Kryeministri Rama rishprehu bindjen se Shqipëria dhe Ballkani në BE kanë nevojë për njëri-tjetrin. Rama e cilësoi statusin si një “pilulë antidepresive” për shoqëritë që aspirojnë Unionin, çka i jep atij një vlerë e domethënie simbolike, e dalluar qartë nga faza tjetër, ajo e hapjes së negociatave për anëtarësim.
“Statusi i vendit kandidat, është natyrisht diçka krejtësisht e ndryshme nga anëtarësimi në BE, por është gjithashtu, diçka që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me negociatat. Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që nuk janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE dhe madje, as të hapin negociatat.” shprehet Kryeministri
Kryeministri Rama nënvizoi se BE është jo thjesht vizion për Ballkan, por siç theksoi ai edhe domosdoshmëri për shoqëritë dhe vendet e një rajoni që, pas një të kaluare të hidhur, jeton vitin e parë pa konflikte.
“Kështu të mos e japësh statusin, sipas këndvështrimit tim është plotësisht e paarsyeshme. Ta japësh statusin është jo vetëm e arsyeshme por, do të thotë që është si të japësh praktikisht pothuajse asgjë dhe të përfitosh shumë më tepër. Përfiton ndërtimin e shpresës dhe besimit të njerëzve në të ardhmen, në një zonë shumë të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, të papunësisë së lartë, problemeve sociale dhe, e fundit, por jo më e parëndësishme, mjafton të shihni një panoramë të asaj që po kalon Ballkani sot. Është një moment i veçantë në historinë tonë, i ekzistencës sonë mund të them, e cila është edhe më e madhe se vetë historia. Sepse për herë të parë që nga ekzistenca jonë si Ballkan, ne po jetojmë një vit pa konflikte, sepse rruga e paqes bëhet më e lehtë nëse u thua njerëzve se ka diçka shumë më të rëndësishme se konfliktet tona tradicionale, që është integrimi europian dhe Europa,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se ka një shpresë që nuk duhet thyer, sepse potenciali për t’u kthyer në kohët e vështira është ende aty.
Kryeministri Rama foli më tej, për domosdoshmërinë që rajoni ka për BE-në. Siç theksoi kryeministri Rama, nuk duhet ngatërruar bashkëpunimi i BE me Ballkanin dhe marrëdhënia e Unionit me çdo vend.
“Në të njëjtën kohë, ne duhet të gjejmë mënyrën për të mos e lidhur vëmendjen dhe bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Ballkanin, me marrëdhënien midis Unionit dhe çdo vendi. Rruga individuale e çdo vendi është një gjë dhe bashkëpunimi rajonal, tjetër gjë.” theksoi Rama
Në fund Kryeministri tha se “Ballkani, nuk mund të prosperojë pa kontributin e përbashkët të të gjitha vendeve të tij dhe pa mbështetjen e familjes europiane.”
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)