Sipas burimeve nga selia rozë, temë kryesore e bisedës kanë qenë zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. Partia Socialiste ka paditur në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Parlamentit për ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të vitit 2009. Takimi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu vjen pas takimit me ambasadorët e BE mesditën e së enjtes, takim në të cilin është diskutuar gjithashtu mbi zgjedhjet e 23 Qershorit. Kryesocialisti pas takimit është shprehur se shqiptarët që duan zgjedhje të lira nuk janë vetëm.
TAKIMI ME AMBASADORET E BASHKIMIT EVROPIAN
Mbrotja dhe numërimi korrekt i çdo vote të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, por dhe retorikat nacionaliste, kanë qenë tema e bashkëbisedimit që ambasadorët e BE-së zhvilluan sot paradite me kreun e PS-së Edi Rama. Takimi ishte thirrur nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi në zyrën e Bashkimit Europian dhe zgjati për gati 2 orë.
Kreu i PS, ka qenë i pari që mbërriti në zyrën e BE ku u mbajt takimi, 30 minuta përpara orarit zyrtar. Ajo çka u diskutua nën zë mes gazetarëve, pak përpara se takimi të fillonte u artikulua qartë edhe nga ambasadorja gjermane Holtekemper, sipas së cilës kryediplomatët europian të akredituar në Tiranë ndanë qëndrim të njëjtë me socialistët se më 23 qershor çdo votë duhet numëruar ndershmërisht.
"Rama shpjegoi pikëpamjet e tij në lidhje me programin e Partisë Socialiste. Ai sqaroi me detaje pikëpamjet e tij dhe të Partisë Sociliste në lidhje me retorikën nacionaliste, shqetësimet mbi zgjedhjet e ardhshme dhe problemet në lidhje me sipërmarrjet e huaja dhe ato vendase. Ky ishte një takim dy orësh dhe jam e kënaqur për takimin me liderin e opozitës, i cili shprehu mjaft qartë pikëpamjet tij dhe mund të them se i shpjegoi në mënyrë mjaft bindëse."- tha ambasadorja gjermane Holtkemper.
Pas takimit Rama e vlerësoi bashkëbisedmin si shumë produktiv. Duke mos preferuar të jap shumë detaje mbi atë çka ndodhi në zyrat e BE-së Rama preferoi të përcjellë mesazhin se vëmendja e ndërkombëtarëve ndaj zgjedhjeve është tepër e madhe.
“Ishte një bashkëbisedim që zgjati dy orë dhe mund të zgjaste edhe më shumë. Ishte shumë i hapur dhe i drejtëpërdrejtë. Pse ishte i tillë më lejoni të mos bëj komente por të nënvizoj se në Shqipëri të gjithë ata që janë të intersuar që vota të numërohet jemi në një proces ku cdo shqiptar që do Shqipërinë euroipiane nuk është vetëm por ka shumë miq të mëdhenj që këtë herë nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm”- tha Rama pas takimit.
Gjatë takimit Rama sqaroi me detaje pikëpamjet e tij dhe të Partisë Sociliste në lidhje me retorikën nacionaliste.
Redaksia Online
(ar.sh/sg/ shqiptarja.com