Në bisedë me Ramën nobelisti Yunus u ofrua të japë kontributin e tij në dy fusha, në ndihmë të biznesit social dhe arsimit profesional në Shqipëri, gjithashtu e informoi për 4 projekte të nisura në vendin tonë, të cilat kanë si objektiv mbështetjen e prodhuesve vendorë në bujqësi dhe prodhuesit e vegjël të artizanatit.
Kryesocialisti Rama ka vlerësuar se mbështetja e prodhuesve në bujqësi dhe e artizanatit janë çështje mjaft të rëndësishme, që zënë pjesë të konsiderueshme në programin e Partisë Socialiste. Por në të njëjtën kohë e informoi nobelistin Yunus lidhur me programin e PS për heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe balancimin e investimeve në arsim, në favor të arsimit profesional.
Në këtë takim u ra dakord që ekipi i nobelistit Muhamad Yunus dhe i Partisë Socialiste të bashkëpunojnë në kuadër të programit të PS-së për një Rilindje Shqiptare, për ta pasuruar këtë program sa i takon mënyrave alternative të mbështetjes që i duhet dhënë biznesit të vogël, sipërmarrjes në fshat dhe arsimit profesional.
(eç/shqiptarja.com)