfar prisje nga ne si opozite me te thene marshalla per punet e keqiaj per vjedhjet me kriminelet, per lidhjet me bandat e droges, po' bejeni dorheqjen ne kohe para se te terheqim zvarre o kriminel

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?