Lidere rajonale e sigurisë kibernetike dhe një aleate e palëkundur e NATO-s e konsideroi ambasada e SHBA Shqipërinë, pas një vizite që zhvilloi gjatë ditës Ambasadori i Shteteve te Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker.
"Ambasada e SHBA Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur e NATO-s, një lidere rajonale në sigurinë kibernetike dhe një anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Ne mund të bëjmë edhe më shumë me zbatimin e plotë nga Shqipëria të angazhimit prej 5% të PBB-së për Shpenzimet e Mbrojtjes sipas Konventës së Hagës",shkroi ambasada amerikane në rrjete sociale.
Ambasada, publikoi takimet që diplomati i lartë amerikan pati me kryeministrin Edi Rama si dhe 2 ministrat e Mbrojtjes dhe Ekonomisë, Ermal Nufi dhe Petrit Malaj.
Edhe kryeministri Edi Rama ndau detaje nga diskutimi duke thënë se krahas forcimit të marrëdhënieve diplomatike e ushtarake një fokus të veçantë mori edhe organizimi i samitit të NATO-s, që mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.
“Folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës", shkroi Rama.
Ndërsa bashkë me ministrin Nufi, Mattheë Ëhitaker vizitoi Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s, nga ku diskutoi aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Rama për herë të parë, u shpreh në një intervistë se do të lejonte ushtrinë amerikane të zhvillonte operacione nga Shqipëria kundër Iranit me kusht që Uashingtoni të sigurojë “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi, si dhe pak javë pasi Shqipëria votoi në Kuvend rezolutën për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Pas takimit me kryeministrin Rama dhe ekipin e tij në Tiranë, Ambasadori Matthey Whitaker u takua me kreu një vizitë në bazën ajrore të Kuçovës e cila është rinovuar përmes fondeve të NATO-s, .
I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, Ambasadori theksoi se vendi ynë po rrit aftësitë në mbrojtjen kibernetike dhe po merr më shumë përgjegjësi.
Ambasadori Whitaker, dhe Ministri Nufi, diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII, si dhe mënyrat se si Shqipëria mund ta çojë sigurinë rajonale në nivele më të larta përmes rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes.
Whitaker nënvizoi gjithashtu se SHBA pret që Shqipëria të arrijë objektivin për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të kërkuar nga Donald Trump, si një hap i rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve ushtarake dhe lëvizshmërisë në rajon.
"Në Shqipëri, pata një tur informues nga ajri mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi. Shqipëria po rrit ndjeshëm kapacitetet në mbrojtjen kibernetike, është e angazhuar në operacionet për paqe dhe në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, si dhe në misione të tjera. Gjatë diskutimeve me kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij, theksova se presim të shohim çfarë më shumë mund të arrihet për lëvizshmërinë ushtarake, pasi Shqipëria të përmbushë objektivin e Presidentit Donald Trump për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto" shkruan ai në X
Nga ana e tij, ministri Nufi duke ndarë pamje nga takimi me zyrtarin amerikan, tha se gjatë bisedës, "vlerësuan bashkërisht rëndësinë strategjike të partneritetit të fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar në vlera të përbashkëta"
"Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; me këtë frymë diskutuam për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur dhe të fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit tonë strategjik në rajon" tha Nufi në një postim në rrjete sociale
Komente











