LEZHE- “Ky është një fillim i ri për sistemin shëndetësor”, ka vlerësuar kryeministri Rama gjatë përurimit të zyrës së pritjes në spitalin rajonal të Lezhës ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu.

Kryeministri Edi Rama deklaron se qeveria do të vazhdojë të mbështesë shëndetësinë duke e quajtur taksimin progresiv një të mirë që i është bërë mjekëve. Kryeministri së bashku me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu kanë përuruar zyrën e pritjes në spitalin rajonal të Lezhës.
 
“Ky është një fillim i ri për sistemin shëndetësor, ku tashmë qytetarët do të marrin një shërbim më të mirë. Sot shikoj fytyra të qeshura të mjekëve, pasi ka filluar taksimi i ndershëm, dhe siç duket mjekët janë të kënaqur. Ne me politikat tona do vazhdojmë të mbështesim sistemin shëndetësor me qëllim që ai të ndryshojë”- tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se, “ky projekt i realizuar është ndër shembujt më të parë të një transformimi në vijim të të gjitha pikave të kontaktit me shtetin në spital në çdo zyrë të shtetit. Në momentin kur njerëzit në nevojë për kurë, apo familjarët e tyre meritojnë të mikpritjen në kushtet më optimale”.
  
“Është kënaqësi që kjo përkon edhe me ditët kur personeli spitaleve po merr rrogat m,e taksimin e ndershëm, shoh mjek të buzëqeshur, kjo do të vijojë. Kjo do të ndikojë shumë edhe në forcimin e marrëdhënieve mes personelit spitalor, Ministrisë së  Shëndetësisë, pushtetit vendor, komunitetit si dhe që ne të vijojmë që ne të rrisim mundësitë e të gjithë atyre që shërbejnë në spitale për të pasur më shumë para nga puna e tyre dhe për të jetuar më mirë”, nënvizoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.
 
edi rama ne lezhe
(Në foto: Kryeministri Edi Rama sot në spitalin e Lezhës)

Duke folur në këtë ceremoni, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu tha se, “jemi të kënaqur që jemi pjesë e këtij projekti dhe që USAID ka qenë pjesë e kësaj mundësie. Mendoj që kjo është mundësi e shkëlqyer e punuar së bashku me qeverinë me qëllim që qytetareve tu ofrohen shërbime më cilësore”.

“Veçanërisht me rëndësi është afrimi i shërbimeve në fushën e arsimit, shëndetësisë, dhe të gjitha këto ndihmojnë në një qeverisje më të mirë. Diçka që jemi krenar në Lezhë është fakti i krijimit të një këshilli konsultativ spitalor që do punojë së bashku me komunitetin”, tha në fjalën e tij, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.
 
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, e ka vënë theksin tek furnizimi me ilaçe i spitaleve. “Të mundësojmë një furnizim të mirë me barna, spitalet nuk janë vetëm qendra kurimi, por edhe qendra ku ngjizet solidariteti njerëzor. Ky projekt ka në thelb pacientin në qendër të kujdesit shëndetësore”, theksoi ministri Ilir Beqaj.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)