"Si kryetari i opozitës unë s`kam asnjë imunitet dhe ta themi hapur që heqja e imunitetit të tre deputetëve është për ne tërësisht e pamjaftueshme ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i deputetit Sali Berisha. Qëndrimi ynë karshi imunitetit për çdo çështje që i intereson prokurorisë është i njohur botërësisht. Por nga ana tjetër mund të themi me gjithë mbështetjen tonë për prokurorinë se pa hetuar kryeministrin dhe ish-ministrin e brendshëm hetimi i çdo figure tjetër ngjan i sforcuar për të thënë i padrejtë” ka shtuar Rama.
Ai në mbledhjen e grupit i kërkoi prokurorisë së përgjithshme që të nisë nga ai hetimin e organizatorëve të 21 janarit. Në reagimin e parë për hetimet e vrasjeve të një viti më parë, Rama mbështeti organin qëndror të akuzës dhe vlerësoi ekspertizën e FBI dhe rolin e qeverisë amerikane.
“Nuk ka asnjë problem për ne për heqjen e imunitetit të deputetëve. Jam gati të hetohem bashkë me ta. Nuk e kuptoj cfarë kanë bërë ata më shumë se unë deputetët në 21 janar. E di fare mirë që, asnjë nga deputetët ska bërë më shumë se unë vetë për të organizuar demonstratën e 21 janarit . I bëj apel prokurorisë të na përfshijë të gjithëve, mua të parin. I gatshëm të jap kontributin tim”, tha Rama në mbledhjen e grupit kuvendor socialist.
Megjithatë, sipas kryesocialistit e vërteta nuk është zbardhur e plotë, për sa kohë nuk janë prekur urdhëruesit e vërtetë të plumbave mbi demonstruesit.
“Ska batalion që hap zjarr pa urdhër. Komandanti i gardës mund të bëhet kokë turku, por drejtësia smund të mjaftohet me ekzekutimin e tij. Pa ndëshkimin e urdhëruesve drejtësia do të mbetet e paplotë. Nëse ska hetim ndaj berishës e bashës cdo hetim tjetër i padrejtë”, tha Rama.
Kryesocialisti cilësoi si demencial sulmet e kryeministrit Berisha ndaj kryeprokurores dhe Presidentit të Republikës.
“E rrezikshme të kërcënosh nga karrigia kreun e organit të akuzës bashkë me presidentin e Republikës se do të hetohen sapo të lënë postet. Hedh poshtë me përbuzje cdo akuzë ndaj Ina Ramës se ka bashkëpunuar me mua dhe PS”, deklaroi Rama.
VENDIMET E GJYKATAVE
Lënien në arrest shtëpie të 3 personave të akuzuar për 21 janarin, Rama e cilësoi si simbol të kthimit të gjyqësorit në viktimë të mafias në pushtet.
“Lanë në arrest shtëpie njeriun që u zbulua edhe nga FBI. Kjo do të thotë që ai ka mundësi komunikimi për të ndotur provat. I bëjmë apel public Gjykatës së Apelit ta revokojë këtë masë dhe të pranojë kërkesën e prokuorisë për arrest me burg. Duam drejtësi dhe vetëm drejtësi”, tha kreu i PS.
Sipas tij me zhvillimet e djeshme shoqëria është më e lehtësuar.
“Në tunelet e drejtësisë është ndezur dritë shpresëdhënëse, ne presim zbardhjen e plotë të së vërtetës. Besojmë se mbështetja e botës demokratike është shtysë që në këtë process fundi të mos jetë i njëjtë me procese të tjera që kanë shpërfaqur karakterin mafioz të pushtetit. Pushteti gjyqësor është kthyer në vegël qorre e mafias që qeveris”, e mbylli fjalën e tij kryesocialisti.
(aq/shqiptarja.com)