Shqipëria do të mirëpresë presidentin francez Emmanuel Macron në vizitën e tij të parë dypalëshe që do të mbahet më 16 dhe 17 tetor pas një samiti për Ballkanin Perëndimor.

Report TV mëson se 100 oficerë të Xhandarmërisë franceze dhe forca sigurie kanë mbërritur tashmë në Tiranë.

Ndërkohë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot në mesditë një takim pune me Kryeministrin e Shqipërisë. Edi Rama.

"Samiti historik i Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor 2023, si edhe vizita bilaterale  për herë të parë e një Presidenti francez në Tiranë, ishin në fokus të bisedës midis Presidentit Begaj dhe Kryeministrit Rama" informoi sot presidenca. 

Samiti i ashtuquajtur Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, synon të promovojë dialogun politik, bashkëpunimin dhe pajtimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Tiranë, ai do të fokusohet veçanërisht në tensionet e ripërtëritura midis Serbisë dhe Kosovës, skenën e 24 shtatorit të përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe një komandoje paraushtarake të armatosur rëndë, të përbërë nga serbët e Kosovës. 

Në fund të samitit, Macron do të nisë një vizitë dypalëshe duke vënë në pah ”dinamikën shumë pozitive të marrëdhënieve franko-shqiptare”.

”Do të jetë një çështje e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në aspektin e tranzicionit energjetik, por edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, veçanërisht i madh midis dy vendeve”, thuhej në njoftimin e pallatit presidencial, Elysee.