Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit do të kontrollojë çmimin e naftës në vend dhe nëse dikush do të vendosë një çmim ndryshe, do të humbasë pikën e karburantit. Kështu deklaroi prerazi kryeministri Edi Rama sot gjatë takimit me furnizuesit e naftës në vend, teksa i tha se ata nuk do të shkojnë në shtëpi me humbje, por kurrsesi me fitim në situatën ku ndodhet vendi.

Kreu i qeverisë deklaroi se brenda 24 orëve do të ketë një akt normativ për t'i dhënë mundësi qeverisë të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë, bashkë me furnizuesit, ndërsa anëtarët e Bordit të Administrimit të Karburanteve do të jenë: ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi, drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.

Kryeministri u shpreh se Bordi, bashkë me furnizuesit do të takohen çdo ditë për të përcaktuar çmimin e naftës në varësi të lëvizjes së tij në tregjet botërore dhe ky çmim do të jetë transparent për të gjithë qytetarët. Po ashtu Rama tha se do të krijohet edhe rezerva shtetërore e naftës duke përdorur Albpertol, në mënyrë që kjo rezervë të përdoret në raste se në vend do të ketë mungesë të furnizimit me karburant. Rama tha se problemi më i madh sot nuk është kosto por mungesa e produktit. Ai deklaroi se janë në bisedime me Emiratet e Bashkuara duke theksuar se kjo ishte arsyeja e takimit të tij me princin e kurorës.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi se nga nesër do të nisin kontrolle në terren për rezervën e naftës së sigurisë që duhet të kenë furnizuesit dhe nuk ka respektuar detyrimin, do gjobitet me 50% të vlerës së sasisë së naftës që mungon.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, çmimi i naftës ka arritur në nivele rekord në vend, gjë që ngjalli protesta në të gjithë vendin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:55
Rama: Do bëjmë transparencë çmimi çdo ditë! U takuam me princin e Arabisë Saudite për të mbajtur lidhjet për furnizimin me naftë

Kryeministri Edi Rama tha se do të bëjë transparencë çmimin dhe rezervën faktike çdo ditë  për naftën dhe energjinë për qytetarët. Rama tha se për të mbajtur furnizmin me naftë në vend u takua edhe para pak ditësh me princin e Kurorës së Arabisë Saudite

"Kjo është kohë lufte dhe unë kërkoj solidaritetin tuaj dhe kërkoj angazhimin tuaj me hir, kurse ligji do ta bëjë këtë me pahir. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Ju e dini më mirë se sa unë. Të tjerë e dinë më pak se sa e dimë ne, për shkak se merremi me këtë punë, që çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë dhe ky i çmenduri që ishte para dy ditësh e që mund të rikthehet prapë, nuk e di. Është mungesa e produktit. Sepse është kollaj të thuash hajde impono, por nga ana tjetër gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet edhe në vende të tjerë, mund të sjellë në pikën që s’ka naftë. Mund të sjellë në pikën që nuk ka energji. Sepse sot, e sqaroi dhe ministrja në konferencën e mëparshme për shtyp, problemi jonë kur dalim në treg, për shkak të thatësirës, nuk është thjesht që çmimi është çmenduri. Ka parashikime që thonë do shkojë 1000! Çështja është që nuk e gjen  produktin, prandaj këtu përveç pjesës së transparencës së çmimit, ne nuk do të administrojmë bashkë me ju, që të imponojmë ne çmime arbitrarisht, sepse e dimë shumë mirë ku të çon kjo. Kjo të çon në një faliment të përgjithshëm e pastaj nuk ka fare, por do të bëjmë transparencën e çmimit në mënyrë të përditshme, që njerëzit ta shohin qartë që çdo qindarkë është aty jo për arsye të fitimit por për arsye të vazhdimit normal të punës dhe nga ana tjetër, ministrja do të flasë për rezervën faktike që duhet të jetë e garantuar jo si rezervë financiare por si rezervë faktike. Ndërkohë ne kemi nisur intensivisht punën për këtë arsye, ose një nga arsyet kryesore pse vizituam edhe princin e kurorës së Emirateve të Bashkuara ishte pikërisht për të kërkuar një mundësi, që ishte dhe arsyeja pse ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite dhe pse ne vazhdojmë të jemi në kontakt me të dyja këto vende, që janë vende kyçe, por duke mos u zgjatur më shumë, unë do dëshiroja shumë që ne këtë gjë bashkërisht ta bëjmë me një sens patriotik që o sot, o kurrë. Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nga ju nuk rrezikon të humbasë gjithçka që ka fituar por gjithkush nga ju ka sot detyrimin, për këtë periudhë kohe, nuk e dimë sa është, një muaj, dy muaj apo tre, se pastaj nëse zgjat përtej tre është një histori komplet tjetër, për të gjithë, jo thjesht për ju ", tha Rama.

