Në fjalën e tij përpara banorëve, Kryeminstri Rama theksoi se për procesin e legalizimeve, puna i mbetet qeverisë. "E kemi nisur dhe do e përfundojmë duke iu dhënë dokumentin e legalizimit, pa paguar", tha Rama, teksa ka dorëzuar edhe disa dokumente pronësie për banorët.
"Në 300 ditë legalizuam më shumë se ç'u bënë në 8 vite. Do të përfundojmë procesin në një periudhë shumë të shkurtër", tha Kryeministri Rama. "Çertifikatat e pronësisë tregojnë se çfarë vlere ka vota që iu keni dhënë më 23 qershor të 2013", iu drejtuar kreu i qeverisë, banorëve.
Kryeministri Rama gjithashtu nuk harroi pa akuzuar edhe krybashkiakun e Tiranës dhe njëkohësiht kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke u shprehur se, Basha premtoi shërimin e kësaj plage në Tiranë. Por 1200 familje të Hawai dhe mijëra familje janë pa titull pronësie. Bashkia kishte dy vjet kohë për ta bërë. Ne e bëmë për më pak se 300 ditë. Në 300 ditë kemi legalizuar më shumë se ata në 8 vjet, u shpreh Rama
"Një plagë e vjetër, që juve ju kutjohet më mirë, përpara 3 vjetësh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, atëherë kandidat, iu premtoi se do ta shëronte sapo të hynte në zyrë dhe në fakt akuzoi Bashkinë e mëparshme që e kishte lënë këtë plagë të hapur dhe që 1200 familje që janë në godinat e quajtura të Haëait, por bashkë me to mijëra familje të tjera në 210 pallate të Tiranës, nuk arrijnë dot të kenë titullin e pronësisë, nuk marrin dot dokumentin në hipotekë që provon se shtëpia është e tyre. Kishin gjithçka që duheshin për t'i dhënë në dorë dokumentin e pronësisë familjeve të gjithë këtyre godinave duke i kthyer nga familje që kanë blerë shtëpitë po s'ia njeh kush në pronarë, dhe nuk e bënë. Dhe ne kemi ardhur sot sepse e bëmë në më pak se 300 ditë. Këto janë pallate pa leje ndërtimi, jo për fajin tuaj, janë pallate që janë shitur pa dokumente dhe janë pallate për të cilat ndërtuesi, investitori nuk ka shlyer asnjë detyrim ndaj shtetit", tha Rama para banorëve të pallateve Hawai.
ALUIZNI me vendim të qeverisë ka nisur procedurat për të gjitha familjet, edhe nëse nuk kanë bërë vetëdeklarime. Në rastin kur një banesë është e pretenduar nga disa pronarë, atëherë rasti do të zgjidhet vetëm në gjykatë.
Gjate mbledhjes se Keshillit te Ministrave
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e datës 2 korrik përcaktimin e procedurave të legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria "Hawai-alb", sh.p.k.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 43/1, të ligjit nr.9482 datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria "Hawai-Alb", sh.p.k., kryhen në favor të poseduesve të apartamenteve dhe ambienteve me funksion social - ekonomik. Ndërtimet pa leje, shtesat anësore apo ndërtimet në lartësi, u nënshtrohen procedurave të legalizimit edhe nëse për to nuk është kryer procedura e vetëdeklarimit apo nuk është paraqitur kërkesa për legalizim sipas afateve të parashikuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar.
2. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton, harton dhe publikon listën e ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ngritura nga shoqëria "Hawai-Alb", sh.p.k., si dhe listën emërore të poseduesve të apartamenteve të banimit dhe ambienteve me funksion social - ekonomik.
3. Listat e hartuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, publikohen në faqen zyrtare të ALUIZNI-t dhe afishohen në godinën qendrore dhe atë lokale të ALUIZNI-t, pranë njësive përkatëse të qeverisjes vendore, si dhe në ambientet e objekteve që do t'i nënshtrohen procesit të legalizimit. Poseduesit e këtyre ndërtimeve njoftohen në adresën ku ato banojnë për të kryer procedurat e legalizimit.
4. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, në tejkalim të projektit të miratuar, do të kryhen në dy faza:
a) Legalizimi dhe regjistrimi pranë ZVRPP-së i objektit bazë, së bashku me shtesat eventuale anësore dhe/ose në lartësi të kryera nga vetë shoqëria "Haëai-Alb", sh.p.k.
b) Legalizimi i shtesës anësore dhe/ose në lartësi si ndërtim i bashkëngjitur ndaj objektit bazë, të kryera nga vetë subjektet poseduese.
"Objekt bazë" konsiderohet pjesa e objektit e parashikuar në projektin e miratuar në lejen e ndërtimit, pa shtesat e realizuara në tejkalim të tij.
5. Kur për të njëjtin apartament apo ambient me funksion social - ekonomik ka pretendime për posedimin nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
6. Në rast se çështja është në proces gjyqësor sipas pikës 5, të këtij vendimi, procedurat e legalizimit për apartamentin ose ambientin me funksion social - ekonomik pezullohen, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar apo me vendim gjyqësor të lejimit të masës së sigurimit.
7. Procedurat e legalizimit rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar.
8. Detyrimet financiare të lidhura me tarifën e shërbimit shlyhen nga poseduesit e ambienteve me funksion social - ekonomik, sipas paragrafit të fundit, të nenit 27, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.
9. Vlerësimi i qëndrueshmërisë konstruktive për ndërtimet pa leje, shtesat anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria "Hawai-Alb", sh.p.k., bëhet nga Instituti i Ndërtimit, pa pagesë, dhe i bashkëngjitet praktikës dokumentare të legalizimit.
10. Regjistrimi në ZRPP i objekteve bazë të subjektit "Hawai-Alb", sh.p.k., kryhet në emër dhe për llogari të ALUIZNI-it dhe përjashtohet nga taksat dhe tarifat e shërbimit.
Regjistrimi i njësive individuale, apartamenteve dhe ambienteve me funksion social - ekonomik, si dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet nga poseduesit e tyre me anë të lejes së legalizimit.
11. Subjekti "Hawai-Alb", sh.p.k., ka detyrimin e pagesës së penaliteteve të parashikuara nga neni 43, i ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, të cilat do t'i njoftohen personit të ngarkuar me zbatimin e procedurave të likuidimit të shoqërisë tregtare, përfaqësuesit të saj, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare". /a.ke/