Ora 09:54
Rama: Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do të angazhohet për të krijuar rezervën shtetërore të naftës

Kryeministri Edi Rama tha se ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të angazhohet për të krijuar rezervën shtetërore të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija.

'Ndërkohë, dua t’iu informoj që ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do angazhohet për të krijuar rezervën e vet,  duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet, për ditë të këqija, kuptohet. Ky është thjesht për informacion. Ne do jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse do shohim që problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju duhet të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar ne, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide.'- tha Rama.

Ora 09:49
Balluku-furnizuesve: Duhet të keni rezervë sigurie nafte, e barabartë me 90 ditë shitje! Nga nesër nis kontrolli në terren, gjoba kush s'ka respektuar këtë detyrim

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku bëri me dije se nga nesër do të nisin kontrollet në terren ndaj furnizuesve të naftës për të kontrolluar nëse kanë gjendje rezervën e sigurisë së naftës, detyrim ligjor ky. Sipas Ballukut,  rezerva që duhet të kenë furnizuesit duhet të jetë e barabartë me 90 ditë shitje.

Ministrja theksoi se kush nuk ka rezervën e sigurisë së naftës, masa e gjobës do të jetë 50% sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë.

"Është e nevojshme të flasim për çfarë kërkon qeveria nga ju, kërkojmë të përmbushet detyrimi i rezervave faktike që ju duhet të keni. Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë. Jeni të detyruar të mbani rezerva sigurie. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë et tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që kryeministri përmendi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditorë të gjithë ecurinë e tregut ët naftës do ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojmë, do nisim kontroll në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar. Kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren, në rast më të mirë, do ishte e udhës që të deklaronit zyrtarisht sasia e rezervës që mbani për të koordinuar me sasinë që kemi përllogaritur. Masa e gjobës është 50% sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë", tha ministrja.

Ora 09:42
Çmimi i naftës, kush janë anëtarët e bordit të administrimit të karburantëve të qeverisë që do të ulen në tryezë furnizuesit e naftës

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp tha se do të dalin me një akt normativ për t'i dhënë mundësi qeverisë të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë, bashkë me furnizuesit, ndërsa ka zbuluar edhe se kush do të jenë anëtarët e bordit të administrimit të karburantëve.

‘Pjesë e bordit do të jenë, përfaqësuesit e qeverisë, ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi, drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba, që do të jenë në një tryezë me 5 përfaqësuesit tuaj. Do të përcaktojnë çmimet, dhe nuk do të ketë asnjë çmim të përcaktuar që nuk e ka miratuar bordi dhe kush vendos një çmim më të lartë do të humbisni pikën e karburantit.’- tha Rama.

Ora 09:41
Rama-furnizuesve të naftës: Për 24 orë akt normativ, qeveria do hy në administrimin e furnizimit! Kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se brenda 24 orëve do të dalin me një akt normativ për t'i dhënë mundësi qeverisë të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë, bashkë me furnizuesit. Rama tha se kjo do bëhet përmes Bordit Kombëtar të furnizimit me naftë dhe se kushdo që vendos çmime të pamiratuara, do humbasë pikën e karburantit.

"Unë mendoj që ju duhet ët jeni të vetëdijshëm se i përkisni asaj pjesë të shoqërisë që duhet të bëjë sakrificë. Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, qeveria, të gjithë kanë detyrimin të mbajnë pjesën e tyre të barrës. Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhi që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar dhenë këto kushte brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hy në administrimin e  furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pamiratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit", tha Rama

Ora 09:32
Rama: Me këtë çmim të energjisë deri në fund të vitit na duhet 640 mln dollarë për të mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël

Kryeministri Edi Rama tha se kriza më e madhe është ajo energjetike që po cilësohet si pandemia e re. Ai tha se qeveria ka vendosur që nga rritja e çmimit të energjisë të mos preket familjet dhe biznesi i vogël dhe për këtë deri në fund të vitit i duhen 640 mln dollarë.

" Po të mos ishte lufta ky takim nuk është as detyra dhe as përgjegjësia e qeverisë në një sistem demokratik ku me kushtetutë është sanksionuar liria e tregut dhe të ndërhyjë në çështjen e çmimeve. Lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë dhe me faturën e çmimit të naftës dhe me ndikimin në të gjitha çmimet, ky është fakt. Rritja e çmimeve filloi të jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të vitit të shkuar në të gjithë botën si rezultat i një ringritje të fuqishme ekonomike pas pandemisë dhe për rrjedhojë si rezultat i një kërkese shumë të rritur se oferta. Disa muaj më parë u shfaqën edhe simptomat e para të krizës energjetike, normal ata që janë m të zëshëm në këtë shoqëri protestojnë për naftën, por më e rënda është kriza e energjisë, e cila po konsiderohet si pandemia e re.  Sot ta dëgjojnë të gjithë nëse çmimi i energjisë do të jetë ky që do të jetë sot, pra pra nga 52 euro për MWh që ishte vjet, 550 euro për MWh në treg nga ku ne jemi të detyruar të importojmë për të gjithë ato arsye që dihen, ne do të na duhen 640 milionë dollarë ekstra deri në fund të vitit. 640 milionë dollarë ekstra është një eurobond. Për çfarë do të na duhen? Për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël. Këtë po bën kjo qeveri dhe është për të qeshur e për të qarë kur kjo merret si diçka që është e mirëqenë dhe shumëkush thotë, “po prapë ti na tregon çmimin e energjisë? Shiko naftën”. Unë e tregoj çmimin e energjisë sepse nëse ne do të bënim atë që po bëjnë e do të jemi këtu, do të vazhdojnë ta bëjnë vendet e tjera, duke e rritur çmimin e energjisë, ne do të preknim pjesën më vulnerabël të shoqërisë që nuk ka vetura. Do të preknim pensionistët. Do të preknim fermerët, si familjarë në këtë rast. Do të preknim familjet në ndihmë ekonomike. Do të preknim qindra e mijëra njerëz dhe do të preknim motorin e vetëpunësimit dhe të punësimit, biznesin e vogël. Këta ne nuk i prekim për asnjë çmim. do të bëjmë çmos. Nëse çmimi i energjisë do të kthehet aty ku ishte para luftës, na duhen 295 milionë ekstra. Pse i them këto? I them këto për të bërë të qartë që nuk shikohet kjo pamje duke u fokusuar komplet vetëm tek taksat e naftës. Është e vërtetë që ne kemi tek struktura e çmimit të naftës një ngarkesë ekstra që të tjerët nuk e kanë, e prandaj çmimi i naftës këtu është më i lartë, por të tjerët nuk e kanë zero taksën e biznesit të vogël. Të tjerët nuk e kanë zero TVSH-në për biznesin e vogël. Të tjerët nuk i kanë kaq të ulëta sa i kemi ne taksat mbi pagat, që janë simbolike, për pagat deri në 1 milionë lekë të vjetra", tha Rama.